Komision i Sigurisë/ Agjencia e spiunazhit në ushtri përplas PD-PS,  debatet për komunizmin mes Nokës e Brahos

Florenc Drizari

kom_siguri_13.6.14 Noka, Brahos: Në ditën e parë të punës tënde ke dënuar me vdekje një ushtar

 Deputeti i LSI-së: Jo një, por dy, tre, katër…

 Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi mes debatesh në parim projektligjin “Për agjencinë e inteligjencës dhe sigurisë së mbrojtjes”. Nënkryetari i këtij Komisioni, Flamur Noka, riktheu akuzat ndaj mazhorancës për cenimin e kompetencave të Presidentit të Republikës. Noka tha se me ligjin e ri të qeverisë i hiqet e drejta kreut të shtetit për të zgjedhur drejtorin e ri të shërbimeve inteligjente në ushtri.

“Ky ligj është në vazhdën e strategjisë së mazhorancës për të goditur institucionin e Presidentit të Republikës, për ta zhveshur atë nga kompetencat që i jep Kushtetuta. Me këtë ligj dhe me ligjet që vijnë, praktikisht komandanti i Përgjithshëm i FA-së bëhet Kryeministri. Përfaqësuesit e ministrisë nuk na dhanë asnjë arsye të qenësishme se përse është bërë kjo përveçse një dëshirë e Kryeministrit për t’u bërë i gjithëpushtetshëm. Këtu po cenohen parimet kushtetuese, po cenohet siguria juridike dhe me këto ligj ka kthim mbrapa në demokracinë e vendit tonë”, – tha deputeti i PD-së, Noka.

Ndërsa zëvendësministri i Mbrojtjes u shpreh se ligji i ri ka ndryshuar gati me 50% nga i vjetri. Hila theksoi se ligji ekzistues ka devijime dhe pse i konsultuar me NATO-n. “Ligji i ri është fokusuar vetëm tek Forcat e Armatosura. Ai është në konsultim me shërbimet sekrete të vendeve mike”, – sqaroi Hila. Të ftuar në mbledhjen e djeshme ishin zëvendësministri i Mbrojtjes, Dritan Hila, nëndrejtori i Shërbimit Informativ të Ushtrisë, Eduart Bala, si edhe përfaqësues të tjerë nga Ministria e Mbrojtjes.

Relatori Arben Çuko tha se qëllimi i këtij projektligji është rregullimi i marrëdhënieve juridike që krijohen në Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes dhe sigurisë së mbrojtjes. Sipas z. Çuko projektligji misionin, organizimin, funksionimin detyrat dhe fushën e veprimtarisë së Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes.

“Problematikat e hasura nga boshllëqet e krijuara gjatë aplikimit të ligjit ekzistues, përfshirja e komponentëve të inteligjencës dhe sigurisë në Forcat e Armatosura dhe ushtrimi i ligjshëm i veprimtarisë së tyre, pjesëmarrja në operacione të përbashkëta me shërbime partnere të vendeve të NATO-s si edhe detyrimet dhe angazhimet e reja pas anëtarësimit të vendit tonë në aleancë, përbëjnë disa nga faktorët që diktuan rishikimin e ligjit ekzistues dhe propozimin e këtij ligji të ri”, – tha Çuko.

Ndërsa deputeti Pirro Lutaj deklaroi se ndryshimet në ligj nuk i heqin asnjë kompetencë Presidentit të Republikës dhe se pretendimet e opozitës janë të pabaza.

Ndërkaq, më herët në komision pati debate mes kryetarit të Komisionit të Sigurisë Spartak Braho dhe nënkryetarit Flamur Noka. Fillimisht ishte deputeti i opozitës i cili hodhi akuza për heqjen e kompetencave të presidentit me ligjet e fundit të ndërmarra nga qeveria, ndërsa Braho kërkoi që këto qëndrime të mos përsëriteshin sa herë që çdo ligj shtrohet për diskutim në Komisionin e Ligjeve. Mes tyre pati debate edhe për veprimtaritë e kryera gjatë periudhës së para viteve ‘90 e në vazhdim.

 

Debatet mes Brahos e Nokës në Komisionin e Sigurisë

 Noka: Z. Bala! Me sa di unë, ju jeni në postin e nëndrejtorit? Keni mbaruar shkollë për sigurimin e shtetit zoti Bala? Jeni përjashtuar dy herë në kohën e qeverisjes socialiste të mëparshme nga strukturat?

Braho: Flamur, mos u përgjigj (Balës). Ne zotin Bala e kemi njëri të nderuar, ka punuar atje edhe kur ke qenë ti ministër.
Noka: Ç’të keqe ka për një pyetje që bëra?
Braho: Ka mundësi që zotin Bala ta bëjmë drejtor.
Noka: Ore bëje ministër, unë një pyetje bëra.
Braho: Ka punuar kur ke qenë ti ministër, ka punuar edhe në kohën e diktaturës. Kur Sali Berisha bënte analizat e urinës së Enver Hoxhës ai atë punë bënte. Po lerë tani muhabete ke punuar…
Noka: Je shumë provokativ. S’ke lidhje fare me etikën. Unë bëra pyetje është përjashtuar apo jo. Ndërsa për Sali Berishën po ta kujtoj Spartak shumë mirë që në ditën e parë të punës tënde ke dënuar me vdekje një ushtar dhe ky është kapitullimi i karrierës tënde. Kështu që mos krahaso veten me atë të Sali Berishës.
Braho: Jo një, por dy, tre, katër…
Noka: I ke dënuar në emër të popullit
Braho: Po ne emër të popullit…
Noka: I ke dënuar për tradhti ndaj atdheut
Braho: Jo, jo, e ke gabim
Noka: Po ketë ke bërë pra dhe nuk mund të krahasohesh ti me Sali Berishën
Lutaj: Tek varka, tek varka…
Bushati: Unë e kam më pak provokative që të qetësohen të gjithë. Zoti kryetar a mund të kem vëmendjen tuaj? Nuk ju dha përgjigje nga zv.drejtori që është më specialiste së bashku me kolonelin, nuk iu dha përgjigje se përse duhej të ndryshohej ligji, në cilën dispozitë?
Braho: Ka kaluar koha e pyetjeve, tani jemi tek diskutimet

 

Komisioni Hetimor për serverin e Tatimeve, Bylykbashi: Mazhoranca po shmang hetimet

 Opozita akuzon mazhorancën për të tjera pengesa në ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare. Një ditë më parë në Kuvend u mblodh Këshilli i Legjislacionit për të diskutuar lidhur me ngritjen e Komisionin Hetimor për serverin e Tatimeve, ndërkohë që pak javë më parë Gjykata Kushtetuese ka vendosur ngritje e këtij komisioni. Pas mbledhjes deputeti Oerd Bylykbashi në një prononcim për mediat u shpreh se mazhoranca po bën të gjitha përpjekjet e mundshme për të vonuar ngritjen e komisionit.

“Vjedhje të miliona deklaratave nga serverët e Drejtorisë së Tatimeve, shqiptarët e kanë parë se njerëz të kryeministrit u futën në mënyrë të paligjshme tek Tatimet. Skandali ka pasoja dhe kërkojmë një hetim, për të nxjerr përgjegjësit, por dhe për t’i vënë fre kësaj arrogance që po përdor Kryeministri dhe Meta. Sot kërkuam që Këshilli i Legjislacionit të jap këshillën e nevojshme Metës për këtë vendim.

Ndaj pa humbur kohë, ky komision të ngrihet, pasi që nga shpallja e tij në Fletoren Zyrtare, Kuvendi është në vonesë. Sot u vumë përpara nga mazhoranca, si e si që ky komision të vonohet sa më shumë në ngritjen e tij. E shohim si atentat tjetër ndaj kësaj të drejte kushtetuese. Komisionet hetimore janë instrument i fuqishëm, i opozitës.

Siç ishte rasti i djeshëm, apo komisioni Hetimor për Drogën. Unë jam kryetar i këtij Këshilli Legjislativ. Ne sot, në kohën kur Shqipëria është përpara vendimeve të rëndësishme, mbikëqyrja parlamentare është e një rëndësie të jashtëzakonshme, përsëri një tentativë tjetër që cenon imazhin tonë, duke shmangur hetimet. Do kërkojmë që ky vendim, siç është sot në fuqi, të vihet në zbatim. Komisioni do ngrihet, dhe çdo tentativë që do bëjë mazhoranca për vonesa, do ndalet. Ky është një ligj i kohës së PS-së”, – u shpreh Bylykbashi.

Share it :