Ervin Kaduku
Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave nisi të mërkurën shqyrtimin e projektligjit për Kodin e ri Doganor. Projektligji u prezantua nga ministri i Financave Shkëlqim Cani. Cani tha se Kodi i ri Doganor është diskutuar me grupet e interesit. Duke paraqitur objektivat e Kodit të ri Doganor, ministri Cani shpjegoi para deputetëve se ai qartëson procedurat për biznesin dhe administratën doganore. “Koncepti i ri i Kodit që përfshin OEA-të (operatorët ekonomikë të autorizuar) është një avantazh për biznesin”, – theksoi ministri.
Sipas tij, me Kodin e ri Doganor hiqet komunikimi me letër mes bizneseve dhe doganave, pasi tashmë ky komunikim bëhet online. Ndër të tjera, kreu i Financave publike sqaroi se bizneset do të plotësojnë një deklaratë doganore më të thjeshtë. “Janë forcuar edhe disa nene që kontrollojnë mashtrimin”, – tha Cani.
Projektligji është përgatitur nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, në kuadër të “Projektit të binjakëzimit, IPA 2008”, projekt, i cili synonte përafrimin e legjislacionit tonë doganor me atë të BE-së. Kodi i ri Doganor është konsideruar si një instrument, i cili do të rrisë sigurinë për importuesit dhe eksportuesit shqiptarë, njëkohësisht nisjen e një epoke transformimi, duke pasur një qasje të re me biznesin, të cilin e quajti një partner strategjik.
Ndër të tjera Kodi i ri Doganor sjell unifikim të rregullave dhe praktikave, kalimi i një mjedisi doganor elektronik, pa letër, aplikimi i procedurave të thjeshtuara dhe operatorët ekonomikë të autorizuar, saktësimin e dispozitave mbi kohën dhe vendin ku lind një borxh doganor, me qëllim që të shmangen vështirësitë dhe zgjidhja juridike, mundësimi i përdorimit të një garancie të vetme globale për disa regjime dhe mbulimin e disa transaksioneve me një garanci të vetme, garantimi i çlirimit të shpejtë të mallrave, kur operatori ekonomik jep paraprakisht informacionet e nevojshme për kryerjen e kontrollit dhe analizën e riskut.
Pas miratimit të Kodit të ri Doganor do të vijojë puna për projekt-aktet nënligjore për dispozitat zbatuese të Kodit Doganor, të cilat do të shfuqizojnë vendimin “Për dispozitat zbatuese të Kodit Doganor të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, përgatitja dhe miratimi i të cilave është në varësi edhe të miratimit të dispozitave zbatuese të rregullores së re, nr. 952/2013 nga BE-ja.
Objektivi parësor i administratës doganore është që dispozitat lidhur me operatorët ekonomikë të Autorizuar dhe thjeshtimet doganore të hynë në fuqi dhe të bëhen të zbatueshme më 1 janar 2015. Për realizimin e këtij objektivi do të nevojitet edhe marrja e disa masave tekniko – administrative për aplikimin nga ana e teknologjisë së informacionit të dispozitave të Kodit Doganor.
Administrata doganore aktualisht operon përmes sistemit të automatizuar të përpunimit të të dhënave, Asycuda World, i cili përmirëson jo vetëm punën e administratës doganore shqiptare, por sjell gjithashtu edhe lehtësi të procedurave doganore dhe nxitje për biznesin e sektorin privat. Sistemi është në gjendje të bëjë përpunimin automatik të deklaratave doganore, duke filluar nga hedhja e të dhënave dhe regjistrimi drejtpërsëdrejti në sistem nga vetë deklaruesi, duke vazhduar më tej me analizën e riskut, llogaritjen dhe vlerësimin e detyrimeve e duke përfunduar me kontabilizimin dhe pagesën e të gjitha detyrimeve doganore.
Nga pikëpamja procedurale, Kodi i ri Doganor parashikon gjithashtu ndryshime për rregullat për magazinimin e përkohshëm, duke përfshirë edhe zgjatjen e periudhës së magazinimit deri në 90 ditë dhe mundësinë për të lëvizur mallrat nën magazinimin e përkohshëm pa procedura transiti.
Kosova mohon ndryshimin e valutës euro
Banka Qendrore e Republikës se Kosovës nuk është duke u përgatitur për ndërrimin e valutës euro. Kështu sqarojnë për Radion Evropa e Lirë, zyrtarë të departamentit për marrëdhënie më jashtë në BQK.
“Lidhur me çështjen e valutës, dëshirojmë të sqarojmë opinionin se nuk bëhet fjalë për ndonjë përgatitje për ndërrimin e valutës. Lajmet e plasuara ditëve të fundit janë një keqkuptim i fjalës së guvernatorit në tryezën e samitit në Budvë me temën: “E ardhmja financiare e rajonit”, ku në kuadër të Panelit të Guvernatorëve, Guvernatori Bedri Hamza, ka mbajtur një fjalim lidhur më gjendjen dhe sfidat e sistemit financiar në Kosovë”, kanë thënë në një përgjigje përmes postës elektronike zyrtarë të BQK-së.
“E vërteta qëndron se Kosova do të vazhdojë së shfrytëzuari valutën euro si valutë zyrtare dhe nuk ka ndonjë plan e as nevojë për paraqitjen e një valute vendore”, thotë BQK dhe shton se “kjo zgjidhje i ka ofruar vendit një valutë stabile dhe me besim të lartë te qytetarët, gjë e cila ka siguruar stabilitet të lartë monetar e financiar”.




