Vendoset busti i Ismail Qemalit në Bukuresht, Rama: Përmbushëm detyrimin ndaj historisë
Kryeministri i vendit Edi Rama përshëndeti dje raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, sipas të cilit tashmë Shqipëria nuk është më në listën e vëzhgimit të vendeve të trafikut të qenieve njerëzore. Në reagimin e tij lidhur me këtë çështje, Rama u shpreh krenar për lajmin që erdhi nga raporti i DASH dy ditë më parë, ndërsa vetë Kryeministri e vlerësoi këtë si një hap përpara ndryshe nga ku e la qeveria e kaluar. “Krenar për heqjen e Shqipërisë nga praglista e zezë e Departamentit të Shtetit për trafikimin e qenieve njerëzore ku e lanë paraardhësit!”, – u shpreh Rama në Twitter. Në këtë kuadër, kreu i qeverisë ka përgëzuar punën e bërë nga Ministria e Brendshme dhe veçanërisht nga zëvendësministrja e këtij dikasteri. “Edhe këtë herë përgëzime ministrit të Brendshëm, por një falënderim i posaçëm zv.ministres Elona Gjebrea për punën e shkëlqyer në këtë drejtim”.
Busti i Ismail Qemalit
Ndërkaq Kryeministri ka përshëndetur dje vendimin e qeverisë rumune për të vënë bustin e Ismail Qemalit në qendër të Bukureshtit. Teksa falënderoi ministrin e Jashtëm Bushati për realizimin e vendosjen e bustit të Ismail Qemal Beut në qendër të Bukureshtit, Rama theksoi se kjo është një përmbushje e detyrimit ndaj historisë. “Tashme busti i Ismail Qemalit në qendër të Bukureshtit! Flm ditmirbushatit për përmbushjen e detyrimit ndaj historisë”, – shkruan Rama. Ai më tej ka falënderuar edhe deputetin e PS-së Taulant Balla për këmbënguljen në realizimin e këtij projekti si dhe punën e bashkëveprimin mes ambasadës shqiptare dhe qeverisë rumune. Nga ana e tij ministri i Punëve të Jashtme, e ka konsideruar ngritjen e bustit të Ismail Qemalit në qendër të Bukureshtit, si një dëshmi të fortë të lidhjes mes Shqipërisë dhe Rumanisë. Gjatë qëndrimit në Bukuresht, Bushati mori pjesë dhe mbajti një fjalë në ceremoninë e veçantë te inaugurimit të bustit të Ismail Qemalit, ku ishin të pranishëm edhe anëtarë të Parlamentit rumun, ish-presidenti rumun Iliesku, Kryetari i Bashkisë së Bukureshtit, Sorin Oprescu, përfaqësues të trupit diplomatik dhe diaspora shqiptare që jeton në Rumani. Në fjalën e tij vlerësoi lartë të gjithë ata që dhanë kontributin e tyre në realizimin e kësaj vepre, duke u shprehur: “Veprat e themeluesit të shtetit shqiptar dhe e gjithë bashkëkohësve të tij flasin qartë për aftësitë shtet formuese dhe shtet ndërtuese të kombit tonë”.
Pas Metës e Arvizusë
Edhe Rama në kanionet e Skraparit: Eksperiencë magjike
Pas vizitës së Kryeparlamentarit Meta dhe ambasadorit të SHBA-së Arvizu, ka qenë Kryeministri Rama që ka bërë dje rafting në kanionet e Skraparit. Duke përcjellë këtë eksperiencë nëpërmjet disa fotove të publikuara në rrjetet sociale, kryeministri Rama pohoi se ndihej i impresionuar nga ky udhëtim. “Kanionet e Skraparit një eksperiencë e re e Shqipërisë magjike nga një kënd qe s’e kemi parë kurre! Mos e humbisni. Fotot se tregojnë dot kurrë madhështinë e këtij tuneli natyror parahistorik nën qiell të hapur! Vizitojeni e do besoni”, – shkruante Rama në Twitter.
Nesër në Kuvend
Ligji i ri për territorin: Përdorim racional i tokës, çfarë parashikohet për bashkitë e komunat
Projektligji “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, i cili do të nisë shqyrtimin e tij të hënën në Komisionin e Ligjeve, parashikon sigurimin e zhvillimit të qëndrueshëm të territorit nëpërmjet përdorimit racional të tokës dhe të burimeve natyrore. Sipas relacionit shpjegues, ligji është kompleks për autoritetet e planifikimit dhe zhvilluesit dhe kërkon investim të konsiderueshëm në ndërtimin e kapaciteteve. Po kështu, ai kërkon një zhvendosje të mentalitetit për përdorimin e instrumenteve të tokës, të cilat sigurojnë financimin e infrastrukturës, garantojnë zbatimin e planeve, si dhe sqarojnë se të drejtat e pronës janë të ndryshme nga të drejtat e zhvillimit. Ndër ndryshimet kryesore të propozuara, në varësi dhe të reformës territoriale, lidhen me autoritetet vendore të planifikimit, të cilat do të sigurojnë në strukturën përgjegjëse të planifikimit dhe kontrollit të zhvillimit të territorit profesionistë të kualifikuar dhe me eksperiencë pune në fushat përkatëse. Delegimi i kompetencave në planifikimin e territorit te niveli i dytë i qeverisjes propozohet të bëhet sipas ligjit për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore dhe në varësi të ndarjes së re administrative. Janë parashikuar disa instrumente financimi që mund të përdoren nga autoritete vendore të planifikimit (bashki/komuna), si koncepti i zhvillimit të detyrueshëm të tokës; koncepti i intensitetit të ndërtimit me kushte, që ka për qëllim të sigurojë vlera monetare për financimin e investimeve kapitale në infrastrukturat dhe shërbimet publike, koncepti i transferimit të së drejtës për zhvillim etj.
Monitorimi i turizmit
Gjermeni, përplasje me kreun e Komunës Shëngjin
Ministria e Turizmit ka nisur monitorimin e planit për mbarëvajtjen dhe sigurimin e turistëve për këtë sezon të ri. Ministrja Gjermeni e ka nisur këtë monitorim nga plazhi i Shëngjinit në Lezhë, ku sipas saj, këtë vit siguria dhe kontrolli në plazhe do të jetë më i madh dhe se kërkon një vëmendje të veçantë. “E para njëherë është se pastrimi i mjedisit duhet të jetë i vazhdueshëm. Ne si ministri përgjatë gjithë kohësh përveç bashkëpunimit kemi edhe ekipet tona monitoruese në bregdet. Do të kemi edhe Forcat e Armatosura dhe Agjencinë e Bregdetit dhe shtabet e vogla për çdo plazh”, – tha ajo. Më herët gjate takimit me kryetarin e kësaj komune, Salvador Kaçaj, mësohet se nuk kanë munguar debatet për mosndërhyrjen në vite në ndihmë të pushuesve te Shëngjinit. “Hera e parë që një ministër vjen e inspekton vetë zonën në terren. Natyrisht është një risi. Diskutuam disa probleme, për mbarëvajtjen më të mirë, për bashkëpunim më të mirë dhe mbështetjen më të mirë dhe besoj që kemi gjuhë të përbashkët sepse të dyja palët jemi në shërbim të turizmit”,- tha kryetari i komunës. Një javë më parë Shëngjini çeli sezonin turistik, si dhe inauguroi bustin e At Zef Pllumit në shëtitoren e komunës.
Pas vërejtjes brenda partisë
Tërhiqet deputeti, Kadeli: S’kërkova dorëheqjen e Tahirit. Berisha, një politikan i suksesshëm
Pasi deklarata e tij për kërkesën e dorëheqjes së një ministri të qeverisë, u bë objekt debati mes së majtës, ku nuk munguan edhe kritikat nga brenda radhëve të LSI-së, deputeti i kësaj force, Gjovali Kadeli, deklaroi dje se kjo çështje nuk ka të bëjë me ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Sipas tij, grupi i LSI-së do të ndërmerrte nismën për kërkesën e dorëheqjes së një ministri, duke kërkuar efektivitet të qeveri. “Ministri Tahiri nuk ka thënë asnjëherë se duhet të japë dorëheqjen apo do japë dorëheqjen. Ministri Tahiri është një nga ministrat më të suksesshëm të qeverisë. Nuk kemi kërkuar asnjëherë dorëheqjen e ministrit Tahiri, nuk ke dëgjuar ndonjëherë nga goja ime emrin e ministrit Tahiri. Ne kemi kërkuar që qeveria të jetë më efikase, që do të thotë vazhdimin e luftës pa kompromis me çdo elementi keqbërës në Shqipëri përfshirë dhe Lazaratin, gjë e cila u vërtetua me ndërhyrjen e policisë”, – tha ai. Ndërkaq sa i përket çështjes së përjashtimit të ish-kryeministrit Berisha nga seancat parlamentare dhe qëndrimit të Kryetarit të Kuvendit, Kadeli theksoi: “Berisha është lider historik i PD-së, një nga politikanët e suksesshëm në vendin tonë dhe si i tillë do të ketë vlerësimin e duhur nga autoritetet shqiptare përfshirë kreun e Kuvendit apo Kryeministrin”.





