Komisioni i Ligjeve/ Ndryshojnë rregullat, kush përfiton nga ndihma juridike falas

big_komisioni_ligjeve_burgjetNaço: Të drejtën për të përfituar ndihmë juridike e kanë personat, që s’kanë mjete të mjaftueshme për ta paguar

 Projektligji “Për ndihmën juridike”, ndryshon kriteret se cila kategori e përfiton atë. Ministri i Drejtësisë Nasip Naço gjatë mbledhjes së djeshme në Komisionin e Ligjeve, theksoi se nevoja e këtyre ndryshimeve vjen si pasojë e problematikave të evidentuara nga Komisioni Shtetëror për Ndihmën Juridike gjatë implementimit të ligjit në praktikë.

Sipas ekzekutivit, personat të cilët kanë nevojë për ndihmë juridike në çështjet civile ose administrative, por nuk kanë mjete të mjaftueshme për ta paguar këtë ndihmë juridike, e përfitojnë atë nga shteti.

“Qëllimi i këtij projektligji është rritja e transparencës, efikasitetit, objektivitetit dhe besueshmërisë në sistemin e ofrimit të ndihmës juridike. Një tjetër element që e bëri të nevojshme ndërhyrjen në legjislacion ishin dhe gjetjet në progres raportin e vitit 2013 në pjesën e aksesit në drejtësi, ku funksionimi i legjislacioni për dhënien e ndihmës juridike evidentohej të kishte funksionuar me hapa të ngadalta”, – tha Ministri Naço

Me qëllim evidentimin dhe më të qartë të personave që legjitimohen për të përfituar ndihmën juridike, projektligji parashikon edhe përkufizimin e termit të “Ndihmës Juridike”, e cila në kuptim të këtij ligji jepet: për shtetasit shqiptarë me vendbanim në territorin e Republikës së Shqipërisë, shtetasit e huaj të pajisur me leje qëndrimi, për shtetasit e huaj që e përfitojnë atë mbi bazën e parimit të reciprocitetit, si dhe personat pa shtetësi të pajisur me leje qëndrimi. Projektligji sipas ekzekutivit është dërguar për mendim dhe është konsultuar me Ministrisë e Integrimit Evropian, Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Prokurorinë e Përgjithshme, Dhomën Kombëtare të Avokatisë, Komisionin Shtetëror të Ndihmës Juridike, Misionin EURALIUS dhe Misionin OPDAT.

Në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ligjeve, Ministri i Drejtësisë sqaroi se ligji i ndryshuar parashikon një specifikim të qartë të termave të tilla si “ndihma juridike”, “mjete të mjaftueshme” dhe “subjekte të përfshirë në programet e mbrojtjes shoqërore”.

“Këto përkufizime në ligjin bazë mungonin dhe shpesh herë ishin bërë pengesë në zbatimin në praktikë të vetë ligjit në tërësi. Duke realizuar një harmonizi midis normave ligjore në fuqi, sqarohet edhe më mirë fakti se të drejtën për të përfituar ndihmë juridike e kanë personat, të cilët kanë nevojë për ndihmë juridike në çështjet civile ose administrative, por nuk kanë mjete të mjaftueshme për ta paguar këtë ndihmë juridike. Gjithashtu, nëpërmjet kësaj ndërhyrje ligjore, qartësohet që kriteri financiar për dhënien e ndihmës juridike dytësore duhet të jetë në përputhje me të ardhurat e aplikuesit. Për rrjedhojë, është sqaruar më së miri se çfarë do të kuptojmë me termin “Mjete të mjaftueshme”, që sipas projektligjit janë të ardhurat mujore të kërkuesit, që nuk e kalojnë vlerën e pagës minimale të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave”, – theksoi ministri Naço

Share it :