Biletë/ Nga duhet filluar reforma universitare e vërtetë?

Artan Fuga

Artan_Fuga(Anëtar i Akademisë të Shkencave të RSH)

Ka kuptim të bëhen investime shtesë, qoftë edhe publike, nëse një sektor shërbimesh paraqitet me shumë dobi shoqërore, por pa mundësi financiare, por nuk ka pikë kuptimi financiar dhe ekonomik që të mbështetet një sektor financiar që ka normë të lartë fitimi, por s’ka rentabilitet shoqëror.

 (Shpenzimet për të qenë shpikës, fati prej të papuni)

 Le t’i lëmë fjalët pa baza, emocionale, akuzuese, le të analizojmë ftohtë gjendjen (si cinikët e lashtë): Industria e arsimimit universitar në kompleksin e vet duke qenë fitimprurëse, a është sot te ne edhe efikase për te kryer një funksion shoqëror?

Raporti efiçencë – efikasitet është baza e analizës për joamatorët.

Sa e ka pasur normën e fitimit dhe sa me rendiment social ka qenë?

Ka kuptim të bëhen investime shtesë, qoftë edhe publike, nëse një sektor paraqitet me shumë dobi shoqërore, por pa mundësi financiare, por nuk ka pikë kuptimi financiar dhe ekonomik që të mbështet një sektor financiar që ka normë të lartë fitimi, por s’ka rentabilitet shoqëror.

Do të shohim se norma e fitimit fillimisht do të ketë qenë shumë e lartë kurse rendimenti social gradualisht duke rënë. E për pasojë fatkeqësisht edhe kriza financiare që pllakos gjithë sistemin.

Është ligj i hekurt ekonomik, s’ka se çfarë i bëjnë as sociologët, as propaganduesit, as ideologët. Fatkeqësisht!!!

Prandaj tonet ngrihen. Sa më e fortë kriza, aq më shumë ka hakërrim, aq më fort dora kërkohet të futet në thesin e parasë publike.

Por, nuk është kjo rruga. Nuk jep asgjë, fatkeqësisht. Duhet me e mbledhur mendjen të gjithë sa nuk është vonë. Nuk duhen dëgjuar këshilltarët e këqij, sepse janë pikërisht këshilltarët prej të cilëve nuk duhen marrë këshilla, filozofonte Makiaveli i zgjuar.

Të zhysin ata…

Sepse disa kujtojnë se mjafton të jesh fitimprurës dhe je edhe efikas, pra i bën një shërbim shoqërisë!!! Iluzion. Madje, poqe se nuk je efikas, shumë shpejt edhe do të biesh në krizë edhe financiare.

Si një edhe një që bëjnë dy.

Për të parë se sa efikas është pra sistemi i industrisë së medias, le të analizojmë disa të dhëna që duhen mbledhur dhe me kaq historia merr fund.

Ose sistemi i sotëm industrial i arsimimit universitar është efikas dhe i dobishëm në planin shoqëror dhe atëherë ka dëshmuar se investimi financiar ia ka vlejtur, ose jo. Unë uroj që t’ia ketë vlejtur, por ka shumë dyshime.

Ja dëshmoni ju!

 

Pyetje për të matur rendimentin social dhe dobinë publike:

1. Pas dhjetë vitesh nga përfundimi i studimeve universitare, sa nga ata që nuk punojnë në fushën e diplomimit të tyre, ruajnë ende efikasitetin e dijeve në atë fushë?

2. Sa të diplomuar nga ata dhjetëra mijëra që kanë përfunduar studimet universitare janë punësuar në profesione brenda fushës të tyre dhe në statusin që u takon?

3. Ku krijohen vlerat më të rëndësishme materiale dhe të shërbimeve në shoqërinë e sotme shqiptare dhe ku janë diplomimet më të panumërta? Do të shohim se tjetërkund krijohen vlerat dhe tjetërkund diplomohen të rinjtë.

4. Për edukimin qytetar, çfarë dije dhe edukate jep dhe duhet të japë gjimnazi dhe sa shkolla e lartë në fakt jep dije të nivelit të shkollës të mesme?

5. Cilët janë studentët e diplomuar këto pesë vitet e fundit dhe sa prej tyre janë emëruar në administratën publike? A janë emëruar ata me nota më të mira?

6. Sa të diplomuar në vit dalin nga industria universitare shqiptare dhe destinohen për të punuar në arsim dhe sa vende pune në vit hap të reja sistemi arsimor shqiptar?

7. Sa para duhen paguar në industrinë e arsimimit për t’u diplomuar dhe sa është e ardhura mesatare e një të riu shqiptar pas viteve të studimeve atje ku gjen punë ose i papunë? Sa janë depozitat e kursimeve të të rinjve shqiptarë sot?

8. Sa është përqindja e të punësuarve nga të diplomuarve të pesë viteve të fundit që janë integruar sipas fushave të studimit në fushat kryesore ekonomike shqiptare, si ndërtim, energji, banka, bujqësi?

9. Sa ndihmon sistemi universitar shqiptar që të rinjtë e diplomuar në këto pesë vitet e fundit të gjejnë punë sipas kualifikimit të tyre jashtë vendit? Sa është përqindja e tyre?

10. Sa të rinj të diplomuar në këto pesë vitet e fundit dhe me çfarë përqindjeje janë angazhuar në sektorin e kërkim-zhvillimit, pra sa prodhojnë dije?

11. Sa operatorët ekonomikë shqiptarë vijnë dhe punësojnë ose rekrutojnë apo bëjnë kërkesa për rekrutim qysh në bangat e shkollës?

A nuk është një tragjizëm që shoqëria të shpenzojë për të formuar një mjek, filozof, specialist të marrëdhënieve ndërkombëtare, ekonomist, dhe të prodhojë profile që më pas janë ose të papunë në një shumicë të madhe, ose bëhen kamerierë, roje, punonjës në call center?

Këtu duhet filluar arsyetimi, duhet studiuar lidhja e madhe e shoqërisë me industrinë universitare, pastaj mund të flitet për administrimin e universiteteve dhe reformimin e tyre të domosdoshëm.

Share it :