Operacioni “Weekend” / Sekuestrohen 600 kg kanabis, arrestohet tre transportuesit

Sonila Mesareja

droga e kapur ciftit grekPolicia: Hetimi 1-mujor zbuloi drogën, u ble në Lazarat për t’u trafikuar më pas në Itali

Lumenj droge vijojnë të dalin nga Lazarati, të cilat ose arrijnë të kalojnë kufirin shqiptar, ose me raste kapen në sasi të vogla brenda territorit shqiptar. Në orët e vona të dy netëve më parë, policia e Vlorës ka kapur një sasi prej afro 600 kg kanabis sattiva, e cila dyshohet se destinacion përfundimtar kishte shtetin italian. Burime zyrtare policore bëjnë me dije se sasia e lëndës narkotike u kap në aksin rrugor Kuç – Vlorë. Falë ndërhyrjes në kohë të uniformave blu, u vunë në pranga tre transportuesit e saj, Dorian Hametaj, Viron Sadikaj dhe Besnik Bushi, banues në Kuç dhe Vlorë. Dyshimet e para flasin për drogë të siguruar në Lazarat, ndërsa si destinacion përfundimtar brigjet përtej detit, Italia.

Hetimi

Efektivët e Sektorit Kundër Narkotikëve bënë të ditur se pas hetimeve 1-mujore u krye operacioni i koduar “Weekend” që bëri të mundur që në afërsi të Kuçit të kapej dhe sekuestrohej një kamionçinë me targa AA 396 IU dhe një kamion Opel me targa VL 3743 B, brenda të cilit u gjet një sasi prej rreth 600 kg drogë, fshehur në dyshemenë e automjetit. Policia bëri  me dije se në kuadër të këtij operacioni, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i 3 personave që transportonin dhe shoqëronin lëndën narkotike. Të arrestuar janë shtetasit Dorian Hametaj, Viron Sadikaj dhe Besnik Bushi, banues në Kuç dhe Vlorë. Sipas hetimeve të para, mësohet se lënda narkotike ishte siguruar në Lazarat dhe do të transportohej në drejtim të Vlorës me qëllim trafikimin më tej në Itali. Grupi hetimor po heton për të zbardhur lidhjet e tre të arrestuarve me persona nga Lazarati apo dhe Vlora. Të arrestuarve u janë sekuestruar telefonat celularë dhe u është kërkuar kompanive të telefonive celulare zbardhja e tabulateve, për të zbuluar me kë janë bërë telefonatat për blerjen e mallit dhe me kë është folur për trafikimin drejt Italisë.

 

Gjirokastër/ U kapën me drogë, arrestohet edhe shoqëruesja e muzikantit grek

Një ditë pas arrestimit të muzikantit grek me një sasi prej rreth 64 kg drogë, dje është arrestuar edhe shoqëruesja e tij, po shtetase greke. Nga hetimet paraprake dolën në dritë detaje të tjera, çka sollën edhe arrestime të tjera. Sipas burimeve policore, Panajotis Markopoulos, 27 vjeç, ka pasur si bashkëpunëtore në trafik edhe pasagjeren që e shoqëronte, një 30-vjeçare, shtetase greke, të quajtur Anastasia Vogiatzi nga Selaniku. Të dy të rinjtë kishin hyrë në Shqipëri nga pika kufitare e Qafëbotës në Sarandë dhe ishin në profesion, muzikantë. Mësohet se bashkëpunimi ndërmjet tyre u zbulua me metoda speciale hetimi, kryer nga Sektori Kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë Gjirokastër e çoi në arrestimin edhe të 30-vjeçares. Të riut nga Selaniku, Panajotis Markopoulos iu gjetën 63.5 kg marijuanë në automjetin që drejtonte me targa greke IPP 3885. Tashmë dy të rinjtë, muzikantë, të cilët kishin ardhur dy ditë më parë për të kënduar në një disko në Sarandë, akuzohen për veprën penale të “trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim. Në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tirane janë duke vijuar veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

 

Laç/ Dhunon dhe fyen ish-gruan, rrihet prej kushërinjve të saj

Një 43-vjeçar është dhunuar keqazi nga kushërinjtë e ish-gruas, pasi kishte shkuar në shtëpinë e prindërve të kësaj të fundit, ku ka nisur ta fyejë dhe ta dhunojë psikologjikisht. Menjëherë kanë ndërhyrë të afërmit e gruas, të cilët e kanë dhunuar 43-vjeçarin, duke mos duruar skenën që po shikonin. Sipas burimeve zyrtare policore, ngjarja ka ndodhur në qytetin e Laçit, kur 43-vjeçari Afrim.Gj, nga Shullazi i Kurbinit nga shkuar në banesën e ish-gruas, duke fyer, kërcënuar dhe dhunuar atë. I dënuar më parë për “armëmbajtje pa leje”, 43-vjeçari ka nisur të tregohet i dhunshëm me ish-gruan, skenë që nuk është duruar nga kushërinjtë e kësaj të fundit Vlash.Gj, 23 vjeç dhe Gjon.L, 27 vjeç, të cilët janë lajmëruar për çfarë po ndodhte. Ata kanë ndërhyrë duke dhunuar me grushta ish-dhëndërrin. Burime policore bëjnë me dije se tashmë janë duke u hetuar të dy palët, pasi rezulton se të dyja kanë kryer vepër penale.

 

Projekti/ Sporti i Judo-s, nis trajnimi për të miturit në burgje  

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Federatën Shqiptare të Judo-s, me qëllim implementimin e projektit “Mësime të Judos në Shkollë” në Institutin e të Miturve Kavajë. Menaxhimi i projektit do të mundësohet nga shoqata sportive “Ghandi Judo Klub”, me përfaqësues z. Florian Progri dhe trajnere znj. Elena Irina Samoilă, me kombësi rumune, e cila është fituese multiple e kampionateve të Judos në Europë dhe një kupë bote. Projekti pritet të krijojë mundësi konkrete për trajnimin e mësuesve të edukimit fizik për disiplinën e judo-s, si dhe të të miturve që janë të akomoduar në I.M. Kavajë. Si pjesë e projektit do të organizohen edhe konkurse brenda këtij lloj sporti, mes të miturve në këtë institucion. Përfaqësuesit e Federatës së Judo-s do të kompletojnë me pajisje ambientet sportive në IM Kavajë dhe do të ofrojnë uniformën e kësaj disipline sportive për të miturit që do të trajnohen. Sporti i Judo-s, për nga vetë specifika e tij, ka në bazë disiplinën, përqendrimin dhe higjienën. Duke praktikuar një sport të tillë, të miturit në institutin e Kavajës mund të përfitojnë jo vetëm njohjen me një sport të ri dhe interesant, por edhe që ndihmon në menaxhimin e stresit dhe ankthit, përmes shpenzimit të energjive të moshës së re që kanë ata. Projekti për mësimin e judo-s nis këtë muaj në institucionin e të Miturve Kavajë si një institucion pilot, me perspektivën e zgjerimit në institucione të tjera. Federata e Judo-s do të zhvillojnë aktivitete sportive edhe në burgje të tjera.

 

Durrës/ Përplaset për vdekje vogëlushja 3-vjeçare, ndalohet drejtuesi Lleshi

Një aksident ka përgjakur rrethinat e Durrësit paraditen e djeshme. Një 3-vjeçare humbi jetën pasi u përplas për vdekje nga një makinë, kur po luante në anë të rrugës përballe shtëpisë së saj. Sipas burimeve policore, aksidenti rrugor ndodhi në aksin Sukth- Hamallaj në Durrës. Vogëlushja u transportua nga drejtuesi i mjetit menjëherë në spital, por ajo nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra nga përplasja e fortë. Policia ka shoqëruar Lek Lleshin, 34 vjeç dhe po sqaron rrethanat e këtij aksidenti të rëndë.

 

Shëngjin/ U kap me armë pa leje, arrestohet 53-vjeçari Byleta

Policia e Lezhës ka arrestuar mëngjesin e djeshëm 53-vjeçarin Gjeto Byleta nga Shëngjini për “armëmbajtje pa leje”. Burime zyrtare policore bënë me dije se pas një kontrolli, atij iu gjetën armë dhe municione, si një automatik model 56 dhe 90 fishekë. Policia ka nisur hetimet e mëtejshme rreth këtij shtetasi dhe së shpejti, dosja e tij do t’i kalojë Prokurorisë së rrethit për hetime të mëtejshme, ndërsa paraprakisht akuzohet për veprën penale “mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve”.

 

Kosovë/ OSBE: 120 shtetas nga Kosova luftojnë si xhihadistë në Siri

Një grup për analiza të rrezikshmërisë me bazë në New York ka publikuar një raport analitik mbi përfshirjen e luftëtarëve të huaj në luftën e Sirisë. Raporti pretendon se mbi 12 mijë është numri i xhihadistëve të huaj në këtë luftë. Në këtë raport, kjo organizatë citon edhe një raport të marsit të këtij viti të bërë nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Duke u thirr në këtë raport të OSBE-së, organizata konstaton që numri i kosovarëve të përfshirë si xhihadistë në Siri është deri në 120 të tillë. Kjo pjesë e shkëputur e raportit të OSBE-së është publikuar dje nga media kosovare RTK live.

 

 

Share it :