Ikonat e vjedhura, Prokuroria kërkon 16 vjet burg për Thimion dhe Spahon  

Sonila Mesareja

gjergji thimioProkurori Karanxha zbardh aktivitetin e dy të pandehurve, si u zbuluan veprat e artit, të vjedhura në disa kisha në jug të vendit, në banesën e tij

 Nuk e priste të kërkohej dënimi me 9 vite burg nga prokurori, edhe pse është ky i fundit që ka ngritur akuzën ndaj tij, pas gjetjes së ikonave. Madje, reagoi ashpër nga kafazi i hekurt, ndërsa prokurori Ervin Karanxha lexonte kronologjinë e ngjarjes dhe etiketonte hajdut të veprave të artit dhe të kulturës koleksionistin e pandehur, Gjergji Thimio. Megjithatë, prokurori ka vijuar qetësisht të lexojë 10 faqet e tij të konkluzioneve përfundimtare, ku i kërkonte Gjykatës dënimin me 9 vite për Thimion dhe 7 vite për bashkëpunëtorin e tij, Arben Spaho. Në seancën e radhës pritet fjala e fundit e avokatëve mbrojtës dhe vetë të pandehurve, më pas për t’u dhënë verdikti i Gjykatës. Dy të pandehurve do t’u ulet edhe një e treta e dënimit, për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar. I pranishëm në seanca ka qenë vetëm i pandehuri Gjergji Thimio, ndërsa i bashkëpandehuri Spaho përfaqësohej nga avokati i tij. Në përfundim të seancës gjyqësore, Thimio përsëriti akuzat ndaj Kryeministrit Edi Rama dhe deputetit Koço Kokëdhima, si autorë të arrestimit të tij.

 

Akuza

Sipas prokurorit Ervin Karanxha, koleksionisti Gjergji Thimio ka kryer veprën penale të “Vjedhjes së veprave të artit dhe kulturës” në bashkëpunim. Përfaqësuesi i akuzës tha se është provuar se i pandehuri Thimio ka qenë një strehë dhe tregtar i sigurt i shitjes së veprave të trashëgimisë kulture, që vidheshin nëpër kisha, pasi ishte i licencuar si muzeolog. Sipas akuzës, janë mbi 78 vepra arti që Thimio i ka regjistruar dhe më pas, dyshohet, se i ka shitur, edhe pse ato janë në pronësi të shtetit. “Duke qenë se Thimio ka qenë i licencuar, ka mbledhur edhe shumë sende të vjetra të mesjetës, si ikona, ikonostase etj. Ka bërë disa ekspozita ku ka ekspozuar veprat, të cilat janë koleksionuar dhe mbledhur nga ana e tij në vite. Një pjesë e madhe e sendeve të vjetra, kryesisht ikona, kanë qenë trashëgimi kulturore dhe ai i ka regjistruar në Qendrën Kombëtare të Inventarizimeve dhe ka marrë certifikatë pronësie. Për një pjesë të ikonave, i pandehuri ka bërë kërkesë që të regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Inventarizimeve, kurse një pjesë e ikonave dhe sendeve të vjetra kishtare nuk janë as në proces certifikimi dhe nuk janë as të certifikuara. Nga hetimi rezultoi nuk u provua vepra penale e “Trafikimit te veprave të artit”, pasi shtetasi Gjergji Thimio është koleksionues i veprave të artit dhe për këtë fakt ka qenë i licencuar nga Ministria e Kulturës dhe i regjistruar në QKR. Nuk është provuar se ky shtetas ka kryer trafikimin e ndonjë ikone apo vepre kishtare, por është provuar vepra penale e vjedhjes, pasi ka qenë bazë e sigurtë për personat të cilët vidhnin kisha. Rezulton se shtetasi Gjergji Thimio ka mbajtur në banesë shumë vepra arti të cilat janë të vjedhura. Në rastin konkret, sipas prokurorit Karanxha, jemi para veprës penale të “Vjedhjes së veprave të artit dhe kulturës”, e kryer në bashkëpunim me shtetasit Arben Spaho dhe me persona të paidentifikuar. Në këto kushte, shtetasi Gjergji Thimio duke qenë se mbledh edhe sende të kufizuara në qarkullimin fizik dhe shumë të rralla, ka krijuar kushte si nxitës dhe ndihmës i veprës penale të vjedhjes, pasi personat që vjedhin Kishat e marrin sende me vlerë nga këto objekte fetare, e kanë të sigurt tregun e shitjes tek Gjergji Thimio, i cili është i licencuar në këtë fushë dhe ka dijeni se këto janë vepra arti që nuk gjenden kudo. Ai vetë i njeh shumë mirë veprat e artit dhe sidomos ato kishtare pasi është muzeolog. Më pas ai i certifikon këto objekte të vjedhura dhe i shet. Fakti që në banesën e shtetasit Gjergji Thimio janë gjetur shumë e shumë objekte kishtare të vjedhura në vende të ndryshme të Shqipërisë si në Karavasta, Lushnjë, Korçë, Gjirokastër etj. tregon se ky shtetas i ka marrë dhe mbajtur sendet e vjedhura nga hajdutët në kisha dhe ka qenë treg i sigurt për ta, duke i shitur më pas sendet e vjedhura në kisha.

 

Si u zbuluan vjedhjet

Prokuroria zbulon në konkluzionet e saj se ka qenë i bashkëpandehuri Arben Spaho ai që ka kallëzuar Gjergji Thimion në policinë e Tiranës. Në kallëzim, ky shtetas sqaron se shtetasi Gjergji Thimio i ka një shumë borxh prej 2 milionë lekesh, shumë të cilën ia kishte marrë për blerjen e pikturave të shtrenjta. Sipas kallëzuesit, Gjergji kishte kohë që merrej me shitjen e pikturave të shtrenjta. Pasi i ka dhënë shumën e parave borxh, kallëzuesi Arben Spaho ka shkuar tek shtëpia e Gjergji Thimios. Sipas tij, ai ka takuar shume persona që merreshin me shitjen e veprave të artit dhe kulturës dhe që kishin ardhur tek Gjergji për të blerë piktura. Ky shtetas ka kallëzuar se tek banesa e shtetasit Gjergji Thimio gjendeshin dhe tregtoheshin sende të vjedhura në kisha të ndryshme të Shqipërisë, të cilat ishin vjedhur kryesisht në kishat e rretheve Korçë, Përmet, Gjirokastër dhe më sa kishte dijeni ai shiste edhe ikona të cilat ishin vjedhur në Maqedoni. Sipas akuzës, Arbeni njihte edhe bashkëshorten e Gjergjit, e cila quhej Alda. Duke qenë se Gjergji i kishte borxh kallëzuesit, ai i ka kërkuar këtij të fundit që borxhi të shlyej me piktura, me qëllim që t`i shiste, por Arbeni nuk ka pranuar pasi i nevojiteshin lekët për një problem familjar. Më pas, Arben Spaho ka vënë në dispozicion të organit procedues edhe 3 foto ikonash që i ka dhënë Gjergji, të cilat janë sekuestruar me cilësinë e provës materiale, këto sipas kallëzuesit janë vjedhur në Maqedoni. Mbi bazën e këtij materiali të ardhur, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka regjistruar procedimin penal datë 14.6.2013, për veprën penale të “Trafikimit të veprave të artit dhe kulturës”.

 

Arrestimi

Më 8 tetor të vitit të kaluar është arrestuar në flagrancë shtetasi Gjergji Thimio, pasi atij i është sekuestruar një sasi e madhe objektesh, të periudhës së mesjetës, të cilat dyshohej se janë të vjedhura dhe të trafikuara. Këto objekte ndodheshin pikërisht në vendin ku kishte kallëzuar shtetasi Arben Spaho dhe për këtë fakt është dyshuar se ato ishin të vjedhura dhe trafikuara. Policia gjyqësore ka shkuar në banesën e këtij shtetasi, mbi bazën e thënieve të shtetasit Arben Spaho, i cili ka shpjeguar se ka marrë sende kishtare në banesën e shtetasit Gjergji Thimio. Gjergji Thimio ka pasur sende të vjetra dhe ikona në dy vende në banesën e tij, si dhe në lokal «Antika», lokal i marrë me qira prej tij. Në lokal janë gjetur edhe shumë vepra arti dhe ikona. Ndërkohë që një ditë para tij është arrestuar në flagrancë shtetasi Arben Spaho, pasi atij i është sekuestruar një sasi objektesh të periudhës së mesjetës, të cilat dyshohej se janë të vjedhura dhe të trafikuara. Këto objekte ndodheshin në banesën e shtetasit Arben Spaho, ndërkohë që kishte kallëzuar se shume ikona të vjedhura ndodheshin në banesën e shtetasit Gjergji Thimio, në një kohë që në banesën e tij ai kishte ikona dhe sende kishtare të cilat, sipas tij, i kishte marrë tek ky i fundit. Ka qenë ky shtetas i cili i ka thënë policisë se sendet kishtare që i janë gjetur në banesë, i ka marre tek shtetasi Gjergji Thimio pasi ky i fundit i kishte borxh një shumë lekësh. Në këmbim të lekëve, ai ka marrë piktura. Pra, sipas akuzës, ky shtetas është bashkëpunëtor në vjedhje pasi sendet e vjedhura u gjetën në banesën e tij. Shumë prej veprave të artit të gjetura në banesën e Thimios i përkisnin kishave të vjedhura në jug të vendit dhe që do t’u kthehen atyre.

 

Verifikimi

Nga verifikimi i bërë nga Qendra rezulton se tek sendet e sekuestruara nga policia mungojnë 78 objekte, të cilat kanë qenë të pajisura me pasaportë dhe nuk janë më. Pra, sipas akuzës, janë shitur ose tjetërsuar nga Gjergji Thimio, i cili duhet t`i mbronte këto sende të çmuara, të cilat ishin pasuri kombëtare dhe jo t`i shiste ato për qëllim fitimi material. Gjithashtu, mungon edhe një objekt, i cili, ndonëse ka qenë i inventarizuar, nuk ka qenë i certifikuar.

 

 

 

 

Share it :