Reagimi / Ministri Naço: Shkeli hapur ligjin, të shkarkohet gjyqtarja Miranda Çekrezi

Sonila Mesareja

Kërkesa, pas rrëzimit të kërkesës së prokurorisë për pezullimin e gjyqtarit Gjin Gjoni nga detyra

Ministria e Drejtësisë: Gjyqtarja i ktheu nderin kolegut, pasi ky e gjykoi në vitin 2011

 

nasipi.naco_3Rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë së Elbasanit për pezullimin nga detyra të gjyqtarit Gjin Gjoni, Ministria e Drejtësisë e ka konsideruar një nder që gjyqtarja Miranda Çekrezi i ka kthyer kolegut të saj për shkak të një vendimi të dhënë në vitin 2011. Për këtë arsye, ky institucion e akuzon gjyqtaren e Gjykatës së Shkallës së parë të Elbasanit se ka shkelur hapur ligjin dhe kërkon nisjen e procedurave për shkarkimin e saj nga detyra. Reagimi ka ardhur dje nga Ministria e Drejtësisë përmes një deklarate për shtyp, ku njoftohej se ka kërkuar zyrtarisht nisjen e procedurave për shkarkimin e gjyqtares Miranda Çekrezi, me argumentin se ka shkelur hapur ligjin. Sipas ministrit, gjyqtarja s’duhet të gjykonte çështjen për pezullimin e Gjin Gjonit, pasi ky i fundit ka gjykuar Çekrezin në vitin 2011. Ministri Naço është shprehur se gjyqtarja Çekrezi ka mbetur peng e ndereve të vjetra. Ai ka theksuar se Ministria e Drejtësisë është e vendosur të zbatojë ligjin ndaj kujtdo.

Reagimi

Ministria e Drejtësisë bën me dije se “ndaj gjyqtares Miranda Çekrezi, me vendimin nr. 279, datë 16.09.2011 të Këshillit të Lartë të Drejtësisë është dhënë masa disiplinore vërejtje. Ndaj këtij vendimi është ushtruar e drejta e ankimit në Gjykatën e Apelit Tiranë, nga ana e gjyqtares Miranda Çekrezi dhe kjo çështje është gjykuar nga trupi gjykues me kryesues gjyqtarin Gjin Gjoni. Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr. 30-2011-5449 datë 09.12.2011 ka vendosur pranimin e kërkesë padisë, anulimin e vendimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si të pabazuar në prova dhe ligj. Në këto kushte, kur gjyqtarja ka qenë në konflikt të hapur interesi dhe në bazë të dispozitave procedurale penale, duhet të hiqte dorë nga gjykimi i kësaj çështjeje”. Marrjen e vendimit nga gjyqtarja për kolegun e Gjoni, Ministria e Drejtësisë e konsideron një larje nderi nga ana e Çekrezit, duke e quajtur edhe shkelje të ligjit. Për këtë arsye, ministri ka kërkuar nisjen e procedurave për shkarkimin e saj nga detyra.

Vendimi

Dy ditë më parë, Gjykata e Elbasanit rrëzoi kërkesën e Prokurorisë për pezullimin nga detyra të gjyqtarit Gjin Gjoni, njëherazi anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i akuzuar nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, për fshehje pasurie, falsifikim dokumentesh dhe pastrim të produkteve të veprës penale. Prokuroria e Elbasanit bëri të ditur se pas shqyrtimit të materialit në kallëzim, organi i akuzës vlerëson të nevojshme për hetimin që të aplikohet masa ndaluese “pezullim nga detyra”, sipas parashikimit të nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale. Kërkesa u dorëzua në Gjykatë tri ditë më parë, ndërkohë që dy ditë më parë gjykata e rrëzoi pretendimin e prokurorisë. Për anëtarin e KLD-së, procedimi u regjistrua në prokurorinë e Elbasanit, për shkak të konfliktit të interesit që mund të kishte përsa kohë Gjin Gjoni ushtron dhe detyrën e gjyqtarit të Apelit në Tiranë. Dy ditë më parë, ILDKP nisi hetimin administrativ për rikonfirmimin e disa të dhënave të paraqitura nga gjyqtari Gjoni në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit. Edhe ky institucion të mërkurën ka dorëzuar në prokurori një kallëzim penal për gjyqtarin për falsifikim dokumentash.

Çifti Dhima-Çela

Dy ditë më parë, edhe Gjykata e Durrësit ka rrëzuar kërkesën e Prokurorisë për pezullimin e gjyqtares Klorinda Çela, e cila është nën hetim po për fshehje të pasurisë, ndërsa bashkëshorti i saj Ken Dhima, që aktualisht është gjyqtar në Gjykatën Administrative në Vlorë, është pezulluar nga e njëjta gjykatë për një afat 3-mujor. Edhe për çiftin e bashkëshortëve, Ministria e Drejtësisë kërkon nga ana e saj në Këshillin e Lartë të Drejtësisë marrjen e masës disiplinore të shkarkimit nga detyra në bazë të një raporti të Inspektoriatit të Lartë të Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive që ka gjetur episodet e deklarimit të rremë të pasurisë.

Somario

“Në këto kushte, kur gjyqtarja Çekrezi ka qenë në konflikt të hapur interesi dhe në bazë të dispozitave procedurale penale, duhet të hiqte dorë nga gjykimi i kësaj çështjeje” reagon Ministria e Drejtësisë

 

Ballsh

Plagoset me armë zjarri 19-vjeçari, dyshohet aksidentale

Një 19 vjeçar është plagosur me armë zjarri ditën e djeshme në fshatin Drizar të Ballshit. Policia bën me dije se i plagosuri është Golik Mema, i cili rezulton të ketë marrë plagë në kraharor. Të riut i është dhënë menjëherë ndihmë duke e nisur për në spital, ku dhe ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Nga hetimet paraprake dyshohet që 19-vjeçari të jetë vetëplagosur me pistoletë ndërsa luante në bilardo. Burime nga policia bëjnë me dije se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, grupi hetimor ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të kësaj plagosjeje. Forcat e policisë ndërkaq kanë sekuestruar armën tip pistoletë dhe në vendin e ngjarjes është gjetur edhe një gëzhojë. Në pyetje janë marrë disa dëshmitarë, ndërsa pritet edhe dëshmia e vetë Memës për të hedhur dritë mbi këtë ngjarje.

 

Mat

Del nga rruga trajleri me krom, plagoset drejtuesi

Një trajler me targa AA 927 IY, i ngarkuar me krom ka dalë nga rruga pasditen e djeshme në zonën e Matit, në zonën e quajtur “Qafa Dushk”, 8 km larg vendit të quajtur “Qafa e Buallit” dhe për pasojë ka mbetur i plagosur drejtuesi i tij, Rexhep Maraqeshi, 50 vjeç nga Burreli. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:10 të ditës së djeshme. Nga hetimet paraprake, sipas policisë dyshohet se shkak për aksidentin është bërë mosfunksionimi në mënyrën e duhur të sistemit të frenimit për shkak të ngarkesës së madhe. Megjithatë, dyshohet se shkak mund të jetë bërë lagështia e madhe në rrugë. Ndërkohë të njëjtat burime bëjnë me dije se shoferi i plagosur, është dërguar në spitalin e Burrelit për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe më pas është nisur drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë. Do jenë ekspertët rrugorë që do përcaktojnë shkakun e këtij aksidenti, ndërsa pritet të marrin edhe dëshminë e drejtuesit të trajlerit.

 

Share it :