Gëzim Saliu
“Marrja e statusit, mesazh për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe njohje e rolit konstruktiv të Shqipërisë në rajon”
Përmes një letre dërguar presidentëve të 21 shteteve si dhe Mbretëreshës Elizabeta e Dytë e Anglisë, Mbretit të Holandës, të Belgjikës, atij të Suedisë dhe Spanjës e Mbretëreshës së Danimarkës, Presidenti i vendit kërkoi mbështetje për marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria në fund të qershorit. “Shqipëria prej disa vitesh është në pritje të marrjes së statusit të vendit kandidat nga vendet anëtare të BE-së dhe rekomandimet pozitive të Komisionit Evropian përbëjnë një konfirmim autoritar se vendi im e meriton plotësisht avancimin e mëtejshëm drejt familjes evropiane. Vendimmarrja e 23 qershorit lidhur me këtë çështje do jetë një mesazh i qartë jo vetëm për të vazhduar me frymëzim të ri dhe energji të reja në rrugën e reformave më të avancuara, por mbi të gjitha për qytetarët e vendit tim, për të rinjtë dhe të rejat të cilët përfaqësojnë shumicën e popullsisë dhe përbëjnë të ardhmen evropiane të Shqipërisë”, – theksoi Nishani.
Mesazhi
Në letrën e tij, kreu i shteti theksonte se marrja e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria do të përbënte një mesazh të rëndësishëm politik për vendet e Ballkanit Perëndimor si edhe një njohje të rolit konstruktiv historik të Shqipërisë në rajon. “Aspirata evropiane ka qenë dhe mbetet aspirata më përbashkuese e popullit shqiptar, shumë herë i goditur nga fati i keq i pushtimeve dhe diktaturave nga më të egrat, por që mbijetoi dhe nisi njëzet e katër vjet më parë një histori të re, që është ajo e demokracisë dhe integrimit në familjen e madhe evropiane, të cilën e vazhdon dhe e çon përpara çdo ditë me vendosmëri të palëkundur”, – u shpreh Nishani, duke shtuar se marrja e statusit do të ishte një inkurajim dhe përgjegjësi më e lartë për institucionet shtetërore të Shqipërisë për të përparuar më tej drejt Evropës së bashkuar. Letra e kreut të shtetit i drejtohej Presidentit Gauck të Gjermanisë, Hollande të Francës, Napolitano të Italisë, Papulias të Greqisë, Berzins të Letonisë, Josipović të Kroacisë, Fischer të Austrisë, Komorowski të Polonisë, Áder të Hungarisë, Basescu të Rumanisë, Gašparovičtë Sllovakisë, Zeman të Çekisë, Ilves të Estonisë, Higgins të Irlandës, Preca të Maltës, Anastasiades të Qipros, Niinistö të Finlandës, Silva të Portugalisë, Plevneliev të Bullgarisë, Pahor të Sllovenisë, Grybauskaitė të Lituanisë, si dhe Mbretëreshës Elisabeth II të Mbretërisë së Bashkuar, Mbretit Willem-Alexander të Holandës, Mbretit Phillippe të Belgjikës, Mbretëreshës Margrethe II të Danimarkës, Mbretit Carl XVI Gustaf të Suedisë, Mbretit të Spanjës Juan Carlos I dhe Dukës së Madh Henri të Luksemburgut.
“Europian Voice” për statusin/ KE kërkon “po”-në e liderëve të BE-së. Vendimi, test për politikën e jashtme evropiane
Statusi i vendit kandidat për Shqipërinë është testi i parë për politikën e jashtme të Bashkimit Evropian, lidhur me impaktin që do të ketë konfigurimi i ri i Parlamentit Evropian në politikat e zgjerimit, gjë kjo që do të shihet në samitin e datave 26-27 qershor. Kështu analizon në një artikull të saj “European Voice”, në të cilin theksoi se Komisioni Evropian po lobon fort që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat, duke kërkuar nga liderët e shteteve anëtare të votojnë pro statusit kandidat. Artikulli thekson se shumë prej vendeve që në muajin dhjetor hodhën poshtë kërkesën e Komisionit Evropian për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, tashmë kanë ndryshuar qëndrim. Këtu citohet Kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila tha se elementët e progresit të Shqipërisë janë të dukshëm. Holanda gjithashtu ka lehtësuar qëndrimin e saj, teksa aktualisht, Shqipëria po ballafaqohet me qëndrimin hezitues të Francës. Por fuqizimi i euroskeptikëve në Parlamentin Evropian, sipas “European Voice”, do t’i bëjë qeveritë evropiane më të rezervuara në veprimet e tyre. Artikulli citon fjalët e Kryeministrit britanik David Cameron, i cili u tha gazetarëve se Britania nuk është në favor të statusit kandidat për shtetet e Ballkanit, megjithëse ishte mbështetëse e zjarrtë e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Serbisë në BE. Megjithatë, Cameron kërkoi në veçanti konsolidimin e tregut të punës në këto dy vende, në mënyrë që pas anëtarësimit, të mos ketë një dyndje nga këto vende drejt vendeve të tjera të Bashkimit Evropian.
Intervista për “RFI” në Francë/ Kryeministri: Bëmë gjithçka duhej, me Evropën e sotme asgjë s’është e parashikuar
Mungojnë reformat dhe vullneti në BE për të realizuar SHBE-në, Evropa, jo peng i takticizmit
Në një intervistë për tv “RFI” në Francë, Kryeministri Edi Rama është shprehur për çështjen e statusit, vizitën me Hollande, premtimet që presidenti francez i bëri kreut të qeverisë shqiptare.
Janë shefat e qeverive të Bashkimit Evropian që do të vendosin për statusin e vendit kandidat në mbledhjen e fundit të muajit që do të mbahet në datat 26 dhe 27 qershor, a mendoni, dhe a keni arsye për të shpresuar që kjo herë e katërt e kërkesës do të jetë e pranuar?
Me Evropën e ditëve të sotme asgjë nuk është tërësisht e parashikuar, po unë jam optimist sepse ne kemi bërë gjithçka që duhej bërë, ne e kërkuam statusin edhe në dhjetor, por siç ju e përmendët Këshilli tha se ishte shumë herët, ndoshta sepse në atë kohë qeveria kishte vetëm tre muaj që kishte ardhur në pushtet. Edhe pse në atë kohë e theksuan që puna e bërë ishte mbresëlënëse, sërish konkluduan se kishin nevojë për kohë, kështu u kërkua Komisionit që të ndiqte sërish punën dhe të paraqiste një raport tjetër në muajin qershor, për të afirmuar, ose jo, vijueshmërinë e punës së bërë, veçanërisht kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Dhe Komisioni e nxori raportin, para pak ditësh, është shumë pozitiv, dhe për më tepër arsyeja që nuk u tha, ishin zgjedhjet evropiane, ishin për t’u mbajtur. Tani që zgjedhjet evropiane përfunduan, shpresoj shumë që do të shërbejnë dhe do të shtyjnë fort, për më shumë Evropë dhe jo, më pak Evropë.
Partitë antievropiane, kanë arritur të marrin shumë pikë në zgjedhjet evropiane në shumë vende evropiane si p.sh. në Francë, në Britaninë e Madhe, në Danimarkë, ne dimë që zgjerimi, ritmi shumë i shpejtë i zgjerimit në vitet e fundit ka kontribuar në këtë shmangie, në këtë eurofobi. A mendoni se për rrjedhim kjo mund të jetë një fren për hyrjen e Shqipërisë në Evropë?
Nuk është ritmi i zgjerimit që është shumë i shpejtë, por është mungesa e më shumë reformave në Bashkim, është mungesa e më shumë vullneti dhe kuraje për të arritur drejt realizimit të vizionit të baballarëve themelues, drejt Shteteve të Bashkuara të Evropës. Duhet një Evropë më politike dhe jo një Evropë që është peng i takticizmit të lidhur me zgjedhjet e shumta në vend të ndryshme.
Ju keni takuar dje Presidentin e Republikës, François Hollande, a besoni se e keni mbështetjen e tij, sepse Franca në të shkuarën ka qenë kundër hyrjes së Shqipërisë në Bashkimin Evropian?
S’do të thosha që ka qenë kundër, por me një mbështetje të vetëdijshme. Jam shumë i gëzuar për mënyrën sesi Presidenti na mirëpriti, dhe sa i kujdesshëm ishte në gjithë ato që kishim për të thënë, dhe sesi ai është i shqetësuar për të ardhmen e rajonit, rajonit ballkanik, ku 100 vjet më parë Lufta e parë Botërore filloi, dhe 100 vjet më pas, në 2014, jetojmë vitin e parë të paqes, pa luftë, pa asnjë konflikt sepse kemi të gjithë vendosur të bashkohemi drejt Evropës. Dhe Evropa, është ideali i Evropës, është objektivi i Evropës që na bëri të gjithëve të mbyllnim një kapitull të dhimbshëm konfliktesh dhe luftërash vëllavrasëse dhe të hapim një kapitull të ri bashkëpunimi rajonal. Dhe Presidenti është shumë, shumë i kujdesshëm për këtë fakt.
Nuk mund të shpërfillim ndikimin e Rusisë dhe Vladimir Putin, që janë armiqësorë ndaj idesë së përfshirjes së një ish-sateliti të tyre (Ukraina) në Bashkimin Evropian?
Unë do të thosha se nëse do të kishim një Evropë të ndryshme, atëherë do të kishim edhe një Rusi që do të sillej në mënyrë të ndryshme, pa dyshim.





