Shqipëria vijon të jetë vendi i origjinës për trafikun e drogës në vendet e Ballkanit. Ndërsa ka nisur fuqishëm fushata antikanabis, sasia e lëndës narkotike e kapur jashtë kufijve vijon të jetë në shifra alarmante. Ndonëse në forma të ndryshme transporti, droga kalon çdo pengesë dhe mbërrin në destinacion. Mëngjesin e djeshëm një tjetër rast trafiku të lëndëve narkotike është konfirmuar në Leçe. Bëhet fjalë për jo pak, por rreth 467 kilogramë lëndë narkotikë, e cila u gjet në plazh në mes të San Cataldo dhe San Foca, në lokalitetit “Le Cesine”. Ky është një tjetër super aksion konfiskimi, i cili kalon sasinë e sekuestruar në të njëjtën zonë më 23 mars, ku u zbuluan dhe gjetën rreth 300 kg drogë. Mëngjesin e djeshëm, forcat e policisë së Leçes të njoftuar nga një telefonatë anonime, mundën të konfiskojnë në një gomone disa çanta të mëdha me 432 kg marijuanë dhe 31.5 kg hashash, në total 467 kilogramë. Lënda narkotike ishte e destinuar të shitej në sheshet e Pulias dhe ndoshta qytetet e tjera italiane, duke pasur parasysh edhe sasinë e madhe. Së bashku me lëndë narkotike, është konfiskim edhe gomonia 5 metra e gjatë, e cila ndodhet në gjendje shumë të keqe, pasi tubat janë prerë. Mjeti u gjet nga forcat e kapitenerisë së portit rreth 300 metra larg bregut. Në gomonen e gjetur nuk ka gjurmë të kontrabandistit, apo të ndonjë pasagjeri. Ndërkaq, edhe gjatë inspektimit në zonat përreth, agjentët e policisë nuk kanë mundur të gjejnë gjurmë, pasi trafikantët janë larguar para ndërhyrjes së policisë. Në vendngjarje mbërritën edhe forcat zjarrfikëse, të cilët ofruar mbështetjen e tyre për të transportuar lëndë narkotike në zyrat e stacionit policor të Leçe, ku po vazhdojnë hetimet lidhur me drogën. Lënda narkotike e cila sipas hetuesve vjen nga Shqipëria, kap vlerën e dhjetëra mijëra euro. Disa muaj më parë, pati një tjetër zbarkim në të njëjtën zonë të bregdetit Adriatik, ku policia sekuestroi shtatë qese të mëdha me një peshë prej 150 kilogramë, ndërsa një shqiptar përfundoi në pranga.
Bari
Rreth 1270 kilogramë lëndë narkotike e llojit kanabis sativa është sekuestruar ditën e shtunë në Itali, si dhe është arrestuar një shtetas shqiptar. Droga që vinte nga Shqipëria, e nisur nga Durrësi, ishte fshehur në një kamion. Aksioni i Guardia di Finanza në Bari, ka mundur të sekuestrojë lëndën narkotike gjatë një kontrolli të ushtruar në port. Gjatë kontrollit të mjeteve që kishin mbërritur në port, u gjet droga e fshehur në kamion, e cila ishte paketuar më 1177 pako. Ndërkaq në pranga është vendosur një shqiptar 34 vjeç, lindur në Berat e banues në Tiranë, me precedent të mëparshëm penalë, ndërsa po hetohet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në rrjet. Hetuesit patën dyshime lidhur me mënyrën e çuditshme të planifikimit të udhëtimit, nisur edhe nga mënyra e ndryshme e mjetit të përdorur për transport, duke bërë kështu një inspektim të plotë të automjetit, me ndihmën e rrezeve X. Në sajë të kontrollit u zbulua lënda narkotike, duke shmangur kalimin e drogës në tregun klandestin, shitja e së cilës llogaritej të kapte shifrën 13 milionë euro. 34-vjeçari shqiptar akuzohet për trafik ndërkombëtar të drogës, dhe është dërguar në burgun e Barit, ndërsa mjeti i përdorur për transportin e kanabisit është konfiskuar.




