Gëzim Saliu
Kreu i PD-së: Statusin mund ta merrnin dy vite më parë, sfidë është hapja e negociatave
“Kavaja, qyteti nga ku nisi dhe mori jetë rrugëtimi evropian i Shqipërisë”
Opozita do të kontribuojë pa kushte për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, por nuk do të lejojë nga ana tjetër cenimin e standardeve demokratike. Ky ishte qëndrimi që shprehu dje kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në kuvendin zgjedhor të forcës më të madhe opozitare në Kavajë, duke theksuar se mesazhi i BE-së në vendimin e statusit ishte i qartë për qeverinë. “Evropa i kujtoi njëzëri mazhorancës se dialogu me opozitën është faktor vendimtar edhe pse kjo e fundit me arrogancë kërkon të përqendrojë gjithë pushtetin në duart e saj. Ne do të bëjmë gjithçka për Shqipërinë evropiane, por ne nuk do të lejojmë as nuk do të pranojmë kurrë shkelmimin e standardeve dhe normave evropiane. Ne po ndërtojmë dhe do të ndërtojmë standardin evropian, duke nisur nga shtëpia jonë, duke zgjedhur me votë drejtuesit tanë e duke u ngritur e duke u bashkuar njëzëri në vullnetin tonë të përbashkët për betejat, sfidat dhe fitoret që na presin përpara”, – tha Basha.
Takimi
Në kuvendin zgjedhor të PD-së në Kavajë, Basha ka shprehur kënaqësinë e veçantë që një ditë pas marrjes së statusit të vendit kandidat ndodhej në këtë qytetet në të cilin sipas tij nisi dhe mori jetë rrugëtimi evropian i Shqipërisë. “Për mua është një kënaqësi e veçantë që një dite pas marrjes së statusit të vendit kandidat të ndodhem këtu në Kavajë nga ku nisi dhe mori jetë rrugëtimi evropian i Shqipërisë. Është një ditë për të përkujtuar dhe për t’u përulur me mirënjohje dhe respekt të madh për të gjithë ata qytetarë të këtij qyteti heroik dhe për të gjithë qytetarët shqiptarë që u ngritën kundër regjimit diktatorial”, – tha ai. Në këtë kontekst, kryedemokrati shprehu mirënjohje për të gjithë ata që kontribuuan për të arritur në këtë ditë që e sjell Shqipërinë dhe më afër Evropës. Por nga ana tjetër, Basha nuk nguroi të shprehte keqardhje që statusi kandidat nuk mor dy vjet më parë kur u rekomandua për herë të parë nga Komisioni Evropian. “Mirënjohje dhe respekt për kontributin e administratës, të lidershipit politik të PD të qeverisë së Sali Berishës që bëri të mundur nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit në qershorin e vitit 2006, plotësimin e pyetësorit dhe dorëzimin e kërkesës për anëtarësim në BE në prillin e vitit 2009, liberalizimin dhe heqjen e vizave në dhjetor të vitin 2010. Natyrisht që do të donim që këtë status ta merrnim më shpejt, ta merrnim dy vjet më parë dhe kur na u rekomandua për herë të parë, por fatkeqësisht opozita e djeshme kishte një tjetër axhendë”, – pohoi Basha. Pas marrjes së statusit kandidat, kreu i opozitës bëri të ditur se sfidë për vendin mbetet hapja e negociatave. Dy ditë më parë Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së vendosi ti japë statusin kandidat Shqipërisë, duke paraqitur njëkohësisht në raportin e tij edhe 7 rekomandime. Krahas reformës në administratë e gjyqësore, Këshilli përsëriti se “dialogu stabël dhe i vazhdueshëm mes qeverisë dhe opozitës mbi reformat në lidhje me BE-në do të mbetet një faktor i rëndësishëm për avancimin e Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit evropian”.
Marrja e statusit/ Gjosha: Tani vjen faza më e vështirë
Në pritje për votimin formal nga kryeministrat evropianë, ministrja e Integrimit Klajda Gjosha e cilësoi periudhën post statusit kandidat, si më të vështirën me të cilën politika shqiptare është përballur deri më sot.Në konferencë të posaçme pas mbledhjes së qeverisë, një ditë pas vendimit në Luksemburg, ajo ka sqaruar detaje se ç’ndodh më tej pas këtij vendimi deri në hapjen e negociatave. “Për t’i lajmëruar të gjithëve është procesi më kompleks dhe më i vështirë që mund të ekzistojë ndonjëherë dhe etapat që na presin janë edhe më të vështira për ato që kemi kaluar për marrjen e statusit. E rëndësishme është që Shqipëria të vijojë për marrjen e të gjithë reformave kryesore që i nevojiten vendit”, – tha Gjosha.Me tej ministrja bëri të ditur se po bashkëpunohet me vendet anëtare për uljen e numrit të azilkërkuesve nga Shqipëria. “Nga vendet anëtare na është kërkuar ulja e kërkesave të azilkërkuesve. Për këtë po vazhdon bashkëpunimi intensiv mes qeverisë dhe policisë shqiptare me policitë kufitare të vendeve anëtare, për uljen e numrit te azilkërkuesve nga vendi ynë”, – pohoi Gjosha, duke ftuar opozitën që të jetë pjesë e reformave në procesin e integrimit.
Vendimet e qeverisë/ Financat marrin 198 mln lekë për të ardhurat tatimore, shpronësime për rrugën Tiranë- Vorë
Qeveria shqiptare ka miratuar dje në mbledhjen e saj shpronësimin dhe marrjen në përdorim të përkohshëm nga shteti të pronave private mbi të cilat do të ndërtohet rruga paralele Tiranë – Vorë në krahun e majtë. Vlera e përgjithshme e shpronësimit llogaritet më shumë se 32.4 milionë lekë. Po ashtu, ekzekutivi ka vendosur t’i akordojnë një fond shtesë, Ministrisë së Financave, në buxhetin e miratuar për vitin 2014, në programin “Menaxhimi i të ardhurave tatimore”, në zërin “Shpenzime kapitale”, ku t’i shtohet fondi 198 000 000 lekë. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. Po ashtu në mbledhjen e djeshme, këshilli i ministrave ka miratuar edhe vendimin për miratimin, në parim, të ndryshimit nr. 2 të marrëveshjes së ndihmës për objektiva zhvillimi, ndërmjet Shqipërisë dhe SHBA-së “Për forcimin e shtetit të së drejtës dhe qeverisjen e mirë dhe krijimin e kushteve për një rritje ekonomike me bazë të gjerë dhe të qëndrueshme”.





