Raporti vjetor/ Si do të kontrollohen pasuritë e 1400 zyrtarëve të lartë

Florenc Drizari

dosje-3-1-320x213 “ILDKP në 10 vjet ka administruar rreth 12 mijë deklarata pasurie dhe janë kontrolluar rreth 3500 zyrtarë”

Rreth 1400 zyrtarë pritet të kalojnë nën sitën e kontrollit të pasurive gjatë këtij viti. Premtimi u bë dje në Komisionin e Ligjeve nga kreu i ILDKP-së, Shkëlqim Ganaj, gjatë prezantimit të raportit vjetor të Inspektoratit të Lartë të Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave për vitin e kaluar. Miratimi përfundimtar i raportit të 2013-ës u la për një tjetër mbledhje, për faktin se deputetët e opozitës kërkuan kohë të njihen me projektrezolutën, ndërkohë që të njëjtin qëndrim mbajti edhe mazhoranca.

Inspektori i Përgjithshëm, Shkëlqim Ganaj, kritikoi punën e bërë në vitet e kaluara në këtë institucion dhe premtoi se brenda këtij viti do të kontrollohen rreth 1400 zyrtarë. “ILDKP në 10 vjet ka administruar rreth 12 mijë deklarata pasurie dhe në 10 vjet janë kontrolluar rreth 3500 zyrtarë që është një shifër jashtëzakonisht shumë më e ulët. Të mos e kontrollosh në 10 vjet, njëherë të vetme zyrtarin është shumë e ulët. Këtë vit do të kontrollohen menjëherë 1400 zyrtarë. Nëse nuk e kalojmë këtë standard, institucioni është i marrë fund, sepse nuk mund të vazhdojmë me vite të mos i kontrollojmë”, – tha Ganaj.

 

Formularët

Ndërkohë, dy ditë më parë u botua në “Fletoren zyrtare” edhe urdhri i ILDKP-së për miratimin e formularëve të deklarimit të interesave private. Tashmë janë përcaktuar formularët sipas llojeve të deklarimit të interesave private, të përcaktuara në nenet 5/1, 7, 7/1 dhe 9, të ligjit nr. 9049, datë 7.4.2005, të ndryshuar, duke përcaktuar edhe katër tipat si: Deklaratë e interesave private para fillimit të detyrës, deklaratë e interesave private periodik vjetor, deklaratë e interesave private pas largimit nga funksioni.

Detyrimin për plotësimin e formularëve e kanë të gjithë zyrtarët që preken nga detyrimi për të bërë publike pasuritë e tyre. Deklarata e interesave private para fillimit të detyrës plotësohet nga zyrtari që fillon punë në një nga funksionet që mbart detyrimin për deklarimin e interesave private të tij, të bashkëshortit/es, bashkëjetuesit/es, në bazë të ligjit “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, me ndryshimet e paraqitura së fundmi më datë 20.4.2014. Në bazë të udhëzimit autorizohet Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe personat përgjegjës, inspektori i përgjithshëm i ILDKP-së, që të verifikojë në të gjitha subjektet private e publike, brenda dhe jashtë vendit, pasuritë, interesat private dhe detyrimet financiare, që ekzistojnë në emër dhe për llogarinë e zyrtarëve. Me autorizimin e dalë nga kreu i ILDKP-së, lejohet edhe verifikimi i pasurisë për familjarët e zyrtarit si bashkëshortja, fëmijët në moshë madhore dhe bashkëjetuesit. Sipas ligjit për kontrollin dhe deklarimin e pasurive, personat që preken nga ky ligj, nuk mund të mbajnë dhe të deklarojnë gjendje në cash mbi vlerën 1.5 milionë lekë. Në mos plotësimi të formularit, apo deklarime të rreme, për zyrtarët parashikohen gjoba nga 50 mijë deri në 100 mijë lekë.

 

Përplasja PD-PS

Mes mazhorancës dhe opozitës ka pasur përplasje të forta lidhur me ligjin e ri për ILDKP-në që u miratua pak javë më parë. Opozita ka ngritur shqetësimin se ligji i ri cenon kompetencat e Presidentit të Republikës, duke ia hequr të drejtat për propozimin e kandidaturave për kreun e këtij inspektorati dhe kalimin e kësaj të drejtë Kuvendit të Shqipërisë. Nga ana tjetër, mazhoranca ka kritikuar punën e ish-funksionarëve të ILDKP-së në tetë vitet e qeverisjes së djathtë, duke thënë se shumë zyrtarë nuk janë hetuar në shkelje të ligjit. Një qëndrim kritik për ligjin ndaj inspektoratit të përgjithshëm ka mbajtur edhe kreu i shtetit, Bujar Nishani, duke e quajtur një cenim të të drejtës së tij kushtetuese.

 

 

Share it :