Anxhela Tato
Tabulatet e bisedave, Emiljano Aliko i kërkoi ndihmë Matias Boçit pas mësymjes së bluve në kaparonin e Gates
Policia gjen arsenale armësh në Gjirokastër dhe Lazarat, dyshime se u përdorën nga trafikantët
Operacioni i Lazaratit pati si pikënisje futjen e 4 policëve të antidrogës që hynë në Lazarat për të filmuar zonën dhe parcelat e marijuanës me kamera të vogla. Të dielën e 15 qershorit makina e policisë u përpoq të hynte në fshat nga lagjja Mahmutaj, aty ku ndodhej kapanoni i Razip Mahmutajt, i njohur ndryshe si Gatja. Sapo bëri pak kilometra, makina u gjend nën breshërinë e plumbave. Katër agjentët mësohet se zbritën nga makina dhe u fshehën në një banesë aty pranë. Disa minuta më pas, policët arritën të merrnin makinën dhe u larguan, ndërsa mbi ta qëllohej vazhdimisht. Menjëherë pas kësaj, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëroi efektivët e RENEA-s dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë që në mëngjesin e së hënës së 16 qershorit të mësyjnë fshatin. Telefonat e disa personave të dyshuar ishin nën përgjim nga policia. Një person i quajtur Emiliano Aliko, sipas Prokurorisë, komunikonte me një tjetër banor të Lazaratit, Matias Boçin, të cilin e njoftonte për sulmin e policisë. Në bisedat e transkriptuara, Aliko kërkoi nga Boçi t’i shkonte në ndihmë, pasi efektivët e policisë mësynë kapanonin e Gate Mahmutajt. Përveç Alikos, sipas akuzës, u përgjuan edhe disa persona të tjerë, të cilët pas hyrjes së policisë në fshat, u larguan nga Lazarati. Për të gjithë këta persona të dyshuar që janë përgjuar prej muajsh, Prokuroria po verifikon pasuritë e tyre. Dyshohet se paratë e siguruara nga kultivimi i lëndës narkotike i kanë investuar në prona të patundshme në Tiranë dhe në qytetet bregdetare të vendit, si Vlorë e Sarandë. Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë, prej shtatorit 2013, kishte nisur hetimet për kultivuesit e trafikantët e marijuanes nga Lazarati. Disa herë ishte kërkuar nga Policia e Shtetit të infiltronte agjentë policie në mesin e kultivuesve apo të hynin në fshat për të filmuar nga afër plantacionet e mbjella me lëndë narkotike.
Sekuestrimet
Policia në ditën e 11-të të operacionit përdor edhe detektorin e metaleve për të gjetur armë apo fuçi metalike të groposura nën tokë në Lazarat. Gjatë kontrolleve janë gjetur 2 arsenale me armë këmbësorie, mortaja dhe mitraloza të rëndë, ndërsa vlera e drogës së asgjësuar apo sekuestruar arrin në 56.6 milionë euro. Prej 11 ditësh policia vijon aksionin në Lazarat, por mëngjesin e djeshëm arriti të zbulonte pranë varrezave të Gjirokastrës, një arsenal armësh, municionesh dhe predha kundërtank. Mitralozat e rëndë, murtajat, granatahedhësit, granatat, fishekët dhe predhat murtajave dyshohet të jenë hedhur nga pjesëtarët e grupeve kriminale që qëllonin me armë nga Lazarati ndaj policisë dhe që kanë mundur të largohen para se policia të merrte në kontroll fshatin. Po gjatë paradites së të mërkurë policia ka gjetur edhe 15 automatikë dhe pushkë në fshat. Zëdhënësja e policisë, Laura Totraku, njoftoi se ishte arrestuar Vangjel Tule, 29 vjeç, pasi në banesën e tij ishin gjetur 46 kg marijuanë, e ndarë në 17 thasë, 14 granata defensive si dhe ndezës detonatorë. Në total në 11 ditët e operacionit antikanabis në Lazarat, janë arrestuar 27 të dyshuar për sulmet me armë ndaj forcave të policisë dhe për kultivim bimësh narkotike. Po ashtu është proceduar penalisht dhe Kreu i Komunës Lazarat, Dasho Aliko, për organizimin e grupeve kriminale, dhe sulmin me armë ndaj policisë. Në total janë asgjësuar 133 567 bimë kanabis, si dhe mbi 54. 5 ton marijuanë. Gjithashtu janë sekuestruar edhe 8 pako, me rreth 4 kg heroinë, 1.3 kg çokollatë marijuanë, si dhe 3 kg farë kanabis sativa. Në fshat janë zbuluar 2 laboratorë të përpunimit të marijuanës dhe 3 laboratorë të përpunimit të vajit të hashashit, si dhe 2 inkubatorë për ngrohje. Në total janë sekuestruar edhe 293 pushkë dhe automatikë, 13 pistoleta, 2 snajper, 1 mitraloz kundërajror me gjithë shtrat, 22 mitraloza të lehtë, 1 gulinov, 4 antitank, 1 murtajë, 4 granatahedhës si dhe 315 kallëpe tritol. Policia raporton se janë kontrolluar 614 banesave dhe ambientesh të tjera në brendësi të fshatit Lazarat, ndërsa vijojnë kontrollet në tunelet e shumta që ka ajo zonë.
Armatimi i gjetur është si më poshtë vijon:
– 3 mortaja
– 2 mitraloz të rëndë
– 16 arka me predha murtaje, ku u gjetën 160 copë predha murtaje
– 10 arka me predha granatahedhësi, ku u gjetën 40 copë predha granatahedhësi
– 1 arkë me granata dore, ku u gjetën 40 copë granata
– 2 arka me mina kundër këmbësorisë, gjithsej 19 copë
– 2 kuti me fishekë 12.7 për mitraloz të rëndë
– 15 armë të ndryshme
– 19 granata
Aksioni i djeshëm:
– janë gjetur 3 litër vaj hashashi, 5 kg kanabis,
– 1 granatahedhës
– 14 automatikë e pushkë
– 5 pistoleta
– 1 armë gjahu
– 1 armë teke gjermane
– 1 pistoletë shenjëdhënëse
– 1 armë e vjetër
– 14 granata dhe 11 ndezës
– 2 kallëp tritol
– 50 kapsolla
– 5 targa automjetesh
– 4799 fishekë
– 5 krehër fishekësh
– 100 ml fitil zjarrpërcjellës
– 1 maskë
– 1 pajisje për presim kanabisi
– 1 ventilator i fuqishëm për tharje kanabisi
Didi: Prova për Alikon, vetë Lazarati
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, i është përgjigjur interesimit të mediave për mënyrën si po zhvillohen hetimet në lidhje me zbulimin e “grupit të zjarrit”, personat të cilët qëlluan për 5 ditë policinë e më pas arritën të largohen nga Lazarati. Sipas tij ky grup ekziston dhe policia i është vënë nga pas. “Po ta dinim vendndodhjen e tyre do i kishim kapur. Ju ishit vetë atje dhe e konstatuat që ka një grup kriminal që ka goditur policinë, që tentoi të rezistonte, këtë ne e quajmë grup kriminal, ndërsa ju grupi i zjarrit. Krahas veprimeve që vazhdojnë në Lazarat, ne jemi në kërkim të këtyre personave. Nuk kemi ende një numër, sapo t’i identifikojmë do ju bëjmë me dije”, – tha Didi. Ndërsa në lidhje me procedimin penal për Dasho Alikon, kryekomunarin e Lazaratit, Didi u përgjigj që vetë fshati i mbushur me kanabis e armë është prova më e madhe. “Për të vendosur për masën e sigurisë kompetenca kalon tek prokuroria e më pas ia kërkon gjykatës. Ne përderisa kemi barë procedim penal kemi prova, personi në fjalë duhet të përgjigjet. Prova e gjallë është Lazarati, gjetëm armë e kanabis”, – shtoi ai. Ndërsa pyetjes se a është përdorur Lazarati për prodhimin e drogave të forta, Didi iu përgjigj: “Patjetër, si një territor ekstra, ku nuk vepronte ligji, ku s’kishte kontroll është shfrytëzuar edhe si bazë e sigurt për të bërë edhe transitin e drogave të forta
Dasho Aliko/ “Akuza të pavërteta, unë ndihmova policinë”
Vetëm një ditë pas lajmit të procedimit penal vjen dhe reagimi i kryekomunarit Aliko. Në një bisedë telefonike ai ka kundërshtuar konsumin e veprave penale të pretenduara nga policia. Sipas Alikos vetë media e ka të faktuar ndihmën që kryekomunari i ka dhënë policisë për aksionin e asgjësimit të drogës. Madje Aliko ka tentuar që të bëjë ndërmjetësimin mes banorë dhe policisë duke ruajtur qetësinë. “Do të dal para drejtësisë dhe jam i gatshëm të përgjigjem për çka ata kërkojnë. Por akuza e ngritur nga policia është e pavërtetë. Unë nuk jam kriminel dhe as trafikant droge. Nuk kam bashkuar me trafikantët, madje kam ruajtur qetësinë dhe balancën. Madje vetë media e ka të dokumentuar ndihmën që i kam dhënë unë policisë”.
Berisha: Ju tregoj unë ku fle lepuri për Dasho Alikon
Ish-kryeministri dhe deputeti i PD-së, Sali Berisha, në një dalje për shtyp ditën e djeshme ka komentuar çështjen e marrjes së statusit të vendit kandidat të Shqipërisë, por mes të tjerash është ndalur edhe në çështjen e Lazaratit. I pyetur nga mediat, Berisha theksoi se kryekomunari i Lazaratit nuk u përfshi në arratinë e kriminelëve, siç ia kërkoi ministri Tahiri, ndaj sot akuzat janë hakmarrje. Sipas Berishës, zanafilla ka qenë data 17 qershor. “Ku fle lepuri ndaj Dasho Alikos? Jua them unë. Fle se në datën 17 qershor, në një takim zhvilluar në Gjirokastër, ku ndër të tjerë ishte dhe zëdhënësi për rendin i qeverisë ‘Rama’, Tahiri, kryekomunarit Dasho Alikos i kërkohet të kontaktojë kriminelë që ky i kishte denoncuar dhe të informojë ata se do t’u lihet shtegu i daljes. Ne e kemi thënë në media këtë. Kjo ishte një mënyrë se si të implikojë në arratinë e kriminelëve, por Dashua nuk mundi kurrë të implikohet gjatë tërë atyre ditëve ka bërë çmos për të qetësuar situatën. Por, që të bëhej ai ndërmjetës midis Tahirit dhe kriminelëve, Tahiri kishte zgjedhur njeriun e gabuar. Ja t’ju sjell njërin në mend, ishte një person, njeri aktiv në çështjet e drogës në Lazarat, dhe aty Dasho Aliko ka dashur ta denoncojë, por është kërcënuar se do kesh 1, 2, 3, 4 dhe ai ia ka kthyer gjitha çfarë meritonte Tahirit në atë mbledhje”.




