Basha: Demokratët e ‘90-së dhe të 2014-ës ringritën besimin tek PD. Sot kuotohemi si fitimtarë

Gëzim Saliu

basha ne peqin “Çdo shqiptar, i zhgënjyer dhe i tradhtuar, se po drejtohen nga të paaftët e nga kurrkushi”

 Procesi i zgjedhjeve në Partinë Demokratike ka rikthyer besimin e qytetarëve tek forca më e madhe opozitare, e cila sot kuotohet si forcë politike fitimtare në vend. Kështu deklaroi dje kreu Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nga Peqini ku mori pjesë në kuvendin zgjedhor të PD-së, ka falënderuar të gjithë anëtarët e PD-së që u përfshinë në procesin e zgjedhjeve në parti. Sipas kryedemokratit, gjithkush që ndan dhe beson të njëjtat vlera me demokratët, është i lirë të garojë për poste drejtuese në këtë parti. “Gjej rastin të falënderoj në emrin tim të gjithë anëtarët e Partisë Demokratike të Shqipërisë, nga Veriu në Jug, nga më i vjetri me teserën e dhjetorit të vitit 1990 tek me i riu me teserën e majit të vitit 2014, që morën pjesë dhe dhanë kontributin e tyre të çmuar në këtë fushatë vendimtare për ringritjen dhe të ardhmen e Partisë sonë si alternativa kryesore e të djathtës dhe qendrës në Shqipëri. Në bursën e besimit popullor, Partia Demokratike në këtë proces zgjedhjes, kuotohet sot si parti fitimtare. Tregon besimin e rinisë e cila beson tek ne, beson se me ne do të këtë një të ardhme më të mirë që po vjen tek ne, sepse beson se me ne do ta thotë fjalën e saj, po vjen tek ne sepse beson se i ka rrugët e hapura për të dhënë kontribute dhe për të marrë përgjegjësi”,- tha Basha.

 

Alternativa

Sipas kreut të PD-së, çdo shqiptar ndihet sot i zhgënjyer dhe i tradhtuar teksa sheh që po drejtohet nga të paaftë, të papërkushtuar e deri tek personat me rekorde kriminale. Në këtë kontekst, Basha theksoi se me zgjedhjen e personave më të mirë në postet drejtuese, Partia Demokratike do t’u japë qytetarëve alternativën e duhur dhe atë që ata meritojnë. “E keqja më e madhe është kur të drejton kurrkushi, i padituri, i paafti, i pavirtytshmi, i papërkushtuari, i pasinqerti. Ndaj ne, Partia Demokratike, kemi një mision qytetar politik e kombëtar:  T’i dalim përballë dhe t’i përgjigjemi me vendosmëri, me njerëzit me të zotë që ka nxjerrë familja, komunitetit shkolla apo përvoja e gjerë e jetës, projektit ogurzi të kundërshtarit tonë të promovimit  të individëve me rekorde kriminale në politikë, në administratë, në drejtim duke poshtëruar qytetarët duke rrezikuar projektin demokratik të ardhmen demokratike të vendit”, – deklaroi kryetari i PD-së. Në degën e PD-së së Peqinit u zgjodh në bazë të parimit një anëtar një votë, kryetar i ri Diell Çela, i cili arriti të merrte me 92 vota, ndërsa kandidati Artjan Ashiku arriti të merrte vetëm 42 vota.Në kuadër të zgjedhjeve të brendshme, Partia Demokratike, si forca më e madhe opozitare në vend, po krijon ekipin e ri, ku në qendër të procesit është vendosur vota e anëtarësisë në të gjitha rrethet e vendit.Pas mbylljes së votimeve në Sarandë e Lushnjë, ku përkatësisht u shpallën fitues Hariz Mema dhe Myslym Murrizi, procesi ka vazhduar me mbledhjen e kuvendit zgjedhor në degët e Librazhdit, Peqinit, Tropojës dhe Hasit. Në degën e Librazhdit u zgjodh kryetar i PD-së nga anëtarësia demokrate me 144 vota Bujar Vreto, në degën e Tropojës Xhevdet Hoxha dhe në atë të Hasit Miftar Dauti. Ndërkaq pas rivotimit në degën e Matit, pas balotazhit të parë, anëtarësia zgjodhi kryetar të ri me 126 vota Alfred Ahmetcenajn e ndërsa kundërshtari Basir Çupi mori vetëm 112 delegatë. Pas mbylljes së procesit të zgjedhjeve në të gjitha degët, si edhe fillimin në Tiranë, ku kryetari Basha ka nxjerrë udhëzimin e tij për zgjedhjet në seksione e grupseksione dhe kryetarin e degës, pritet të mblidhet Kuvendi Kombëtar. Ky forum, i cili është edhe më i larti në PD, do të zgjedhë fillimisht Këshillin Kombëtar dhe do të miratojë, nëse do të ketë ndryshime në statusin e selisë blu. Ndërkaq do të jetë më pas Këshilli, i cili do të zgjedhë kryesinë e re, nënkryetarët, sekretarin e Përgjithshëm dhe sekretarët e çështjeve specifike.

 

Udhëzimi për zgjedhjet e Tiranës

Udhëzimi i kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, për zgjedhjet në degën e Tiranës parashikon që ky proces të mbyllet brenda një afati kohor prej 30 ditësh. Sipas këtij udhëzimi, kryeqyteti do të jetë i ndarë në 15 degë, ku 11 do të jenë sipas ndarjes së minibashkive e ndërsa 4 do t’u përkasin rrethinave, përkatësisht Paskuqani, Kamza, Vora dhe Kurora Lindore e Tiranës, e cila përfshin Farkën e Dajtin. Ndërkaq, në udhëzim theksohet se kandidat për kryetar dege nuk mund të jenë deputetët, kryetarët e këshillave të qarqeve, kryetarët e bashkive, minibashkive si edhe kryetarët e komunave.

 

Takimi me delegacionin e NDI-së/ Nishani: Vlerësim marrëdhënieve me SHBA-në. Dean: Mbështetje për integrimin

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, zhvilloi dje një takim pune me delegacionin e Institutit Demokratik Kombëtar Amerikan (NDI), të kryesuar nga guvernatori i Vermontit, Howard Dean. Në takimin, ku ishte i pranishëm edhe drejtori Rajonal për Evropën Qendrore dhe Lindore të këtij Instituti, Robert Benjamin, kreu i shtetit çmoi rolin e rëndësishëm që ka luajtur dhe vazhdon të luajë Instituti Demokratik Kombëtar Amerikan në vend prej gati dy dekadash, përmes projekteve të ndryshme për zhvillimin e standardeve të demokracisë, forcimin e institucioneve, përgatitjen e liderëve të rinj si dhe rritjen e pjesëmarrjes dhe përfaqësimit të grave në politikë dhe nëpër institucione. Nga ana e tij Guvernatori i Vermontit, Howard Dean shprehu konsideratat e larta për arritjet e vendit, duke vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të Kreut të Shtetit ndaj nismave të Institutit Demokratik Kombëtar amerikan për demokratizimin e mëtejshëm të institucioneve shqiptare dhe forcimin e shtetit të së drejtës. Dean e siguroi Kreun e Shtetit shqiptar se NDI do të vazhdojë të japë kontributin dhe përvojën e vyer institucionale në bashkëpunimin me autoritetet shqiptare duke shprehur mbështetjen e palëkundur si dhe besimin në suksesin e integrimit të afërt të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

 

Deputeti i PD-së në Gjirokastër/ Ruli: Çështja kundër drogës kalon tej përfitimeve politike

Deputet demokrat i Gjirokastrës, Genc Ruli, theksoi se PD mbështet çdo aksion që shteti ndërmerr për të çliruar Shqipërinë nga kultivimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike. Ai theksoi se çështja e luftës kundër drogës nuk duhet shitur si kapital politik. “Kemi shprehur pa ekuivok qëndrimin që Shqipëria duhet të çlirohet nga kultivimi dhe trafikimi i drogës. Nuk ka asnjë kompromis me këtë lloj aktiviteti. Ne mbështesim çdo aksion, çdo veprim që shteti ndërmerr për të zhdukur si kultivimin dhe trafikimin e drogës. Nuk marrim asnjë pozicion që të pengojmë apo të ulim vlerën e këtij operacioni. Duam të themi që çështja e luftës kundër drogës kalon tej përfitimeve politike që ke dhe nuk duhet shitur si kapital politik”, – deklaroi Ruli.

Share it :