Zyrtare, Inzagi trajneri i ri i Milanit

Ish-sulmuesi milanist tashmë është rikthyer te skuadra e parë e Milanit, por tashmë në rolin e trajnerit

inzagi Milani ka gjetur trajnerin e ri. Tashmë në krye të stolit të kuqezinjve do të drejtojë Filipo Inzagi. Dhe pas këtij lajmi konfirmohet edhe fakti se Klarens Sedorf nuk është më trajner i Milanit. Klubi ka bërë me dije nëpërmjet një njoftimi për shtyp shkarkimin e holandezit. Vendin e tij e merr Filipo Inzagi, kontrata e të cilit do të jetë 2-vjeçare, deri më 30 qershor 2016. Në të vërtetë, gjithçka ishte vendosur kohë më parë, por mungonte lamtumira zyrtare e teknikut holandez dhe emërimi në vend të tij i trajnerit të të rinjve kuqezinj. Tratativat për prishjen me konsensus të marrëveshjes nuk u mbyllën me sukses, ndaj klubi kuqezi pa si rrugën e vetme shkarkimin e Sedorfit. Inzagi tashmë ka nisur punën për të ndërtuar një grup të fortë për sezonin e ardhshëm. 40-vjeçari ka pasur disa takime kokë më kokë me presidentin Berluskoni dhe administratorin e deleguar Adriano Galiani, me të cilët ka diskutuar për merkaton. Pikërisht pak ditë më parë, Milani bëri dy goditje të rëndësishme në merkato, duke afruar sulmuesin Jeremi Menez dhe mbrojtësin Aleks nga Paris Sent Zhermeni, me parametër zero. Gjithçka duket se nisi pas një takimi që zgjati mbi 3 orë, nuk pati asnjë lajm konkret, megjithatë emri i trajnerit të ri të Milanit u mor vesh. Ishin të pranishëm presidenti Silvio Berluskoni, Adriano Galiani, Fedele Konfalonieri, si dhe i përzgjedhuri Filipo Inzagi. Në fakt, nuk mund të konsiderohet ndonjë surprizë e madhe, sepse SuperPipo, ashtu siç prisnin të gjithë, ishte përfolur më parë si zgjedhja e shoqërisë për t’i zënë vendin Klarens Sedorfit. Edhe ky një anëtar tjetër i armatës së vjetër, që nuk e bindi sa duhej presidentin Berluskoni për të vazhduar misionin e nisur pas shkarkimit të Alegrit. Kujtojmë se trajneri holandez erdhi pas largimit të Alegrit. Skuadra ishte në një situatë mjaft të vështirë dhe gjithçka duket se kishte marrë të tatëpjetën. Holandezi iu desh që të braktiste skuadrën e Botafogos ku luante dhe të shkonte drejt Milanit. Tekniku arriti të bënte disa gjëra të mira, por jo të kualifikonte Milanin për një sezon në Europa Ligë. Këtu ishte edhe pika kritike që duket se i ka prishur mendjen Berluskonit që të ndalojë kontratën midis dy palëve. Një kontratë e cila duhet thënë se ka një kosto të madhe në rast prishje. Plot 10 milionë euro dhe kjo nuk e ndihmon fare ekipin milanist. Mirëpo pavarësisht këtij fakti duket se gjithçka ka ardhur drejt zgjidhjes. Ndërkohë që mbështetjen tekniku i ri e mori pak kohë më parë dhe nga Karlo Ançeloti. Tekniku i Realit që ka fituar Ligën e Kampioneve me italianët, u shpreh se Inzagi ka të gjitha elementet e duhura për të qenë trajner i Milanit. Ndërkohë, ai shtoi se edhe përvoja te grupmoshat shërben si një plus i madh për teknikun.

 

Arda Turan nuk shkon te Barcelona

Mesfushori turk, Arda Turan, nuk është pranë transferimit të tij te gjiganti spanjoll, Barcelona. Ai është i lumtur në “Visente Kalderon”. Turku është lidhur me një kalim te Barcelona këtë verë dhe shumë klube janë shprehur të interesuara për të, teksa mediat spanjolle spekuluan se marrëveshja ka përfunduar prej 24 milionë euro. Por, agjenti i lojtarit i ka hedhur poshtë këto zëra. “Ajo që është publikuar është e pavërtetë. Barça nuk më ka kontaktuar mua për Ardan dhe lojtari është i kënaqur te Atletiko”, – theksoi agjenti Bulut.

 

 Boban kritikon yjet e Barcelonës, Mesi dhe Nejmar

Ish-lojtari i Kroacisë, Zvonimir Boban, ka kritikuar yjet e Barcelonës, Mesin dhe Nejmarin. Ai u shpreh se argjentinasi shfaqet vetëm kur luan kundër Realit, teksa thotë se ai kurrë nuk do të jetë më i miri në botë. Mesi është kritikuar në shumë ndeshje dhe është Nejmar është në qendër të kritikave pas sezonit pa trofe të Barçës para një Botërori, ku ky i fundit duhet ta udhëheqë Brazilin. “A mund ta fitojë Topin e Artë Nejmari? Si duket jo. Ai nuk është aq i mirë, jo aq i fuqishëm. Ai është talent i madh, por aktualisht është larg për të qenë top-klas i Botërorit. Nuk besoj se do të jetë sikur Ronaldo, Ibrahimoviç, Iniesta e sidomos jo sikur Mesi”, – ka thënë Boban. Ai shtoi se Mesi nuk po e jep më të mirën për Barcelonën dhe se ai po tregohet vetëm në sfidat ndaj Real Madridit ku me 30 për qind të kapaciteteve këtë sezon tregoi se sa superior është.

 

 Reali i Madridit në kërkim të Krosit

Reali i Madridit është i interesuar që ta transferojë mesfushorin e Bajernit të Mynihut, Toni Kros. Në muajt e fundit, futbollisti gjerman ka qenë shënjestër e disa klubeve dhe sidomos Junajtid, mirëpo “djajtë e kuq” nuk kanë arritur ta transferojnë. Ndërsa Luis van Gal ka thënë se nuk është i interesuar ta ketë në skuadër. Ndërkaq, është bërë e ditur se “Los Blancos” kanë filluar negociatat me agjentin e futbollistit dhe planifikojnë ta transferojnë gjatë kësaj vere. Kros ka edhe një vit kontratë me Bajernin dhe kërkon dyfishimin e rrogës aktuale për ta rinovuar kontratën. Në rast të kundërt lojtari do të largohet.

 

Marselo: Spanja e respekton Brazilin

Mbrojtësi brazilian i Realit të Madridit, Marselo, është shprehur se Spanja gjithmonë ka pasur respekt për Brazilin. Futbollisti i Realit i Madridit ishte pjesë e “Seleçaos” që e mposhti kampionin e Evropës dhe botës në Kupën e Konfederatave. “Spanjollët gjithmonë e kanë respektuar skuadrën e Brazilit. Më kujtohet pas Kupës së Konfederatave, një bisedë me Iker Kasijasin, ai më tha se kjo ishte arsyeja pse Brazili duhej respektuar gjithmonë. Unë përfaqësoj një vend, një popull. Presioni është shumë më i madh, por edhe shpërblimet, po ashtu. Është një përgjegjësi e madhe. Tifozët i qëndrojnë pranë skuadrës sonë dhe mbështetja ndihmon në momente të vështira”, – ka thënë mbrojtësi.

 

Share it :