Anxhela Tato
Merret në pyetje Dritan Rrapaj: Porositëm 3 kontejnerë me banane, nuk e dinim aktivitetin që kryente firma e transportit. Itinerari, anija më 25 maj u nis nga porti i Durrësit në drejtim të Tivarit, angazhohet në hetime Prokuroria e Krimeve të Rënda
Dërgimi i kontejnerëve të drogës në Shqipëri, një tentativë për të humbur gjurmët e trafikut. Sipas të dhënave paraprake, ka dyshime se kontejnerët, pasi të zbrazeshin nga malli, do të udhëtonin sërish në drejtim të Gjermanisë ose Francës. E gjithë kjo manovër, për t’i shpëtuar gjurmimit të policisë. Por plani dështoi, pasi policia malazeze u sinjalizua për një ngarkesë droge që do të kalonte me anije. Ka qenë kontrolli me anë të skanerit, i cili zbuloi 250 kilogramë kokainë të pastër. Ndërsa nuk përjashtohet mundësia që pjesë e këtij rrejti droge të kenë qenë edhe shtetas shqiptarë, pasi nuk është rastësore fshehja e drogës në një ngarkesë frutash në drejtim të vendit tonë. Një detaj tjetër është fakti se anija më datë 25 maj ka udhëtuar nga porti i Durrësit në drejtim të portit të Korsinas. Me sa duket, çdo gjë ka qenë e planifikuar që nga përzgjedhja e anijes, itinerari dhe forma e trafikut. Ndërkohë që policia ka vijuar me kontrollin në magazinat e firmës “Rrapo”, është shoqëruar për t’u marrë në pyetje përfaqësuesi ligjor i kompanisë. Para oficerëve të policisë, Dritan Rrapaj ka thënë se kishte kryer vetëm porosinë për banane dhe nuk ishte në dijeni të veprimtarisë që kryente firma e transportit. Ndërkohë, burime të policisë shqiptare thonë zyrtarisht se destinacioni i drogës dyshohet se ishte Franca ose Italia. Pavarësisht mohimit të përfshirjes së vendit tonë si destinacion i drogës, e interesuar për këtë çështje është Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe ministri i Brendshëm. Hetuesit dyshojnë se trafikantët kishin parashikuar që, pasi të linin mallin në Shqipëri, kontejnerët e boshatisur t’i kthenin në destinacion. Aty do të çanin pjesën metalike dhe do të shkarkonin kokainën. Më datë 3 qershor, tre kontejnerët me banane mbërritën në Mal të Zi. Dy prej tyre u lejuan të udhëtonin drejt Shqipërisë, për njërin patën dyshime dhe e skanuan dhe nga kontrolli u zbulua edhe droga. Sipas policisë, ka dyshime të forta se trafikantët kanë tentuar të përdorin si destinacion për ngarkesën Shqipërinë, një vend pa treg, për të dërguar 250 kg kokainë. Por, në fakt, dyshohet se droga është vendosur në kontejner falë një ndërhyrjeje në pjesët e brendshme, përpara se të ngarkoheshin arkat me banane. Pronari i firmës i ka thënë policisë se ai kishte porositur tre kontejnerë me banane dhe kjo ishte hera e shtatë që bënte porosi për një mall të tillë. Pas bllokimit të drogës në Tivar, është angazhuar edhe Prokuroria e Krimeve të Rënda në një hetim, por nuk ka asnjë informacion. Ndërkohë, nuk janë bërë publike informacione për itinerarin e anijes apo edhe për aktivitetin e mëparshëm tregtar të kompanisë.
Mediat e huaja
Mediat malazeze japin detaje të reja lidhur me sekuestrimin e kokainës në anije. Sipas asaj çka shkruajnë mediat në Malin e Zi, aktualisht është duke u hetuar në dy pista dhe dyshimet janë se destinacioni mund të ishte Mali i Zi. Ndërsa tregohet edhe itinerari i ndjekur për transportin e drogës. Sipas të njëjtave burime anija italiane “Jilhan” arriti në Tivar më 3 qershor. Detajet nxjerrin në pah faktin se pasi anija mbërriti në Tivar u vunë re saldime të reja në dyshemenë e anijes. Pas riskanimit të anijes u zbulua një dysheme e dyfishtë, e cila pasi u hap nga specialistët u gjet dhe droga e fshehur. Ndërsa më 25 maj anija “Jilhan” u nis nga Porti i Durrësit drejt portit Korsinia. Tre ditë më pas në Portin Gioia Tauro, Itali ku dhe qëndroi 4 ditë. Mediat malazeze vijojnë të citojnë se e njëjta anije më 2 qershor u nis nga Italia kaloi në Otranto dhe në orën 19:00 zhduket pa lënë gjurmë. Pak kohë më vonë rreth orës 23:45 të mbrëmjes, anija shfaqet 7 milje larg Ulqinit. Sipas mediave malazeze transporti i kontejnerëve u bë nga kompania malazeze “Interlog” me pronar Erik Koshuta. Detajet zbardhin se në portin e Tivarit për disa orë priste një shofer me mjetin kamion që të merrte në dorëzim ngarkesën.
Ministri i Brendshëm
Droga e kapur në Malin e Zi dy ditë më parë nuk kishte destinacion Shqipërinë. Deklarata u bë nga ministri i Brendshëm Saimir Tahiri nga qyteti i Korçës. Ministri thekson se kompania e përmendur nga mediat malazeze është shqiptare dhe po hetohet. Sipas Tahirit, ngarkesa me banane kishte për destinacion vendin tonë. 250 kilogramë kokainë u sekuestruan dy ditë më parë në portin Bar të Malit të Zi të fshehura në kutitë e bananeve. Droga është gjetur në një nga tre kontejnerët që sillte banane nga Ekuadori drejt Shqipërisë. Duke përdorur një skaner, oficerët e Policisë Doganore kanë zbuluar kokainën e fshehur poshtë dyshemesë prej druri të kontejnerit. Mësohet se droga ishte e ndarë në 223 pako. Vlera e llogaritur e shitjes së drogës arrin deri në 12.5 milionë euro.
Struktura e policisë/ Shkrihet në një repart “Brisku” dhe “Reis”, shkarkohen nga detyra 16 efektivë
Pas hyrjes në fuqi të strukturës së re të policisë më datë 1 qershor, me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit këtë të premte janë shkrirë në një strukturë dy repartet ekzistuese “Brisku” dhe “Reis”. Shkrirja në një e dy strukturave të mëparshme ka sjellë edhe lirimin nga detyra të disa efektivëve, të cilët kanë shërbyer më parë si forcë operacionale. “Brisku” dhe “Reis” kanë funksionuar në mbrojtjen e zyrtarëve me funksione të veçanta, si dhe me ndërhyrje në situata të operacioneve të veçanta për arrestime të personave me rrezikshmëri të lartë. 16 efektivët të cilët preken nga hyrja në fuqi e strukturës së re policore, sipas drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, do të jenë efektivë të cilët do të shërbejnë në struktura të tjera të policisë.
Krujë/ Asgjësohen 200 rrënjë kanabis, të mbjella në 5 parcela
Policia e Krujës ka bërë të mundur zbulimin dhe asgjësimin e 200 rrënjëve kanabis të mbjella në 5 parcela në fshatin Bret. Lajmi konfirmohet nga policia sipas së cilës gjatë kontrollit të ushtruar në këtë territor për evidentimin e zonave të kultivimit të lëndës narkotike u zbuluan 5 parcela ku ishin të mbjella 200 rrënjë kanabis sativa. Nga efektivët blu u krye asgjësimi me djegie i parcelave, ndërsa ka nisur puna për hetimin dhe identifikimin e personave përgjegjës për mbjelljen e lëndës narkotike. Ndërkohë materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike ”. Aksioni i policisë vjen në kuadër të nismës së marrë nga strukturat blu për parandalimin e kultivimit të lëndëve narkotike në të gjithë territorin. Sipas policisë Kontrollet do të vijojnë, me synim monitorimin e plotë të të gjithë territorit.
Interpol/ Ekstradohen në Itali 4 shtetas shqiptarë, në kërkim për prostitucion dhe drogë
Katër të kërkuar për krime të rënda, Elton Balliu, Foto Dashi, Dashamir Nikolla, Elvis Lako, janë ekstraduar drejt Italisë. Interpol Tirana në bashkëpunim me autoritetet italiane bënë të mundur dërgimin e 4 të kërkuarve ndërkombëtarë, pasi në shtetin fqinj, Itali, kanë bërë krime të rënda si pjesëmarrje në organizatë kriminale, shfrytëzim prostitucioni, trafik droge, vrasje, vjedhje me armë, etj. Arrestimi i këtyre shtetasve është kryer gjatë operacioneve të zhvilluara nga strukturat e Policisë së Shtetit në muajt janar-shkurt 2014. Ekstradimi i këtyre shtetasve nga Shqipëria drejt Italisë është bërë, mbështetur në Marrëveshjen dypalëshe të Ekstradimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Italisë, si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana dhe Interpol Roma.
Shkodër/ Tentoi të trafikonte 3 vajza, pranga Xhevahir Osjes
Policia e Shkodrës ka arrestuar shtetasin Xhevahir Osja për trafik prostitucioni. Osja tentoi të trafikonte 3 vajza të moshës 15-vjeçare për qëllime prostitucioni. Sipas policisë së Shkodrës, ai akuzohet për veprën penale të trafikut të prostitucionit. Ndërkohë, policia po punon për përfshirjen personave të tjerë që mund të kenë marrë pjesë në trafikimin e vajzave për qëllime prostitucioni.
Tiranë/ I merr varësen nga qafa turistes, në kërkim autori
Një turiste angleze është grabitur mesditën e djeshme në kryeqytet. Mësohet se një person i paidentifikuar i ka rrëmbyer nga qafa turistes varësen e saj dhe është larguar në drejtim të paditur. Ngjarja është regjistruar pranë Xhamisë së Ethem Beut. Ndërkohë, policia është vënë në ndjekje të grabitësit.
Fushë-Krujë/ Çaktivizohet eksplozivi i lidhur me celular, u pikas nga patrulla e policisë
Një minë antitank është gjetur mëngjesin e djeshtëm në derën e një biznesi privat në Fushë-Krujë. Burime nga polica lokale bëjnë me dije se mina antitank ka qenë e lidhur me një celular. Ka qenë patrulla e policisë së Fushë-Krujës, e cila ka pikasur minën e pashpërthyer në derën e një biznesi që merrej me riparimin e biçikletave, i cili ndodhet vetëm 60 m larg rajonit të policisë. Policia bën me dije se biznesi ku u gjet mina është në pronësi të shtetasit Bashkim Metashi. Menjëherë në vendngjarje mësohet se kanë shkuar forcat xheniere dhe kanë rrethuar zonën. Pas disa orësh ata kanë arritur ta çaktivizojnë minën me shpërthim të kontrolluar. Edhe pse nuk dihen ende shkaqet e ngjarjes, dyshohet se mina mund të jetë vendosur me qëllim për ta shpërthyer nëpërmjet celularit.




