De la Bej: Shqiëpria është partneri ynë në NATO dhe merr pjesë në mënyrë aktive në stabilizimin e situatës në Afganistan
Britania do të mbështesë Shqipërinë për të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Kështu bënte të ditur dje gazeta britanike “The Sunday Times”, duke iu referuar burimeve zyrtare britanike, ku theksohet se ky vendim do të diskutohet në një seancë gjatë javës së ardhshme në Bruksel. “Analistët parashikojnë se mund të ketë një dyndje njerëzish të ardhur në Britani nga Shqipëria, një vatër e krimit të organizuar dhe trafikimit të qenieve njerezorë. Megjithatë burime qeveritare konfirmojnë se Britania do ta mbështesë gjithsesi Shqipërinë në rrugën e saj për anëtarësim në BE”, thuhej në shkrim. Më tej, gazeta shkruan se kryeministri britanik David Kamerun po përballet me një revoltë të re, teksa partia konservatore në Britani po e nxit të ndryshojë mendje sa i përket mbështetjes së tij për Shqipërinë për të marrë statusi kandidat. “Konservatorët britanike druhen se diçka e tillë do sjellë mijëra shqiptarë në Britani”. Ndërkaq, Kamerun ka sugjeruar më parë se dëshiron të ndryshojë disa rregulla në Bashkimin Europian sa i përket lëvizjes së lirë të njerëzve, në mënyrë që punonjësit nga vendet e reja në BE të mos shkojnë në Britani derisa numri i të ardhurve në vendin e tyre të jetë i krahasueshëm me vendet e Evropës Perëndimore. Me theks të vecantë në atë kohë, kryeministri britanik përmendi Shqipërinë dhe Serbinë.
Ambasadori hollandez
Ndërkaq një tjetër shtet skeptik që në dhjetor të vitit të shkuar votoi kundër marrjes së statusit të vendit kandidat nga Shqipëria, pritet të hapë dritën jeshile në 23 qershor në mbledhjen e Këshillit të ministrave të Jashtëm të BE-së. Hollanda pritet të mbështesë marrjen e statusit kandidat, vendim i cili u parapri dje nga deklarata e ambasadorit të këtij shteti të akredituar në Tiranë Martin de la Bej. Duke folur në ceremoninë përkujtimore për 100-vjetorin e vrasjes së kolonel Ludovik Tomson që u mbajt në Durrës, në vendin ku dhe është ngritur përmendorja e tij, ambasadori tha se Hollanda do të jetë në krah të Shqipërisë në sfidën e saj të integrimit europian. “Jam shumë i lumtur që të them sot para jush se Shqiëpria është partneri ynë në NATO dhe merr pjesë në mënyrë aktive në stabiliziimin e situatës në Afganistan, Sikurse kolonel Tomsoni bëri 100 vjet përpara, Hollanda do të vazhdojë të qëndrojë krah Shqipërisë edhe në rrugën e saj drejt të ardhmes evropiane”, tha De la Bej. Votimi për Shqipërinë për të marrë statusin kandidat do të zhvillohet javën e ardhshme në Bruksel, ku Angli dhe Hollanda, së bashku me Gjermaninë, Danimarkën dhe Francën ishin 5 vendet që kundërshtuan në dhjetor që Shqipëria të marrë statusin. Rezultati i fundit i zgjedhjeve për Parlamentin Evropian vuri ne dyshim qëndrimin e Francës dhe Anglisë, vende ku ekstremistët dyfishuan rezultatin e tyre, por duket se Britania ka ndryshuar qëndrim. Ndërkohë qeveria shqiptare pret që kjo gjë të ndodhë edhe me Francën, ku pas takimit të kryeminsitrit Rama me Presidentin Hollande, shanset janë rritur ndjeshëm. Po ashtu edhe Gjermania, e cila ishte shprehur më parë kundër, duket se do të votjë pro marrjes së statusit nga Shqipëria, gjë kjo e nënkuptuar nga deklaratat e kancelares gjermane Merkel dhe përfaqësuesve të bundestagut gjerman. Ndërkaq sa i përket Çekisë, ku u përfol se ky shtet do të votonte kundër për shkak të mosmarrëveshjeve mes Shqipërisë dhe CEZ-it, këto reagime janë hedhur poshtë nga deklaratat e politikanëve të lartë të Pragës, të cilët kanë pohuar se kjo çështje nuk do të jetë ndikuese në vendimin e fund qershorit.
Me ish-të përndjekurit e grevës/ Nishani: Të miratohet ligji Lustracionit, figura e Hoxhës në publik, provokim i rëndë
Kreu i grevës, Hoxha: I kërkuam Presidentit ta çojë gjer në fund kazuzën e shtresës së të përndjekurve
Një përfaqësi e ish-të përndjekurve politikë, të cilët prej 19 ditësh vijojnë grevën e urisë përpara parlamentit u pritën dje në Presidencë nga kreu i shteti Bujar Nishani, i cili u solidarizua me kauzën e tyre, duke theksuar se sjellja e figurës së Enver Hoxhës është një provokim i rëndë ndaj gjithë shqiptarëve. Pasi bëri të ditur se është plotësisht dakord me kërkesat e tyre legjitime për rehabilitimin e plotë shoqëror, shpirtëror dhe ekonomik, Presidenti premtoi se do të angazhohej me forcën që i jep Kushtetuta dhe ligjet për ta bërë prezent dhe për t’u dhënë rrugëzgjidhje kërkesave e shqetësimeve të grevistëve, në zbatim edhe të Rezolutës së vitit 2006 miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, ku dënohen prerazi regjimi diktatorial dhe diktatori Hoxha. Më tej në këtë takim, kreu i shtetit tha se risjellja në publik e figurës së Hoxhës përbën një provokim ndaj shqiptarëve, rrugës euro-atlantike të Shqipërisë si dhe ndaj kujtesës historike dhe vuajtjeve së të përndjekurve politikë. “Shoqëria civile të tregohet më e përgjegjshme dhe aktive në raport me historinë dhe të ardhmen e vendit, dhe se duhen bërë përpjekje akoma më të mëdha për memorizimin e rezistencës ndaj një prej regjimeve më brutale që ka njohur historia”, theksoi Nishani. Në këtë kuadër, kreu i shteti e cilësoi si të nevojshëm, miratimin e Ligjit të Lustracionit dhe plotësimin e kërkesave të grevistëve. Ndërkaq Presidenti kërkoi nga grevistët të rishikojnë vendimin e tyre për të vazhduar grevën, për të shmangur pasoja të mëtejshme për ta dhe familjarët e tyre.
Hoxha
Pasa takimit me kreun e shtetit, kryetari i grevës së ish-të përndjekurve politikë, Fatmir Hoxha deklaroi se kishte marrë mbështetjen e Presidentit për ta çuar deri në fund kauzën e kësaj shtrese. “Ne i kërkuam Presidentit që me forcën e ligjit ta çojë gjer në fund kazuzën e kësaj shtrese, që mbart mbi kurriz, burgjet, internimet, pushkatimet dhe sot e kësaj dite që flasim, po përballet me këtë revash çnjerësor që ka ndërmarrë Edi Rama për pushimin dhe shkarkimin nga puna të fëmijëve të tyre. S’ mund të themi dot tani nëse do vazhdojmë apo jo grevën, se kemi njerëz në spital, kemi njerëz që dergjen në atë grevë fisnike dhe do të marrim vendim kur të kthehemi atje”, tha Hoxha.





