Zgjedhjet në PD / Kryetarët e parë të zgjedhur, si po zhvillohen kandidimet në rrethe

Gëzim Saliu

Rrethet në fazën e zgjedhjes së krerëve të grupseksioneve, Tirana gati anëtarësimet

 

monda-voton

Pavarësisht aksionit politik dhe çështjeve të fundit që kanë marrë vëmendje të posaçme nga opozita, Partia Demokratike ka vazhduar procesin e zgjedhjeve të strukturave drejtuese në të gjitha degët e vendit. Kështu pas fazës së anëtarësimeve të reja, në thuajse të gjitha degët e PD-së në rrethe, krahas Tiranës, ka nisur zgjedhja e kryetarëve të rinj të seksioneve dhe grupseksioneve. Deri më tani koordinatorët e emëruar nga kreu i PD-së Basha së bashku me deputetët dhe krerët e degës janë në fazën e zgjedhjeve në grupseksione, ku do të pritet më pas edhe konferenca e degës. Më tej, zgjedhja e kryetarëve të Partisë Demokratike në disa rrethe të vendit, pas propozimit të kandidatëve nga grupseksionet do të vazhdojë me fazën në të cilën parashikohet që emrat e propozuar, pasi të vijnë në selinë qendrore të PD-së në Tiranë, ti nënshtrohen procedurave përmbyllëse të procesit. Deri më tani reagimet e strukturave për përzgjedhjet e para në rrethe kanë qenë vlerësuese, ku është parë me këndvështrim pozitiv integrimi i figurave të reja në PD si edhe zbatimi i qartë i rregullit të kreut të PD-së, ku sipas të cilit, në garë do të vendosë vota dhe jo mbështetje e kryetarit apo grupimeve të ndryshme.

Kryetarët

Qarku i Lezhës është një ndër të parët nga nisi procesi i zgjedhjes së drejtuesve të rinj të strukturave të PD-së. Deri më tani janë zgjedhur krerët e rinj të seksioneve dhe grupseksioneve. Kështu në Mirditë është thuajse përmbyllur pjesa më e madhe e proçesit të zgjedhjes, përkatësisht në grupseksionin Selitë, Rubik, Rrëshen, Kthellë, Kaçinar dhe Fanë. Në të gjitha këto përzgjedhje, është vënë re një mbështetje e anëtarësisë së PD-së, ku vlerësim ka marrë përfshirja e figurave të reja. Por sipas burimeve pranë PD-së ecuria e proçesit në të gjitha rrethet e vendit është e ndryshme, kjo edhe në saj të faktit se edhe në qytete të ndryshme procesi ecën me ritme të ndryshme. Nisur nga kjo, PD nuk mund të japë një datë të saktë të përfundimit të zgjedhjeve në rrethe, por sikurse bëhet e ditur proçesi i zgjedhjeve ka kaluara thuajse në të gjitha degët në zgjedhjen e drejtuesve të seksioneve dhe grupseksioneve.  Ndërkaq, në Tiranë proçesi është thuajse në mbyllje të anëtarësimeve të reja, ku burime pranë selisë blu bëjnë të ditur se numri i rritur i tyre është një surprizë edhe për vetë të demokratët. Për këtë, vetëm pak kohë më parë, PD vendosi të shtojë numrin e koordinatorëve, duke marrë parasyh edhe fakti se Tirana është kryqyeti i vendit e rrjedhimisht dega më e madhe. Kryesisht koordinatorët u shtuan për komunat e Tiranës, ku numri i madh i banorëve në to bënte të pamjaftueshëm prezencën e vetëm një koordinatori e në këtë kontekst është vendosur që më shumë persona të angazhohen me kordinimin e zgjedhjeve në degën e demokratëve në kryeqytet. Pas përfundimit të zgjedhjeve në të gjitha degët, përfshi Tiranën, pritet të mblidhet Kuvendi Kombëtar, i cili do të zgjedhë fillimisht Këshillin Kombëtar dhe do të miratojë, nëse do të ketë ndryshime në statusin e selisë blu. Më pas do të jetë Këshilli Kombëtar, i cili do të zgjedhë kryesinë e re, nënkryetarët, sekretarin e Përgjithshëm dhe sekretarët e çështjeve specifike.

 

Dega e Mirditës, kryetarët e grupseksioneve

Ne grupseksionin Selite u zgjodh kryetari i PD Kastriot Caka

Në grupseksionin  Rrubik u zgjodh kryetar Mark Ruci

Në grupseksionin Rrëshen u zgjodh kryetare Esmeralda Gjon Ndoka

Në grupseksionin Kthellë u zgjodh kryetar Astrit Dedaj

Në grupseksionin Kaçinar u zgjodh kryetar Pashk Mark Gjoni

Në grupseksionin Fanë u zgjodh kryetar Gjin Kola

 

 

Krerët e PD që nuk do rizgjidhen

1-Aldo Bumçi, kryetar i PD-së Tiranë

2-Igli Cara, kryetar i PD-së Durrës

3-Gjergji Papa, kryetar i PD-së Korçë

4-Ardian Kollozi, kryetar i PD-së Vlorë

5-Luçiano Boçi, kryetar i PD-së Elbasan

6-Bedri Hoxha, kryetar i PD-së Burrel

7-Bexhet Çobani, kryetar i PD-së Gjirokastër

8-Astrit Bushati, kryetar i PD-së Shkodër

9-Ibsen Elezi, kryetar i PD-së Kukës

10-Arenc Berati, kryetar i PD-së Berat

11-Pashk Ndoca, kryetar i PD-së Lezhë

12-Admirim Shehu, kryetar i PD-së Fier

14-Bejdo Çela, kryetar i PD-së së Sarandë

15-Veledin Zaçe, kryetar i PD-së Tepelenë

16-Ramazan Okshtuni, kryetar i PD-së Kavajë

17-Luan Lipe, kryetar i PD-së Pogradec

18-Roland Keta, kryetar i PD-së Bulqizë

19.Besnik Dushaj, kryetar i PD-së Tropojë

20-Naim Gazidede, kryetar i PD-së Dibër

21-Pashk Ndoci, kryetar i PD-së, Lezhë

 

250 kg e kokainës në Malin e Zi

Berisha: Një zyrtar shqiptar njoftoi trafikantët për operacionin

Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi dje se një zyrtar i lartë shqiptar ka njoftuar rrjetin e trafikut të drogës që u kap në Malin e Zi, për operacionin që po organizohej nga shërbime partnere të specializuara në luftën kundër drogës.  “Burime të brendshme të Aleancës së Anti-drogës informojnë sa vijon. Ky rrjet trafiku po ndiqej që në lindje, sapo filloi, që nga vendi i origjinës deri në vendin e pritjes, nga shërbime partnere të specializuara në luftën kundër drogës. Por në këtë proces, këto shërbime, gjetën se një zyrtar i lartë shqiptar kishte përdorur informacionin e tyre për të njoftuar rrjetin dhe për këtë ata ndërprenë menjëherë bashkëpunimin me autoritetet shqiptare. Zyrtari i lartë u shkarkua, por të nesërmen urdhri i shkarkimit u anulua nga lart, shumë lart. Pas kësaj, shërbimet partnere njoftuan në dy raste të tjera shërbimet e vendeve të tjera por jo me ato shqiptare”, shkruante Berisha në rrjetin social FB. Sipas ish-kryeministrit pas informacionit të publikuar në media për sekuestrimin  e drogës në Malin e Zi, ministri Tahiri u tha shqiptarëve, “mos kujtoni se droga është e jona”.  “Policia, mediat e Malit të Zi, të rajonit dhe të botës dhanë lajmin e bujshëm se në një anije në Malin e Zi u kapën 250 kg kokainë e cilësisë më të lartë me destinacion Shqipërinë, në një kontenier me banane të porositur nga kompania shqiptare me pronar Naziko Rrapon, e themeluar vetëm pak muaj më parë. Shqiptarët u habiten kur të nesërmen vetë ministri Tahiri vrapoi të mbronte pritësit e 250 kg kokaine, duke deklaruar njëlloj si ata se droga nuk kishte destinacion Shqipërinë, por Francën ose Italinë, pasi sipas tij, Shqipëria ishte treg i vogël për ngarkesa të tilla të mëdha”, shkruante Berisha, duke shtuar se me këto deklaratë ministri pohoi publikisht se droga ishte thjesht një trafik qeveritar. “Ministri Tahiri bërtet së bashku me trafikantet se kjo sasi e madhe droge nuk ishte e destinuar për në Shqipërinë tonë, mbasi është e vogël, por për Francën dhe Italinë e madhe, sikur ajo të mos mund të shpërndahej lirshëm nga voglushja jonë në Itali, Gjermani, Francë e gjetiu, madje edhe duke kaluar lirshëm doganat e qeverisë si miell i saj!!”, përfundoi reagimin e tij Berisha.

 

PD, Bardhi: Administrata në duar të kriminelëve

Partia Demokratike akuzoi kryeministrin Rama se e ka lënë “administratën në duart e kriminelëve dhe vijon pushimet prej 5 ditësh në Venecia”.  Koordinatorja për Mediat në PD, Silvi Bardhi tha se prej 5 ditësh kreu i qeverisë vazhdon fundjavën në Venecia ku ndërkohë sipas saj, pasiguria e jetës është shtuar dhe ekonomia në rënie të përditshme. “I papërgjegjshmi kryeministër mban kumtesa për ngjyrat, por e ka zhytur vendin në krizë dhe në borxhe të panjohura më parë. Paqendrueshmëria dhe shëndeti i tij mendor mund të kenë nevojë për bienale por vendi ka nevojë të qeveriset me përgjegjësi të plotë.”- deklaroi Bardhi. Më tej, ajo theksoi se,: “Edi Rama gjendet në Itali, aty ku kreu i tij i Këshillit të Qarkut të Vlorës ka marrë pjesë në rrëmbimin e një fëmije, dhe prej të mërkurës ai nuk thotë asnjë fjalë për këtë akt të paprecedentë të dorëzimit të shtetit në duar kriminale. I iku parlamentit, i iku opozitës, i iku opinionit publik. Por kjo është një ikje pa kthim. Kjo është në të vërtetë rënia e kryeministrit më të papërgjegjshëm që ka pasur ndonjëherë vendi dhe Partia Socialiste”.

 

Nishani merr pjesë në ceremoninë e betimit të Poroshenkos

Presidenti Bujar Nishani mori pjesë dje në ceremonitë solemne të betimit të Kreut të ri të Shtetit ukrainas.  Në këtë ceremoni, Nishani mori pjesë me ftesë të Presidentit ukrainas, Petro Poroshenko.  Në praninë edhe të shumë kryetarëve shtetesh dhe qeverish, Presidenti Nishani pati rastin t’i shprehë personalisht miqësinë dhe mbështetjen Presidentit të Ukrainës, Poroshenko

Share it :