Gëzim Saliu
Nga debatet e zjarrta për punësimin e militantëve socialistë në administratë tek “zemërthyerit” e kupolës socialiste e kritikat pa ndëprerje të “lojës politike” të Ben Blushit
Në përvjetorin e 23-të të Partisë Socialiste të festuar pak ditë më parë, nuk mungonin buzëqëshjet dhe notat e humorit mes kupolës drejtuese të PS-së, deputetëve, krerëve ne rrethe e më gjerë anëtarëve të asamblesë kombëtare. Ndoshta ishte dita për të lënë mënjanë atë çka në këto muaj është cilësuar në selinë e purpurt si një ndër problematikat më të mëdha mes bazave në rrethe dhe qendrës në Tiranë, punësimi i militantëve. Po ashtu edhe problemet me emërimet në rrethe, ku socialistët kanë shprehur pakënaqësi për vlerësime sipas tyre të njerëzve pa kontribute në PS, nuk mund të ishin pjesë e kësaj nate festive për partinë më të madhe politike në vend. Ndërkaq, nuk ishte as koha dhe as vendi për të folur “ata”, të mërziturit e “fshehur” në PS, të cilët edhe pse jo të zhurmshëm, shpesheherë me deklarimet e tyre sporadike në diskutimet në komisionet parlamentare apo edhe në mbledhjet e gurpit parlamentar socialist, shprehin ide dhe qëndrime kritike ndaj atyre që cilësohen vendime apo nisma të orientuara gabim nga pjesa rozë e qeverisë “Rama”. Por ama me fjalimin e kryeminstrit Rama dhe trokitjet e gotave të urimit, festa e përvjetorit të 23-të shënoi fundin dhe në PS nisi të “vlojë” sërish tenxherja, që duket se presionin e ka të lartë.
Punësimi i militantëve
Nën presionin e vazhdueshëm të militantëve socialistë, të cilët dynden çdo të hënë në selinë e PS-së, nisur nga fakti se është e vetmja ditë kur ata kanë mundësi të kontaktojnë me kryeministrin Rama, ministrat apo edhe me deputetët, forca më e madhe në pushtet po has vështirësi të mëdha në menaxhimin e kësaj situate. Nga ana e tij kryeministri dhe njëkohësisht kreu socialist Edi Rama ka bërë të ditur se cdo gjë që lidhet me punësimin e militantëve duhet të zgjidhet me dialog mes këtyre të fundit dhe deputetëve, por duke vënë kusht që mos ketë asnjë punësim të tillë në tatime, dogana apo arsim. Po ashtu në bazë të vendimit të marrë në bazë të ligjit të nëpunësit civil dhe akteve nënligjore të shumë debatuara për të, qeveria ka ngrirë deri në korrik të gjitha emërimet dhe lëvizjet në administratë, gjë kjo që ka sjellë pakqënaqësi të mëdha tek socialistët, të cilët në këmbim të votave të tyre kanë pritur shpërblime me një vend pune. Për të “shuar” sadopak këto pakënaqësi në rritje, kryesocialisti ka kërkuar nga ligjvënësit e PS-së që të mundohen në maksimum për sistemimin e militantëve pranë bizneseve private, pasi sipas kreut të qeverisë në postet kyçe në administratë s’mund të ketë emërime jo profesionale. Në këtë kontekst, nuk mund të thuhet se mënyra se si po e menaxhon Rama situatën është jo e drejtë, por nga ana tjetër, nuk mungon edhe akuza e “drejtë” e atyre që kanë kontribuar për fitoren e PS-së. Ndërkohë, megjithëse kanë më shumë se 9 muaj që presin, militantët socialistë duket se kanë kthyer tashmë të githë sytë nga korriku, kur pritet të nisin sërish emërimet dhe një sërë lëvizjesh në administratën publike. Përpos këtij problemi, nuk kanë munguar edhe kritikat dhe kundërshtitë e socialistëve në rrethet e ndryshme të vendit ndaj emërimeve në postet kryesore. Në disa raste publikisht, si debati i fundit në Fier, por më së shumti në mbledhjet me dyer të mbyllura me krerët e degës, ata kanë pohuar se në këto poste janë vendosur në krye njerëz që nuk kanë asnjë kontribut në Partinë Socialiste. Sipas një pjese të socialistëve në rrethe, mbështetësit e PS-së prej vitesh, jo vetëm që nuk janë shpërblyer me poste, por edhe se zëri i tyre as nuk është marrë parasysh nga selia qëndrore në Tiranë.
Qejfmbeturit e “fshehur” në PS
Edhe pse në Partinë Socialiste është mohuar publikisht ekzistenca e një kundërshtie mes atyre që janë përzgjedhur nga kryeministri Rama në qeveri dhe deputetëve të cilësuar si “senator” në PS, shpesheherë janë këta të fundit që e shprehin qëndrimin kritik përmes debateve në grup si edhe në diskutimet në Komisonet Parlamentare apo edhe në seancë plenare. Deputetë të tillë si Bashkim Fino, Arta Dade, Fatmir Xhafaj, Ben Blushi jo në pak raste janë përballur me ministrat apo vendime të ndryshme të qeverisë, duke shprehur qëndrimin e tyre personal edhe pse kundër grupit politik ku ata bëjnë pjesë. Mjafton të kujtojmë rastin e fundit në seancën parlamentare ku ndërhyrjet e ministres Kosdheli apo edhe deputetëve nga rradhët e PS-së ëpr disa ndryshime të ligjit për karrierën ushtarake solli reagimin e deputeti socialist Xhafaj i cili theksoi se as qeveria e as deputetët nuk mund të kërkojnë ndryshime në projektligjin në fjalë pa i paraqitur ato me shkrim më pare. Po Xhafaj vetëm pak kohë më parë zhvilloi një debat të fortë në Komisionin e Ligjeve me kreun e ALUIZNI-t Artan Lame lidhur me procesin e Legalizimeve. Në të njejtën linjë me Xhafaj është edhe deputeti Bashkik Fino, i cili nuk ka nguruar të shprehë në Komisionin e Ligjeve qëndrime të kundërta me ato të qeverisë, si në rastin e projketligjit për AKKP-në e legalizimet apo edhe më parë lidhur me nenin që prekte vendorët në buxhetin e qeverisë. Ndërkaq kritikat e Blushit ndaj vendimeve të qeverisë apo edhe sjelljes së ministrave janë të vazhdueshme, ku në komisionin e Jashtëm nuk janë të paktat raste kur është mbështetur edhe nga kolegia Arta Dade, sidomos për politikën e ministrisë së drejtuar nga Ditmir Bushati. Ndërkaq lidhur me kundërshtinë e mundshme mes brezave në PS-së, deputetët më të vjetër sa i përket kontribute në PS kanë theksuar se kanë mirëpritur prurjet e reja si në PS ashtu edhe në qeveri. Ndërkaq përpos deputetëve të cilësuar si senatorë në PS, nuk mungojnë pakënaqësitë edhe nga ligjvënësit e tjerë socialist, siç ishte rasti i Pjerin Ndreut, i cili akuzoi ish-deputetët e Partisë Demokratike që janë bërë pjesë e PS-së. “Shumë nga ata që ikën nga PD për te PS vitet e fundit, ta tundin këtë si kartë para syve duke të thënë: “Unë këtë e bëra për ty” dhe bërtasin e rrahin këmbët për privilegje familjaresh. Ndërsa socialistët e viteve të hershme, duhet të presin radhën pas këtyre. Jo zotërinj, keni ikur nga PD për problemet tuaja jo për të na mbështetur. Por ne kemi faj se ju përkedhelim më shumë se ata që prej 23 vitesh veç kontribuojnë pa kërkuar asnjë privilegj”, ka theksuar Ndreu.
Rasti Blushi me tre kapituj
Vetëm pak kohë më parë, avokat Spartak Ngjela do të pohonte publikisht atë që vetë protagonisti i “zhurmës” në PS nuk e ka thënë asnjëherë. “Rama rivalin kryesor Blushin ka. Falimenti i tij, do sillte si kandidat për kryeministër Blushin. Janë një grup politikanësh që janë më të aftë se Rama dhe presin me ditë falimentin e tij”, do të pohonte kreu i PLiDr-së. Debatte dhe kundërshtitë mes Ben Blushit dhe kryeministrit Rama janë të ditura që në kohën opozitarizimit, por këto kohë deputeti socialist duket se ka shtuar dozën e kriticizmit ndaj qeverisë e vetë situatës brenda PS-së. Temat e kriticizmit të Blushi nisën që nga tezat e librit të tij “ hën e Shqipërisë” ku hedh alarmin për mundësinë e turiqizimit të Shqipërisë, si pasojë e politikkëbërjes e bashkëpunimit me Erdogan, deri tek çështja e ndërhyrjes në Lazarat apo për zgjedhjet e munguara sipas tij në PS për kreun e ri.
Zgjedhjet në PS
Anëtari i kryesisë së PS-së deklaroi pak kohë më parë se Rama është pa mandat kryetari në forcën më të madhe politike në vend. “Statusi i partisë presupozon se kryesia mblidhet njëherë në muaj, asambleja njëherë në dy muaj. Dhe Zgjedhjet për partinë njëherë në katër vjet. Në fund të muajit tetor duhet të kishim zgjidhjet. Edi Rama fatkeqësisht është pa mandat.Unë i kërkoj Ramës që të zbatojë ligjin dhe statutin e partisë. Pse nuk e bën këtë, nuk mund të mos e them”. Ndaj këtyre deklaratave nuk mungoi sigurisht reagimi i kryeminstrit Rama, i cili duke u bazuar në eksperiencën e partisë laburiste angleze pohoi se,: “kam qenë unë që e kam futur sigurisht bashke me të tjerët, pas fitores time për parimin një anëtar një votë. As Neë Liberal dhe në asnjë parti tjetër, kur partia fiton zgjidhjet nuk hynë zgjedhje të brendshme për liderin e partisë që dhe në statusin tonë është Kryeministër. Por në atë moment partia kthen kokën andej nga duhet ta mbajë, nga populli”. Por Blushi në kritikën e tij për situatën në PS nuk është ndalur vetëm tek mungesa e zgjedhjeve për kryetarin, por edhe tek kolegjialiteti i socialistëve, i cili sipas tij ka humbur. “Prej gati nëntë muaj që kur kanë mbaruar zgjedhjet. PS nuk është më një parti kolegjiale dhe ky është një nga defektet e saj. Për tetë nënte muaj nuk mblidhet asnjë forum, absolutisht asnjë forum, as kryesi dhe as asamble”.
Lazarati
Një tjetër çështje për të cilën deputeti socialist ka kritikuar qeverinë e përkatësisht kryeministrin Rama është edhe ajo për fshatin e Lazaratit, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme në të. Në një takim me një grup studentësh rreth njëe muaj më pak kohë më parë, Blushi shprehu bindjen se ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri nuk ka frikë të hyjë në fshatin famëkeq të kultivimit të hashashit, porsipas tij, problemi i tij është se duhet të bindë shefin e qeverisë për këtë aksion. “Ministrin e Brendshëm unë e kam mik, e di që nuk ka frikë të hyjë në Lazarat. Absolutisht është shumë trim dhe e them sinqerisht këtë sepse e njoh. Por ka një problem. Duhet të bindë kryeministrin e vet që të hyjë në Lazarat se vetëm nuk mund të hyjë. Dhe ne tani duhet të presim derisa ministri i Brendshëm, që është shumë trim të bindë kryeministrin që të hyjë në Lazarat. Qeveria sa të bëjë debat me PD pa shkak, le të shkojë të hyjë në Lazarat dhe s’ka pse të bëjë debat. Shko në Lazarat, mbyll dyqanin dhe nuk ka më avionë që vijnë nga Italia për ta marrë”. Ndërkaq kryeministri i vendit ka theksuar se qeveria do të hyjë në Lazarat, atëherë kur ekzekutivit do të jetë e bindur që është momenti për të hyrë në këtë fshat. “Dhe qeveria do të jetë e bindur se është momenti për të hyrë në Lazarat, atëherë kur ekspertët e policisë dhe policia e shtetit të jetë e bindur se është momenti për të ndërhyrë në Lazarat”.
Rreziku turk?
Në kuadër të analizës në librin e tij të fundit, Blushi ka hedhur tezën sipas së cilës nëse Shqipëria dhe Kosova do të “marrin” nga demokracia e cënuar që po zhvillohet sot në Turqi, atëherë sipas deputetit socialist, ka rrezik për dy vendet. “Çfarë është Turqia sot? Është një vend me demokraci të cenuar, pasi që nëse Kryeministri ndalon Tëitterin dhe Youtube’in, nëse ndryshon Kushtetutën për t’i emëruar vetë gjyqtarët, për ta marrë drejtësinë në dorë, ndërkohë që ka rritur tendencën për islamizimin radikal të shoqërisë së vetë, kjo nuk është demokraci si ajo që ne presim, pra demokraci europiane. Nëse Shqipëria dhe Kosova preket nga këto në të ardhmen, gjë që nuk e përjashtoj, atëherë besoj se Shqipëria do të turqizohet më shpejt sesa do të evropianizohet”, ka deklaruar Blushi. Këto reagime të Blushit lidhen indirekt me politikën e ndjekur nga qeveria dhe kryeministri lidhur me Turqinë, duke e përcaktuar si parnter strategjik.





