Khedira: Boateng e pati fajin që u largua nga Gjermania

khediraKevin-Princ Boateng gjithmonë lë vend për polemika, mirëpo kësaj radhe i është kthyer me të, pasi e quajti skuadrën e Hoakim Lëvit një skuadër pa personalitete. Kevin-Princ Boateng “kërcënon” sërish në prag të ndeshjes së Ganës së tij me Gjermaninë të shtunën në orën 21:00, në “Estadio Castelao”. Në një intervistë për “Sport Bild”, mesfushori i Shalkes u premtoi luftë deri në vdekje gjermanëve në Fortalexa. “Pres një dueli si ata të gladiatorëve të Romës. Me njerëz rreth arenës (fushës) që duan të shohin dy skuadra që luftojnë. Skuadra që do e dojë më shumë fitoren do t’ia dalë. Prandaj duhet të luftojmë deri në vdekje kundër Gjermanisë”, – ka thënë Boateng. Por i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Sami Khediras, ish-shokut të skuadrës te moshat e Gjermanisë që mbron vendimin e trajnerëve për ta përjashtuar ganezin nga moshat e “pancerave” për mungesën e disiplinës. “Unë Kevinin e kam mbështetur gjithnjë, por ka disa rregulla që nuk mund t’i vësh kurrë në diskutim. Një lojtari mund t’i lejohen një apo dy çapkënllëqe të moshës, por në përgjithësi duhet të jesh i disiplinuar për të qenë pjesë e një skuadre profesioniste. Trajneri i atëhershëm vendosi ta përjashtonte, dhe personalisht mendoj se veproi drejt. Kevin kishte fajin e tij për atë që ndodhi, dhe ai e di shumë mirë këtë sot, jam i sigurt”, – është shprehur mesfushori i Real Madrid.

 

Zllatan në Brazil si spektator

Është një prej mungesave më të mëdha të “Brazil 2014”, pasi Suedia e tij u eliminua në Play-Off nga Portugalia dhe Zllatan Ibrahimoviç kishte premtuar se nuk do të shihte asnjë ndeshje Botërori, pasi pa të është më i shëmtuar, por me sa duket, boshnjako-suedezi nuk e ka mbajtur fjalën e dhënë. Sulmuesi i Paris Saint Germain u nis dje për në Brazil, ndërsa nuk mungoi në shkallët e stadiumit gjatë ndeshjes Spanjë-Kili (0-2) në praninë e djalit të tij, presidentit të PSG-së dhe teknikut Lorant Blank.

 

Shaqiri: Një fanse më kërcënoi me vetëvrasje

Për Xherdan Shaqirin duket se nuk është e lehtë të fakti i të qenit personazh publik. Ylli i Bajernit të Mynihut, që tani ndodhet në Brazil për të luajtur në Kupën e Botës me Zvicrën, ka rrëfyer ditën e djeshme një histori që e ka tronditur shumë. “Një femër më tha se nëse nuk do ta takoja, atëherë do të vriste veten. Në atë kohë u gjenda shumë ngushtë pasi nuk dija se çfarë të bëja”, – nisi rrëfimin e tij 22-vjeçari për portalin “Persoenlich.com”. “Siç e tregova edhe më parë, të tilla situata janë të pakëndshme. Por tani ka mbaruar gjithçka dhe çdo gjë shkoi për mirë. Unë them se kjo është ana negative e të qenit popullor”, – tha Shaqiri. Fakti që është kaq popullor, Xherdan Shaqiri ia dedikon vetëm Bajernit të Mynihut. Atij edhe në Brazil, gjatë stërvitjeve që bën në qendrën stërvitore në Porto Seguro, i duhet që të “eliminojë” britmat e fanseve, të cilat e thërrasin me zë të lartë. “Nëse luan për Bajernin, atëherë njihesh në tërë botën. Gjermania është me të vërtetë në një nivel tjetër kundrejt Zvicrës”, – u shpreh Shaqiri.

 

Ivan Rakitiç provokon përsëri

Ivan Rakitiç godet përsëri. I famshëm për puthjen që i dha shokut të skuadrës pasi fitoi Europa League me Seviljen, futbollisti më i ri i Barcelonës, Ivan Rakitiç, tërheq sërish vëmendjen e mediave. Në përfundim të ndeshjes Kroaci-Kamerun 4-0, mesfushori ballkanas nuk zgjodhi të ndërronte fanellën me futbollistin kamerunas Stefan Mbia, por të shkurtrat, duke sjellë sërish në qarkullim zërat që e cilësonin si homoseksual. Pavarësisht kësaj, lojtari e provoi që gjithçka kishte qenë një keqkuptim, duke nxjerrë foto me gruan e tij, çka hodhi poshtë të gjithë zërat për mesfushorin e ri të Barcelonës.

 

 

Share it :