Florenc Drizari
Mbyllen hetimet për “drogën dhe ushtrinë”
Raporti i komisionit: 36 fluturime private në 2014-ën
“Drogë me avionë në strukturat e ushtrisë më 2012-2013”
Komisioni hetimor për “hetimin e akuzave mbi implikimin e forcave të armatosura dhe bazave ushtarake në veprimtari të kundërligjshme – transportin e lëndëve narkotike”, miratoi dje raportin përfundimtar me votat e mazhorancës, ndërsa përfaqësuesit e opozitës i kanë braktisur më herët punimet e këtij komisioni, duke kërkuar një tjetër hetim parlamentar pas ngjarjes së ndodhur në plazhin e Divjakës.
Sipas raportit të mazhorancës, shtylla kryesore që provon implikimin e strukturave të ushtrisë në trafikun e drogës, është dëshmia e nënoficerit S. Gj. Dëshmitari thuhet se ka punuar në aerodromin e Gjadrit ne Lezhë nga 2011-2013 si ushtarak dhe në periudhën për të cilën ai ka dëshmuar, ka qenë me detyrë në shërbimin ushtarak të ruajtjes së pistës se avionëve në Bazën Ajrore Rezervë Gjadër.
Në dëshminë e tij thuhet se pas raportimeve që kishte bërë para eprorëve për ngritjen e avionëve me drogë në periudhën 2012-2013, është transferuar në një tjetër vend. Fakti që dëshmia e S. Gj. është administruar edhe nga struktura të tjera të shtetit, përveç policisë kriminale në ushtri, tregon sipas shumicës se në Shqipëri është kryer transport droge me avionë të vegjël disa vite më parë.
Në konkluzionet e raportit thuhet se gjetjet hedhin poshtë akuzat për implikim të forcave të armatosura dhe bazave të saj në trafikun e lëndëve narkotike pas 15 shtatorit 2013, kohë në të cilën ishte edhe objekti i këtij komisioni, paçka se në tërësi raporti është ngritur mbi të dhëna të mbledhura duke filluar që nga viti 2009-të.
“Gjetjet e këtij komisioni mbi te gjitha vënë në pah se si ky trafik ka filluar të lulëzojë me bashkëpunimin aktiv apo pasiv te strukturave shtetërore që nga niveli bazë i FA deri tek nivelet më të larta të FA në Ministrinë e Mbrojtjes dhe me gjere, gjatë viteve 2010, 2011 e 2012, ku avionë sportivë të lehtë të përdorur për transport të lëndëve narkotike, fluturojnë në hapësirën ajrore të Shqipërisë, pa lejen përkatëse të fluturimit ose pa bërë të njohur planet e fluturimit, jashtë çdo kontrolli, edhe pse dihet qartë prezenca e tyre në territor prej të dhënave të Doganës Shqiptare.
Trafiku i lëndëve narkotike me mjete fluturuese është organizuar dhe fshehur në forma dhe mënyrë të ndryshme nga ish strukturat e Forcave te Armatosura, Ministrisë se Mbrojtjes Aviacionit Civil”, – thuhet në raportin e shumicës parlamentare. Në draftin përfundimtar bëhen përgjegjës krerët e FA-së për uljen e klasifikimit të aerodromit të Gjadrit në mesin e vitit 2012, periudhë kjo që sipas mazhorancës ka përkuar me kohën kur janë evidentuar raste të uljes e ngritjes së avionëve me drogë.
Gjithashtu thuhet se janë fshirë shënime nga libra të shërbimit të kiomandantit të Truprojës së bazave ajrore e që i takojnë pikërisht periudhës kur dëshmohet saktësisht dhe në vetë të parë, për avionë që ulen dhe ngrihen e që transportojnë lëndë narkotike. Në raport kritikohet qeveria e mëparshme ku me dashje direkte ka lejuar “daljen jashtë kontrollit, vëzhgimit dhe mbikëqyrjes së plotë, të bazave ajrore ushtarake, të cilat i ka konsideruar si qendra të grumbullimit të materialeve të panevojshme, të tepërta, duke lejuar në këtë mënyrë që kjo infrastrukturë e rëndësishme ushtarake, të bëhet pre e përdorimit dhe shfrytëzimit për transport nga ana e trafikantëve të lëndëve narkotike që në ndërkohë kanë mundur të shfrytëzojnë hapësirën ajrore krejtësisht të patrazuar nga autoritetet përgjegjëse për fluturimet ajrore, të vetmet që autorizojnë apo licencojnë fluturime, ulje-ngritje të mjeteve fluturues, monitorojnë fluturimet, ka nxitur bashkëpunimin nga pjesëtarë të caktuar të personelit të shërbimit të bazave ajrore të cilët kanë heshtur, nuk kanë njoftuar zinxhirin komandues të Forcave të Armatosure, dhe më e rënda kanë zhdukur për ditë të tëra shënime nga libri i shërbimit të komandantit të Truprojës siç rezulton qartësisht në rastin e Gjadrit, me synimin e qartë fshirjen e gjurmëve të veprimtarisë së kundërligjshme që provohet të ketë ndodhur në periudhën kohore 2010, 2011, 2012 në Gjadër”, – thekson raporti.
Avionë të vegjël sportivë në Gjadër
Në raportin e mazhorancës thuhet se nga “informacioni shkresor i vënë në dispozicionin tonë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, me të njëjtën shkresë, atë me nr. 721, prot., datë 29.5.2014, rezulton që në Gjadër, në afërsi të pistës të jetë stacionuar që përpara vitit 2013, avion sportiv të lehtë. I njëjti informacion, konfirmohet dhe nga Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes, e cila me shkresën nr. 488 prot., datë 18.4.2014 dhe shkresën nr. 506 prot., datë 22.4.2014 drejtuar ministrit të Mbrojtjes, na bën me dije se në Gjadër, në një hangar privat, ndodhet një avion sportiv dyvendësh ….i cili para vitit 2012 rezulton të ketë bërë një ulje emergjence në nëntor 2010 në aerodromin e Kuçovës dhe më 11.06.2011 ky avion është ngritur nga Gjadri”. Gjithashtu sipas të dhënave të këtij komisioni, thuhet se gjatë viteve të qeverisjes së djathtë ka pasur më shumë fluturime të avionëve të vegjël privat në Shqipëri. Për vitin 2014-të, thuhet se numri ka shënuar ulje me rreth 7 avionë provat për çdo muaj.
Raporti, dëshmia e plotë e nënoficerit S. Gj.
“Në aerodromin e Gjadrit në Lezhë, sipas dëshmitarit të identifikuar rregullisht si shtetasi S. Gj. (shih deklaratën e tij të datës 17.10.2013 të administruar nga Policia Ushtarake), në periudhën e mësipërme, është kryer aktivitet kriminal i transportit të lëndëve narkotike nëpërmjet avionëve të vegjël sportivë të cilët uleshin here pas here në pistën e aerodromit të Gjadrit.
Dëshmitari ka punuar në aerodromin e Gjadrit ne Lezhë nga 2011-2013 si ushtarak (nënoficer) dhe në periudhën për të cilën ai ka dëshmuar, ka qenë me detyrë në shërbimin ushtarak të ruajtjes së pistës se avionëve në Bazën Ajrore Rezervë Gjadër. (shih shkresën me nr. 407/2 prot., datë 28.5.2014 të Ministrisë së Mbrojtjes).
Dëshmia
“…Kam qenë me shërbim në aerodromin Gjadër, Lezhë, nga 2011-2013 …gjatë kohës që kam qenë me shërbim në muajin tetor 2012 kam patur informim nga persona që kanë bagëti se këtu ulet një avion charter në fund të Aerodromit …që ngarkonte disa arka të dyshimta.
Në një prej ditëve që unë isha me shërbim ulet avioni rreth orës 07:30, për të cilën kam komunikuar me telefon me Komandantin e Truprojës së Bazës së Gjadrit dhe i kam thënë se vjen një avion charter. Komandanti i truprojës (E.M) së bashku me rojen (S.Gj) kanë shkuar në aerodrome me motoçikletë dhe kanë gjetur avionin dhe 5 persona të tjerë dhe kanë konstatuar furnizimin me karburant dhe pako të mbështjella me natriban të avionit charter.
Janë pyetur personat në fjalë se çfarë po bënin në një bazë ushtarake dhe përgjigjja ka qenë se po bënin stërvitje në luftën kundër narkotikëve dhe se ishin të SHIK. Kur komandanti i truprojës u ka thënë se po vjen përgjegjësi, njëri prej tyre u ka thënë se jemi te SHIK dhe kanë ikur.
Dëshmitari S. Gj. në informacionin e tij pohon se ka komunikuar me kapitenin A. Sh. duke i thënë se ishte ulur një avion i cili ka ngarkuar diçka të dyshimtë dhe ky i fundit ka komunikuar me Oficerin e Drejtimit B. D., i cili ka tentuar ta mbulojë këtë fakt duke i urdhëruar që të mos raportohej që është ulur avioni, por vetëm që ka fluturuar dhe se s’ka çfarë ju duhet me këtë punë.
I njëjti avion ka fluturuar pas dy ditësh por nuk është ulur në Gjadër.
I njëjti avion ka ardhur dhe pas dy javësh.
Dëshmitari ka parë personalisht në po këtë periudhë tetor 2012, 4-5 persona që ngarkonin avionin me karburant dhe me pako të mbështjella me natriban. I ka pyetur nëse kishin autorizim dhe ato i kanë dhënë të njëjtën përgjigje se ishin të ShISh. Personat në fjalë ishin të armatosur sipas këtij dëshmitari.
Ka komunikuar sërish me një epror, kapitenin A. Sh., i cili i ka thënë të mos u hapte telashe.
Pas këtij momenti, avioni ka shkuar në Gjadër edhe dy herë të tjera por dëshmitari nuk është afruar, pasi disa persona nga Shkodra i kanë thënë se për të punuar në aerodrom i kishin marrë leje Ministrisë së Mbrojtjes.
Menjëherë pas këtyre ngjarjeve, në fillim të vitit 2013 S. Gj. e kanë lëvizur nga shërbimi në venddislokimin e Gjadrit.
Të tilla veprime, këto ulje te avionëve që ngarkoheshin me pako të mbështjella me natriban në pistën e aerodromit të Gjadrit që përshkruan dëshmitari, janë kryer ditëve të shtuna dhe të diela ora 08:00 -11:30 dhe të martë e të mërkurë ora 13:00-15:30 në periudhën tetor-nëntor 2012, por nuk janë evidentuar absolutisht në Librin e Shërbimit të Komandantit të Truprojës në Gjadër.





