Florenc Drizari
Zyrtarët nuk mund të mbajnë dhe të deklarojnë gjendje në cash mbi vlerën 1.5 milionë lekë
Hyjnë në fuqi rregullat e reja si dhe urdhri i ILDKP-së për miratimin e formularëve të deklarimit të interesave private. Një ditë më parë u bë zyrtar miratimi i formularëve sipas llojeve të deklarimit të interesave private, të përcaktuara në nenet 5/1, 7, 7/1 dhe 9, të ligjit nr. 9049, datë 7.4.2005, të ndryshuar, duke përcaktuar edhe katër tipat si: Deklaratë e interesave private para fillimit të detyrës, deklaratë e interesave private periodik vjetor, deklaratë e interesave private pas largimit nga funksioni.
Detyrimin për plotësimin e formularëve e kanë të gjithë zyrtarët që preken nga detyrimi për të bërë publike pasuritë e tyre. Deklarata e interesave private para fillimit të detyrës plotësohet nga zyrtari që fillon punë në një nga funksionet që mbart detyrimin për deklarimin e interesave private të tij, të bashkëshortit/es, bashkëjetuesit/es, në bazë të ligjit “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, me ndryshimet e paraqitura së fundmi më datë 20.4.2014.
Në bazë të udhëzimit autorizohet Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe personat përgjegjës, inspektori i përgjithshëm i ILDKP-së, që të verifikojë në të gjitha subjektet private e publike, brenda dhe jashtë vendit, pasuritë, interesat private dhe detyrimet financiare, që ekzistojnë në emër dhe për llogarinë e zyrtarëve.
Pasi plotësohet një formular i gjatë me të dhënat personale, përshkrimi i pasurisë në vlerë -shifra e fjalë, përshkrimi i krijimit të të ardhurave, përshkrimi i detyrimeve financiare, lloji i interesave private, koha e krijimit dhe lidhjet e tjera, deklaruesi nënshkruan në çdo faqe të formularit me emrin dhe firmën e tij, më pas dosja i kalohet inspektoratit të përgjithshëm ku bëhen edhe verifikimet e tjera.
Për sa i përket burimit të krijimit të pasurisë, duhet të në formular të përshkruhen hollësisht lloji, sipërfaqja, adresa ku ndodhen, vitet e krijimit, vlerën në lekë apo në valutë që pasqyrohen në dokumentacionin që disponohet, çmimi i blerjes, shuma e shpenzuar, si dhe burimet e çdo lloj pasurie tjetër të regjistruar apo jo në regjistrat publikë.
Me autorizimin e dalë nga kreu i ILDKP-së, lejohet edhe verifikimi i pasurisë për familjarët e zyrtarit si bashkëshortja, fëmijët në moshë madhore dhe bashkëjetuesit. Sipas ligjit për kontrollin dhe deklarimin e pasurive, personat që preken nga ky ligj, nuk mund të mbajnë dhe të deklarojnë gjendje në cash mbi vlerën 1.5 milionë lekë. Në mos plotësimi të formularit, apo deklarime të rreme, për zyrtarët parashikohen gjoba. Pak ditë më parë ILDKP gjobiti me masën 50 mijë lekë 117 zyrtarë.
Më herët për ligjin e ri të kontrollit dhe deklarimit të pasurive pati debate të forta mes mazhorancës dhe opozitës, përfshirë këtu edhe kreun e shtetit që e kthehu për rishqyrtim draftin e qeverisë.
Deputetët socialist në Komisionin e Ligjeve kanë argumentuar se shpjegimet e Presidentit janë të pabazuara. “Presidenti i Republikës nuk mund të ushtrojë kompetenca të tjera përveç atyre që i njihen shprehimisht me Kushtetutë. Presidenti kur thotë që përzgjedhja e inspektorit të Përgjithshëm vetëm nga Kuvendi mund ta politizojë atë, çfarë duhet të themi ne për Presidentin e Republikës kur ai zgjidhet nga Kuvendi, madje zgjidhet me 71 vota, atëherë Presidenti vetë pranon që është i politizuar?!”, – ka thënë më parë relatorja e këtij projektligji, Vasilika Hysi në Komisionin e Ligjeve.
Ndërsa në emër të opozitës, nënkryetari i këtij komisioni Oerd Bylykbashi, ka theksuar se mazhoranca synon të kapë institucionet. “Nëse kjo mazhorancë nuk i thërret mendjes, nuk i jep kohë vetes të marrë në shqyrtim të gjitha shqetësimet që ngre Presidenti i Republikës dhe nëse ne nuk i japim mundësinë një institucioni të tillë të bëjë punën e pavarur, por të jetë e kontrolluar nga mazhoranca, nuk kemi përpara zgjidhje tjetër përveç kapjes së shtetit me qëllimin që në mënyrë afatgjatë të ketë mundësinë të mbrojë veten nga të gjitha mundësitë e kontrollit për aferat e saj korruptive”, – ka thënë deputeti i opozitës.
Qëndrimi i Presidentit
Shënim: Ky ligj është kthyer për rishqyrtim në Kuvend nga Presidenti i Republikës me dekretin nr. 8566, datë 16.5.2014 “Për kthimin e ligjit nr. 45/2014 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9049, datë 10.4.2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar.
Deklaratat e Kadelit, Meta: Të nxituara, largimi nga festa e PS-së, për shkak të Kampionatit Botëror
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, njëkohësisht edhe kreu i LSI-së, gjatë një prononcimi që bëri dje për mediat rrëzoi çdo dyshim lidhur me kërkesën e mundshme ndaj qeverisë për të shkarkuar një prej ministrave për shkak të punës së dobët. Dy ditë më parë ishte deputeti i LSI-së, Gjovalin Kadeli, i cili theksoi se 12 firma të deputetëve të kësaj partie pritet ti drejtohen Kryeministrit Rama për të shkarkuar një prej ministrave të kabinetit qeverisës për shkak të punës së dobët, ndërkohë që një ditë pas tij, ishte dhe nënkryetari i LSI-së, Ylli Manjani, i cili e quajti deklaratën e deputetit si personale. Ndërkaq, një ditë më parë kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, theksoi se deklarata e Kadelit ishte e nxituar dhe se çdo nismë e tillë nuk rrezikon koalicionin qeverisës me Partinë Socialiste.
“Çdo deklaratë e nxituar dhe personale mendoj që nuk ndihmon cilindo që nxitohet. Sa u takon marrëdhënieve PS-LSI ato janë tepër solide dhe janë marrëdhënie të cilat do t’i shërbejnë forcimit të mëtejshëm të qeverisjes së vendit, duke u sjellë gjithnjë me përgjegjshmëri dhe luajalitet, jo vetëm reciprok, por në radhë të parë ndaj qytetarëve dhe votuesve tanë”, – deklaroi Meta.
Lidhur me largimin e tij nga ceremonia zyrtare e 23-vjetorit të themelimit të PS-së, pa folur Kryeministri Edi Rama, Meta e shpjegoi si një mosrakordim oraresh, për shkak të ndeshjeve të Kampionatit Botëror të futbollit Brazil 2014.
“Atëherë në rast se doni një përgjigje fare të sinqertë kjo ka të bëjë me ngatërrimin e orarit të ceremonisë së Kampionatit Botëror të futbollit. Mendoj se ka qenë më se e mjaftueshme për të marrë pjesë në festën e Partisë Socialiste pas një dite tejet të zgjatur në Kuvend, të debateve pa fund për t’i uruar të gjithë socialistët për këtë festë mjaft të rëndësishme edhe kuptimplotë. Thjesht ka qenë një keqkuptim oraresh. Nëse do ta dija se ndeshja do të fillonte më vonë, patjetër që do të kisha qëndruar edhe më shumë, sepse ishte kënaqësi. Lozte Kroacia dhe nuk është ndonjë sekret që t’iu them se kur luajnë ekipet e Ballkanit unë jam me ato”, – deklaroi Meta.





