Deputeti i PD-së: Operacioni i Lazaratit, një show. Mos po bëhen ca punë të tjera rreth e qark?
“Gate Mahmutaj s’ka qenë asnjëherë bashkëpunëtor i PD-së, as i brendshëm, as i jashtëm, as part-time”
Përjashtimi i ish-kryeministri të vendit, Sali Berisha, për 10 ditë nga seancat kuvendore ka sjellë reagimin e ashpër të demokratëve që e kanë cilësuar këtë vendim si provokim të rëndë dhe tentativë për mbylljen e gojës së opozitës. Deputeti demokrat Gent Strazimiri deklaroi dje se ky akt ishte tërësisht i njëanshëm, pasi, sipas tij, Berisha me fjalët e tij kundrejt ministrit Veliaj thjesht citoi deklaratat e Kryeministrit Rama në darkën e ditëlindjes së violinistit Tedi Papavrami. “Përse sot ka rënë niveli i debatit? Bie niveli i debatit, nëse në Parlament vijnë rrugaçë. Është kapur në kamera e shara e Kryeministrit. Unë them në Parlament që po citoj Kryeministrin, nëse të vjen turp, duhet të akuzosh Kryeministrin. Etika duhet të fillojë me Kryeministrin. Neve nuk mund të na ndalohet të citojmë Kryeministrin tonë. Ju thotë tekstualisht gruas së ministrit, më falni po dua ta citoj, kurvë, dhe ministri as nuk foli fare. Zonjat që u fyen në sallë, kur Berisha citoi Kryeministrin e tyre, ndërkohë që për shprehjet që u transmetuan në mimikën e Kryeministrit pak kohë më parë, qeshin me to. A ka një efekt publik? Unë them se po, publiku duhet ta dijë. Çdo shqiptar duhet ta dijë”, – deklaroi në një intervistë për “Ora News”. Më tej, duke iu referuar darkës, Strazimiri tha se çdo gjë që ka ndodhur aty është faktuar nga 37 pjesëmarrësit e saj dhe se lajmi është marrë vesh menjëherë. “Gjëja është denoncuar nga një person publik, mund të zgjedhësh mos ta besosh, por ne kemi zgjedhur ta besojmë, por çdo njeri e di fjalorin e Kryeministrit. A është etike të citosh Kryeministrin e këtij vendi? Etika nuk ka më vend në këtë vend. Ne po përballemi çdo ditë në Parlament me kriminelët që ka futur në Kuvend”, – tha ai. Ndërkaq, i pyetur se pse në kohën e pushtetit të PD-së për fyerje e ofendime janë marrë masa me përjashtime për deputetët e PS-së, si p.sh. Taulant Balla, deputeti demokrat theksoi: “Z. Balla nuk është përjashtuar një herë, është përjashtuar të paktën 5 herë për shprehje dhe shpifje që janë vërtetuar në gjykatë. Z. Berisha nuk është z. Balla. Ky i fundit ka fyer dhe ka shpifur ndaj Berishës në mënyrë personale. Ndërsa z. Berisha ka cituar Kryeministrin”. Lidhur me përjashtimin e ish-kryeministrit të vendit, PD ka vendosur të bojkotojë pa afat Parlamentin.
Operacioni i Lazaratit
Sa i përket operacionit të policisë në Lazarat, deputeti demokrat e cilësoi atë si një farsë dhe show politik. Duke bërë të ditur se PD ka mbështetur çdo operacion policie, nga oficerë të ndershëm, Strazimiri tha se demokratët nuk mund të mbështesin çdo numërues dhe trafikant që ka shkuar atje, sipas tij, në emër të PS-së. “Hashashi është problemi i fundit që ne kemi. Kemi linja kokaine dhe heroine, duke shfrytëzuar rrugë të ndryshme. Kush fut kokainë, ka absolutisht marrëveshje me shtetin. Opsioni i ndërhyrjes me dhunë ka qenë në tavolinën e çdo ministri të Brendshëm, opsion që është lënë, sepse mund të kishte përfundime jo të mira, oficerë të plagosur etj. Nga Lazarati nuk ka dalë asgjë në këto 8 vite. Ndërkaq, i gjithë Lazarati është zbrazur në këta 9 muaj që janë këta në pushtet”, – tha ai. Më tej, deputeti demokrat tha se në listën e të kërkuarve të bërë publike nga policia në ditën e dytë të operacionit, 75 % e emrave bën të ditur se ishin në Tiranë. “Situata është krejtësisht e paqartë. Unë kam të drejtën të them se është një operacion pa kokë pa këmbë, ku nuk po merret vesh se çfarë po ndodh. Ndërkohë, ke laborator kokaine në Fushë-Kuqe të Laçit. Ky është show, në një kohë kur avioni që vjen në Gjadër e ulet në Shëngjin. Gjithë kjo tabure në Lazarat, mos po fsheh ata që kalojnë në errësirë? Mos po bëjnë ca punë të tjera rreth e qark, larg Lazaratit?” I pyetur lidhur me akuzat e mazhorancës për lidhje mes të arrestuarit në Lazarat Gate Mahmutaj dhe PD-së e ish-kryeministrit Berisha, Strazimiri u përgjigj duke pohuar: “Gate Mahmutaj s’ka qenë asnjëherë bashkëpunëtor i PD-së, as i brendshëm, as i jashtëm, as part-time”.
Korçë/ Të majtët “tërheqin” një tjetër këshilltar të PD-së
Vetëm një muaj pasi katër këshilltarë demokratë të Këshillit të Qarkut në qytetin e Korçës kaluan në krahun tjetër politik, me grupin e Partinë Socialiste, dje është ripërsëritur rasti me një tjetër këshilltar të djathtë. Vangjush Dishnica është larguar nga PD-ja për t’iu bashkuar Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke deklaruar se arsyeja e kalimit të tij nga djathtas majtas ka të bëjë me performancën e kësaj force në mënyrën se si ajo po bashkëqeveris me Partinë Socialiste apo edhe projektet që ajo ka për zhvillimin e mëtejshëm të vendit. Me “tërheqjen” e këshilltarit të radhës, koalicioni i majtë në qytetin e Korçës ka fituar më shumë epërsi kundër koalicionit të djathtë. Fill pas nënshkrimit të marrëveshjes mes PS-LSI për t’u futur bashkë në zgjedhjet e 23 qershorit pati një largim të 2 këshilltarëve të djathtë asokohe, përkatësisht të Ilir Bajlozit, nga partia e Bashkimit Liberal Demokrat dhe Albert Nikës, një tjetër i djathtë. Së bashku me ta u larguan edhe dy këshilltarë të LSI-së, drejt PS-së, Jorida Remacka dhe Gurie Golloberda. Tashmë me një tjetër largim nga radhët e PD-së, këshilltarët e majtë dominojnë me 24 këshilltarë kundrejt 11 të djathtëve. Ndërkaq, largimin e katër këshilltarëve një muaj më parë PD e cilësoi si vazhdimin e praktikës nga mazhoranca PS-LSI për blerjen e pushtetit. Sipas demokratëve, pas blerjes së votave në zgjedhjet e 23 qershorit, përmes parave, mazhoranca po kërkon të blejë edhe këshilltarët në qarqe ku nuk ka shumicën.





