Brazili është dhjetëra mijëra kilometra larg shumicës së vendeve që marrin pjesën në Botëror, megjithatë kjo distancë nuk i pengon tifozët për të qenë të pranishëm në këtë eveniment madhor sportiv. Ben Oude Kamphuis është një tifoz holandez, i cili ka udhëtuar 21 mijë kilometra me kamionçinë, nga San Francisko në SHBA deri në qytetin Praia do Forte në Brazil, për të mbështetur “Tulipanët” në Botëror. Ai e nisi udhëtimin e tij më 16 janar dhe ishte i detyruar të kalonte në 12 shtete të ndryshme: në Shtetet e Bashkuara, Meksikë, Guatemalë, El Salvador, Honduras, Nikaragua, Kosta Rikë, Panama, ku mori tragetin për në Kolumbi dhe vijoi më pas në Ekuador, Peru për të mbërritur më në fund në Brazil. Automjeti i tij i quajtur “Nellie” është një “Chevrolet 235” i vitit 1955, që nuk e tradhtoi në këtë ndërmarrje të guximshme. “Kam udhëtuar 21 mijë kilometra me këtë mjet. Nuk pata asnjë problem nga San Francisko deri këtu. E nisja udhëtimin çdo mëngjes dhe kam udhëtuar nëpër male të larta, shkretëtira dhe Amazonë dhe nuk më ka lënë në rrugë. Mund të them se kam një lidhje të veçantë me këtë kamionçinë”, është shprehur Kamphuis. Oude Kamphuis, i lindur në Tuente, është 53 vjeç, ndërsa jeton në Shtetet e Bashkuara prej 28 vjetësh. Kohët e fundit ai ka punuar me fëmijët me aftësi të kufizuara, të cilët e kanë ndihmuar të pikturojnë automjetin e tij. “Katër vjet më parë kur humbën në finale me Spanjën, unë qava sërish, sepse e kisha përjetuar këtë zhgënjim edhe dy herë të tjera. Por këtë radhë besoj se do të shpallemi kampion, prandaj u thashë të afërmve të mi në San Francisko se do të nisëm me Nellien tim për në Brazil. Duhet të mendosh gjithmonë pozitivisht dhe të kesh besim. Unë besoj se ata djem do të bëjnë gjithçka për të arritur sërish në finale”, – ka vijuar holandezi.
Shnajder dhe Kajt, mbrëmje të çmendur në Brazil
Holanda po i afrohet debutimit të saj në Botërorin e Brazilit nën hijen e një skandali që është zbuluar nga shtypi brazilian. Sipas mediave sportive të vendit organizator, Uesli Shnajder, Najxhel de Jong dhe Dirk Kajt dolën për të festuar mbrëmjen e së hënës dhe u kthyen vetëm në orën 11:00 të ditës pasardhëse. Të tre këta lojtarë kishin marrë leje për të dalë, por festa e tyre duket se ka dalë jashtë kontrollit. Gjithsesi, trajneri Luis van Gal është dukur i qetë dhe nuk ka pasur asnjë “tërheqje veshi” për lojtarët. Ndeshja Spanjë-Holandë, e vlefshme për grupin B, do të luhet ditën e premte në orën 21:00.
Klose feston ditëlindjen me indianë të Brazilit
Miroslav Klose feston 36-vjetorin e lindjes dhe kombëtarja e Gjermanisë është në festë. Në përfundim të stërvitjes “Pancerat” kanë hapur dyert për publikun në Santo Andre de Bahia ku pjesëmarrës ka qenë edhe një fis i indianëve lokalë, pataksos, të cilët kanë kënduar dhe kërcyer me gjermanët. Të veshur me kostumet e tyre tradicionalë kanë bërë foto të çastit me futbollistët e Hoakim Lëv, ku më entuziasti ka qenë Lukas Podolski. Në fund fisit iu dhuruan fanellat e kombëtares gjermane.
Ronaldo, sfilatë mode në Brazil
Portugalia është kombëtarja e fundit që mbërrin në Brazil. Kristiano Ronaldo me shokë zbarkuan në aeroportin e Virakopos në Kampinas me yllin e Real Madridit shumë fashion duke tërhequr vëmendjen e të gjitha mediave botërore. Lojtari gjithmonë tërheq vëmendjen me look-un e tij dhe me siguri që edhe kësaj radhe do të sjellë risi. Gjithmonë lojtari është një kopje e mirë për moshat e reja që gjithmonë ndjekin trendin e tij. Portugalia, që do të ketë dhoma të personalizuara për secilin lojtar, ka disa ditë kohë për t’u ambientuar me klimën në Brazil, teksa më 16 qershor do të luajë ndeshjen e parë kundër Gjermanisë.





