Konferenca kundër trafikimit të qenieve njerëzore/ Rama: Drejtësia në Shqipëri si Lazarati

Florenc Drizari

PS-kryesi“Viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore, do t’u vijë në ndihmë Linja Telefonike Kombëtare pa pagesë 116 006 dhe aplikacioni “Raporto! Shpëto”

Kryeministri Edi Rama kritikoi ashpër sistemin e drejtësisë në Shqipëri, gjykatat dhe prokurorinë, lidhur me mungesën e dhënies së drejtësisë. Në konferencën e djeshme për viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore, Rama foli pa doreza ndaj “drejtesisë”, duke e krahasuar këtë sistem me Lazaratin. Kryeministri i quajti bashkëfajtor në krime ata gjyqtarë dhe prokurorë që kanë ndihmuar persona të lidhur me krimin nëpërmjet mosdhënies së drejtësisë, apo uljes së dënimeve, duke premtuar njëkohësisht një angazhim të plotë të ekzekutivit për t’i shkuar deri në fund reformës në drejtësi dhe largimit të personave të korruptuar.

 

Lazarati dhe drejtësia

“Jam shumë i bindur se kanë të drejtë të gjithë ata që kërkojnë të vendoset rregulli, kudo, në çdo metër katror të territorit të vendit, se s’mund të ketë metër katror të territorit të vendit që të jetë jashtë ligjshmërisë në Shqipëri dhe këtu kam parasysh edhe Lazaratin. Por ka një Lazarat tjetër, shumë më të shtrirë në të gjithë territorin, me një pandëshkueshmëri që ia ka garantuar vetes dhe ky është Sistemi ynë i Drejtësisë. Ky është Lazarati real dhe Lazarati më i rrezikshëm, që kërcënon çdo ditë ekonominë, shoqërinë dhe jetën e njerëzve tanë”,-deklaroi Rama.

Më herët Rama kritikoi sistemin e drejtësisë, duke thënë se nuk ka qenë në pritshmërinë duhur dhe se nuk ka ecur paralal me zhvillimet e tjera në vend. Nëse ka diçka që ende nuk po jep asnjë shenjë bindëse se po ndryshon, tha Rama, ajo është drejtësia. “Jemi të gjithë të vetëdijshëm për këtë. Janë edhe më të vetëdijshëm se ne, nganjëherë, miqtë e partnerët tanë. Nuk ka asnjë shans që ne t’i lëmë Shqipërisë së gjeneratës tjetër, një vend më të denjë, nëse nuk i lëmë edhe një sistem drejtësie të denjë për një vend që është në mes të Europës dhe që synon të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, me të drejta të plota”,-deklaroi Kryeministri. Gjithashtu Rama në konferencën e djeshme falënderoi partnerët evropianë dhe ato të SHBA-së, për kontributin dhe mbështetjen e tyre që kanë dhënë në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore me projekte të ndryshme si, financime të ndryshme, trajnime apo mjete logjistike.

Pas konferencës së djeshme ku morën pjesë përfaqësues të qeverisë, ambasadori i SHBA-ve Aleksandër Arvizu etj. Viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore, do t’u vijë në ndihmë Linja Telefonike Kombëtare pa pagesë 116 006 dhe aplikacioni “Raporto! Shpëto”, një risi teknologjike e krijuar enkas për denoncimin e shpejtë dhe në kohë të rasteve të trafikimit.

Në një Konferencë të posaçme ku merrte pjesë edhe Kryeministri Rama u prezantua një ditë më parë iniciativa më e re e ministrisë së Brendshme në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Ky aplikacion, që sipas qeverisë shënon një zhvillim që bashkon Shqipërinë me vende të tjera shumë të përparuara, është një vënie e teknologjisë në funksion të identifikimit, referimit dhe asistimit të shpejtë të viktimave të trafikimit.

 

Mbledhje e grupt të PS-së me dyer të mbyllura/ Rama deputetëve: Jo të gjithë në listat e 2017-ës

Mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste u zhvillua me dyer të mbyllura për median, ndërkohë që mësohet se Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht edhe kreu i PS-së, bashkë me kryetarin e Grupit parlamentar Gramoz Ruçin, ti ketë tërhequr vërejtje deputetëve lidhur me performancën dhe mungesën në komisionet paërlamentare. Mësohet se kreu i PS-së i është drejtuar deputetëve se disa prej tyre e marrin rrogën kot pa dhënë ndonjë kontribut konkret, duke e lidhur ketë me pasivitetin në seancat plenare dhe debatet në komisionet parlamentare, përfshirë këtu edhe iniciativat për amendamente e propozime. Ndërkaq, nga burime brenda PS-së, mësohet se Rama ka qenë i prerë kur ka thenë se mungesa e të qenit aktiv për deputetët në jetën politike të vendit, do ti penalizojë ata për të qënë sërish në krye të listës në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. Një qëndrim i tillë mbahet nga kreu i PS-së rreth një vit kur kjo forcë politike doli si subjekti i parë me rezultatin më të lartë në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Po ashtu nga kjo mbledhje është theksuar se do të monitorohet puna dhe lëvizjet e çdo deputeti lidhur me veprimtarinë e tij politike. Më herët në mbledhjet e kaluara, Rama i ka tërhequr vërejtje si deputetëve ashtu edhe ministrave, lidhur me mungesën në komisione parlamentere dhe mbrojtjen e projektligjeve përballë opozitës.

 

 

 

Share it :