Edhe Kosova me monedhën e vet?

Ervin Kaduku

bqk –   Do të quhej “dardan”, planin e “dekonspiron” guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Bedri Hamza

Kosovarët shumë shpejt do të mund të blejnë bukë me “dardan”. Mund të ketë edhe emër tjetër, por e sigurtë është se Kosova po bëhet gati që të nxjerrë në treg valutën e vet. Dardani është përmendur edhe më herët si mundësi e zëvendësimit të valutës së huazuar, euro. Këtë e ka konfirmuar Bedri Hamza, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, i cili ka thënë se Kosova është duke e konsideruar mundësinë e futjes në treg të një valute të vetën. Hamza e bëri të ditur këtë gjatë samitit të ministrave të Financave dhe guvernatorëve të bankave qendrore të vendeve të rajonit, i cili u mbajt në Mal të Zi nga data 12 deri më 14 qershor 2014, organizuar nga revista “NIN”.

Njohës të ekonomisë e shohin si domosdoshmëri për vendin zhvillimin e politikave monetare, instrumenti më efikas për ndërtimin e mekanizmave për funksionimin e ekonomisë. Mirëpo, tërheqin vërejtjen për stabilitetin e valutës. Përveç kësaj adaptimi i një valute unike të Kosovës apo përdorimi i ndonjë valute të vendeve të rajonit, siç mund të jetë ajo e Shqipërisë, për një pjesë të ekonomistëve duket i pamundur për momentin.

Eksperti i ekonomisë Muhamet Mustafa tha për gazetën “Bota sot” se kjo përpjekje është mjaft serioze, pasi ka disa përparësi me këtë valutë, por ka edhe risqe shumë më të mëdha. “Kjo është një çështje mjaft serioze, që do studim dhe diskutim. Ka disa përparësi nëse Kosova do të kishte valutën e vet, pasi do të mund të bënte një politikë të caktuar monetare në favor të zhvillimit dhe ndikimit në normën e interesit. Megjithatë, risqet janë shumë më të mëdha e ato në rend të parë lidhen me daljen jashtë kontrollit të emetimit të parasë që do të nxiste inflacionin dhe prodhonte një mosstabilitet makroekonomik shumë të dëmshëm për procesit zhvillimore, investuese dhe sociale”, – thotë profesor Muhamet Mustafa.

Profesori thekson se është pak e çuditshme se si ndodh këto ditë dhe se jemi mësuar me euron pasi po integrohemi në Bashkimin Evropian.

“Po më duket pak e çuditshme se si kjo bëhet aktuale këto ditë. Ne jemi mësuar me euron si valutë, jemi duke shkuar kah integrimi në Bashkimin Evropian dhe euroja mbetet perspektiva që e synojmë”, – vlerëson ai.

“Kalimi në një valutë nacionale tash dhe pas një dekade përsëri në euro prodhon shpenzime dhe përpjekje të panevojshme e kosto që i tejkalojnë përfitimet eventuale e kur kemi parasysh risqet që i përmenda, tash për tash mendoj se nuk ia vlen. Pastaj një nga përparësitë që përmendim për investitorët e jashtëm është pikërisht valuta euro”, – thotë Muhamet Mustafa.

Share it :