INSTAT/ Në 3 muaj rritet me 2.7% papunësia, të rinjtë kategoria më e prekur

papunesiaNë Shqipëri 201 mijë të papunë. Numri i të punësuarve pësoi rënie në ndërtim dhe në sektorin e shërbimeve të tregut

 Nëse shkalla e papunësisë në vitin 2013 ishte 15.6, në tre muajt e parë të 2014-ës, papunësia është rritur me shifra të frikshme. Sipas anketës të INSTAT-it për 3 muajt e parë të vitit papunësia kap shifrën e 18.3%. Një rritje e ndjeshme për një periudhë shumë të shkurtër. “Në tremujorin e parë të 2014-s në Shqipëri, shkalla e papunësisë për popullsinë 15-64 vjeç është 18,3%. Numri i të papunëve të moshës 15-64 vjeç janë 201.770 persona. Për këtë grupmoshë, shkalla e papunësisë është më e lartë për meshkujt sesa për femrat, përkatësisht 19,6% dhe 16,4%. Ndërsa shkalla e papunësisë afatgjatë është 11,8%. Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2013, vihet re një rritje e shkallës së papunësisë si për meshkujt ashtu dhe për femrat e moshës 15-64 vjeç me përkatësisht 0,8 dhe 1,9 pikë përqindje. Për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç shkalla e papunësisë është 31,3%. Krahasuar me tremujorin pararendës, shkalla e papunësisë për të rinjtë u rrit me 3,2 pikë përqindje. Për popullsinë 30-64 vjeç në tremujorin e parë 2014 shkalla e papunësisë është 14,6% dhe shkalla e papunësisë afatgjatë është 9,9%”, – thuhet në anketën e forcave të punës të INSTAT-it.

 

Sektorët me rënie

Gjatë tremujorit të parë 2014 pati rritje të numrit të të punësuarve në sektorët e industrisë nxjerrëse, energjisë dhe ujit, dhe në industrinë përpunuese. Ndërsa numri i të punësuarve pësoi rënie në ndërtim dhe në sektorin e shërbimeve të tregut. Gjatë tremujorit të parë 2014, pesha që zinin në punësimin total të punësuarit me pagë ishte 40,7%. Në grupin e të punësuarve kundrejt një page 57,7% e të punësuarve janë meshkuj kundrejt 42,3% që janë femra. Të vetëpunësuarit (punëdhënës ose të vetëpunësuar pa të punësuar të tjerë me pagë) përbënin 25,5% të të punësuarve në tërësi, ndërsa punëtorët pa pagesë të familjes përbënin 33,9% të punësimit total.

 

Të dhënat

Në tremujorin e parë të vitit 2014, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për popullsinë 15-64 vjeç është 58,6%. Për femrat shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 48,7% dhe për meshkujt 68,8%. Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2013 shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për femrat është rritur me 1,1 pikë përqindje, ndërsa për meshkujt ka një rënie prej 1,5 pikë përqindje. Gjatë tremujorit të parë 2014, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç është 37%. Shkalla e punësimit të të rinjve është 25,4%. Shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për popullsinë 30-64 vjeç është 70,5%. Shkalla e punësimit për këtë grupmoshë është 60,2%. Gjatë tremujorit të parë 2014, sipas të dhënave të ATFP, 22,2% e të punësuarve punojnë në sektorin e shërbimeve të tregut (tregtia me shumicë dhe pakicë; riparimi i automobilave; hotelet dhe restorantet; transportet, magazinimi dhe komunikacioni; ndërmjetësimi monetar dhe financiar; pasuritë e patundshme). Punësimi në sektorin e shërbimeve jo të tregut (administrimi publik dhe i mbrojtjes; sigurimi shoqëror i detyruar; arsimi; shëndetësia dhe veprimtari të tjera sociale; aktivitete të tjera të shërbimit kolektiv; social dhe individual; shërbime në shtëpi; aktivitete të organizmave ndërkombëtare) përbën 17,6% të punësimit total. Punësimi në bujqësi përbën 43% të punësimit gjithsej ndërsa në industrinë përpunuese 8,4%.

 

Kërkimi i punës

Për sa u përket mënyrave të kërkimit për punë, 83,7% të papunëve u drejtohen të afërmve apo miqve/shokëve për të gjetur një punë. Kjo metodë e kërkimit për punë është e kombinuar dhe me aplikimin direkt tek një punëdhënës (53,4%) si dhe me vendosjen e lajmërimeve në gazeta, studimin e lajmërimeve për vende të lira pune në gazeta etj. Gjatë tremujorit të parë të vitit 2014, personat që po kërkonin punë për herë të parë përbënin 58,9% të punëkërkuesve të papunë.

 

Popullsia ekonomikisht jo-aktive

Gjatë tremujorit të parë 2014 popullsia e moshës 15-64 vjeç e klasifikuar si ekonomikisht jo-aktive përbën 41,4% të popullsisë në moshë pune. Të rinjtë e moshës 15-29 vjeç që deklaruan se janë nxënës/studentë ose në trajnim përbëjnë 62,7% të të rinjve ekonomikisht jo aktivë. Gjatë tremujorit të parë 2014, rreth 16,3% e popullsisë ekonomikisht jo aktive e moshës 15-64 vjeç është duke përmbushur detyrat shtëpiake. Gjatë tremujorit të parë 2014, sipas vlerësimeve të ATFP, 15,9% e popullsisë (15-64 vjeç) ekonomikisht jo-aktive janë të papunë të dekurajuar. Ndër të rinjtë e moshës 15-29 vjeç ekonomikisht jo aktivë, 13% klasifikohen si të papunë të dekurajuar ndërsa në popullsinë më të rritur të moshës 30-64 vjeç ky grup përbën 20% të popullsisë ekonomikisht jo aktive të kësaj grupmoshe. Nga ATFP rezulton se 10% e popullsisë ekonomikisht jo-aktive e moshës 15-64 vjeç janë në pension ndërsa pak më shumë se 6,6% janë në paaftësi të përhershme.

 

Anketa

Anketa Tremujore e Forcave të Punës (ATFP) është një vrojtim statistikor që kryhet pranë familjeve. Objektivi kryesor i saj është të japë informacion mbi situatën e tregut të punës në Shqipëri i cili përdoret për të hartuar politikat e tregut të punës dhe për vlerësimin e efektshmërisë së tyre, si dhe për të kënaqur nevojat e përdoruesve të statistikave për të dhëna të përditësuara mbi dinamikën e tregut të punës. Të punësuar janë konsideruar personat që kanë kryer një punë qoftë dhe një orë kundrejt një page ose përfitimi gjatë javës së referencës. Java e referencës është java kalendarike nga e hëna në të diel para datës së intervistës. Janë konsideruar si të punësuar edhe personat që marrin pagë për trajnimin gjatë punës, si dhe personat që kanë munguar përkohësisht në punën e tyre gjatë javës së referencës për arsye: leje

lindje, sëmundje lëndim apo paaftësi e përkohshme dhe presin të kthehen në punë, në shkollim/trajnim të lidhur direkt me punën aktuale. Janë konsideruar si të punësuar edhe të punësuarit me pagë që kanë munguar në punë për arsye të tjera nga të mësipërmet për të cilët kohëzgjatja e mungesës është tre muaj ose më pak dhe personi nuk është punëtor sezonal ose personi merr 50 për qind ose më shumë të pages. Të punësuar janë konsideruar edhe të vetëpunësuarit që kanë ndërmend të rikthehen në biznesin/fermën/praktikën profesionale. “Punëtoret pa pagesë që presin të kthehen në punë në tre muaj ose më pak. Personat të cilët punojnë në fermën e tyre të vogël, të cilët nuk shesin produktet e tyre, por prodhojnë vetëm për vetëkonsum, janë konsideruar të punësuar”, – përcakton anketa.

 

Gjatë tremujorit të parë të vitit 2014 në Shqipëri:

 

-Për popullsinë e moshës 15-64 vjeç shkalla e papunësisë është 18,3%.

– Për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç shkalla e papunësisë është 31,3%.

-58,6% e popullsisë 15-64 vjeç është aktive në tregun e punës, pra e punësuar ose në kërkim aktiv të një pune.

– Shkalla e punësimit për popullsinë e moshës 15-64 vjeç është 47,9%.

Share it :