Jurges Veizaj
Labët do të ndeshen me verilindorët në një sfidë shumë emocionuese midis dy skuadrave që zhvillojnë lojë të bukur
Të dy teknikët përkatës u shprehën se janë të qetë dhe se do të japin maksimumin për të fituar sfidën
Sot në mbrëmje, orën 18:00, do të luhet sfida e vlefshme për Kupën e Shqipërisë midis Flamurtarit dhe Kukësit. Një sfidë që pritet të ndezë “Qemal Stafën”. Të dyja ekipet zhvillojnë një lojë mjaft ekspresive, çka garanton spektakël në sfidë. Flamurtari i duhet të fitojë, pasi kjo i siguron pjesëmarrjen në Evropë, ndërsa shkon për herë të parë në finale dhe i duhet ky sukses për të futur emrin në histori. Flamurtari arriti të eliminonte kampionët e Shqipërisë, Skënderbeun, në fushën e tyre. Skuadra e Gjokës u tregua më e qartë para portës dhe ka marrë një rezultat që as vetë ata nuk e kanë menduar kaq të lehtë. Vlonjatët u treguan shumë të shpejtë dhe arritën që të shënonin dy herë në pjesën e parë për ta mbyllur historinë e kësaj sfide. Ishte Liçaj i pari që çoi skuadrën e tij në epërsi në minutën e 19-të. Ndërsa pak minuta se të mbyllej pjesa e parë, do të vinte edhe goli i dytë i shënuar nga Telushi. Ekipi arriti të përfitonte 50 milionë që ishte dhe premio në rast se do të kualifikoheshin në finale. Ndërkohë, edhe në Vlorë pas shpëtimit nga rënia nga kategoria tashmë kanë një shans të mirë për të siguruar pjesëmarrjen në Evropë me fitimin e Kupës. Për trajnerin Gjoka situata është e barabartë për të dyja skuadrat, edhe pse beson se mund t’ia dalë Flamurtari mbanë. “Dy skuadra jemi. Nga këto dy skuadra njëra do të fitojë. Çdo gjë është e hapur dhe pse jo të mos e fitojmë ne”, – thotë trajneri i Flamurtarit, Gjoka. Ndërsa tekniku i vlonjatëve u shpreh i qetë, duke thënë se e rëndësishme nuk është e shkuara, por e tashmja. “Unë nuk mbaj mend sa kupa kam fituar dhe kjo nuk është problem. Problemi është vetëm ta fitojmë”, – u përgjigj ai. Kuksianët arritën të dominonin ndaj Teutës për të shkuar në finale. Verilindorët janë në një moment mjaft të mirë dhe këtë gjë kanë arritur ta tregojnë edhe në sfidën ndaj Teutës. Ndërsa durrsakët pas rezultatit të marrë në Kukës nuk arritën që të shfrytëzonin faktorin fushë për të siguruar një vend në finale. Ka qenë skuadra e Starovës ajo që ka tentuar të sulmojë e para dhe është vënë në kërkim të golit. Ndryshe nga ç’pritej verilindorët ishin nisur drejt “Niko Dovanës” me synim fitoren dhe kanë arritur ta marrin. Ka qenë Boja ai që i ka dhënë kualifikimin skuadrës së tij me golin e shënuar. Një gol që i mbylli shpresat Teutës, pavarësisht se durrsakët u munduan të dilnin në lojën e tyre, edhe pse u sfumuan nga paraqitja e djemve të Starovës. Kështu, blutë prekin për herë të parë finalen dhe shënuar një arritje shumë të rëndësishme historike. Tashmë pritet një përballje shumë e bukur midis vlonjatëve dhe kuksianëve, që nga të dyja kampet kanë vërtetuar se dinë të dhurojnë spektakël. Starova ja ka dalë mbanë deri më tani të shpëtojë sezonin e veriorëve duke mbyllur sezonin si nënkampion, por emri i tij lakohet shumë për një largim të mundshëm. Tekniku i bluve u shpreh se është shumë i qetë dhe nuk ndihet aspak mirë që për këtë finale nuk do të ketë mundësi të marrë maksimumin nga lojtarët e tij. “Unë besoj që kemi një avantazh të lehtë që duhet ta shfrytëzojnë lojtarët. Avantazhi është gjendja e mirë psikologjike në kushtet kur skuadra është nënkampione për të dytin vit radhazi, ka siguruar pjesëmarrjen në Evropë dhe kjo duhet shfrytëzuar. I vetmi shqetësim për spektakël është që është e garantuar që s’ka spektakël sepse “Qemal Stafa” prodhon vetëm baltë, është një terren i falimentuar që s’duhej të ishte luajtur finalja aty, por s’kemi çfarë t’i bëjmë do përgatitemi për këtë”, thotë Starova. Ndërsa për kapitenin e kuksianëve Hallaçi fusha është një shqetësim, megjithatë kjo nuk e pengon atë t’i bëjë thirrje të gjithë tifozerisë së Kukësit që të vijë në “Qemal Stafa” për të festuar fitoren. “Terreni ngelet një problem më vete. Kuptohet është bukur të luash në stadiumin kombëtar sepse dhe tifozë do të ketë më shumë, por terreni do të jetë një problem i madh. Shpresoj që me pushimin e shiut të bëhet një ndeshje e bukur. Tifozët të presin deri në mbarimin e ndeshjes sepse trofeu do të shkojë në Kukës”, – thotë Hallaçi.
Aguero: Ekipet latine, favorite në botëror
Serxho Aguero ka komentuar duke u shprehur se fakti që botërori luhet në Amerikën e Jugut mund të përbëjë avantazh për ekipet nga ky kontinent. “Unë mendoj se ekipet nga Amerika Jugore kanë disa avantazhe dhe në krye të tyre qëndron pa dyshim Brazili që mbështetet nga njerëzit e tij. Stadiumet dhe moti është shumë i ndryshëm nga ai në Evropë, prandaj mund të jenë disi më të avantazhuar. Gjithsesi, të gjitha ndeshjet mbeten të vështira pasi çdo ekip jep maksimumin në një sfidë botërori”, – është shprehur bomberi i Mançester Sitit. Në vijim, Aguero përqendrohet te çështja e ndryshimit të metodave stërvitore me klubin dhe kombëtaren. “Janë dy gjëra krejt të ndryshme. Me klubin stërvitesh çdo ditë, ndërsa me kombëtaren ke vetëm pak kohë në dispozicion për të krijuar harmomini me shokët e skuadrës. Në kombëtare, disa lojtarë mbërrijnë të dëmtuar dhe disa të lodhur, prandaj tre ditët e para të grumbullimit shërbejnë për t’u ambientuar. Në këtë situatë bëhet shumë e vështirë për një trajner”, – vijoi argjentinasi. Në radhët e Mançester Sitit, bëjnë pjesë lojtarë nga shumë kombëtare dhe ky fakt përbën avantazh edhe për vetë Agueron, i cili stërvitet çdo ditë në një skuadër me lojtarë të klasit botëror. “Normalisht ne flasim çdo ditë për botërorin, madje bëjmë edhe shaka me faktin se mund të ndeshemi përballë njëri tjetrit. Unë këmbëngul duke theksuar se çdo ndeshje në Kupën e Botës është shumë e vështirë dhe në këtë aspekt pres të ndeshem edhe me shumë shokë të Mançester Siti”, – tha Aguero. Kombëtarja bardhekaltër e ka fituar dy herë Kupën e Botës në vitet 1978 dhe 1986, por nuk kualifikohet në çerekfinale që prej vitit 1990.
Silva: Një ditë rikthehem te Milani
Kaka arriti që të rikthehej te Milani, ku mori edhe gjithë famën pas dështimit që pati në Madrid. Një ëndërr e bërë realitet për brazilianin që ka bërë një sezon të mirë. Ndërsa sot e ka pasur radhën Tiago Silva, që ëndërron të ndjekë hapat e bashkëkombësit të tij. Mbrojtësi braziliani i PSG-së, në një intervistë për “Sky Sport 24”, ka deklaruar se ëndërron rikthimin te Milani. “UI dërgoj një puthje të madhe tifozëve të Milanit, shpresojmë të shihemi së shpejti, vështirë të kthehem shpejt, por shpresoj të kthehem pas pak, siç bëri edhe Kaka, që realizoi një histori të bukur duke u kthyer për të mirën e të gjithëve. Më vjen keq që ika pa përshëndetur pasi nuk e dija që do ikja nga Milani. Një përshëndetje për të gjithë tifozët kuqezinj”, – është shprehur mbrojtësi.
Sedorf: Nuk lëviz nga Milan, shpifje
Pas humbjes së Milanit ndaj Sasuolos me rezultatin 4-3 në ndeshjen e fazës së parë drejtuesit kuqezinj shkarkuan Masimiliano Alegrin duke emëruar në krye të klubit 38-vjeçarin holandez. Megjithatë, çdo e mirë e ka edhe një të keqe, pasi mund të jetë pikërisht ndaj Sasuolos sfida e fundit për Sidorfit në stolin e Milanit. Duke marrë parasysh edhe deklaratat e fundit të presidentit Silvio Berluskoni, me shumë mundësi aventura e holandezit në krye të Milanit do të marrë fund në mbyllje të sezonit edhe pse Sidorf kur pyetet për këtë çështje nuk dëshiron të zhbalancohet. “Kam edhe dy vite të tjera kontratë me Milanin dhe është pikërisht kjo e ardhmja ime. Emrat e shumtë që fliten për të marrë drejtimin e Milanit? Nuk dëshiroj t’i them asgjë askujt, kam 23 vjet që jetoj në botën e futbollit dhe lexoj gjithmonë shumë shpifje”.




