Hakmarrja/ Gruaja shtatzënë kërkon urdhër mbrojtjeje, burri e përplas me makinë

Sonila Mesareja

 Policia ndalon autorin Gers Gjinin, e dëmtuara në muajin e 8-të të shtatzënisë pëson plagë në gjymtyrë dhe shoqërohet me ambulancë në spital

ambulanca duke dale nga gjykata Pas lëshimit të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes për ta ruajtur nga bashkëshorti-dhunues, dje Gjykata e Tiranës do të duhej të verifikonte kushtet e zbatimit të vendimit dhe zgjatjen e këtij urdhëri për kërkuesen Dëshira Lami. Por, ndërsa shkonte në Gjykatë për të vijuar procesin e caktuar për në orën 12:00 nga gjyqtarja Vjosa Zaimi, Dëshira Lami, shtatzënë në muajin e 8-të, do të përplasej në shenjë hakmarrjeje nga Gers Gjini, bashkëshorti i saj, i cili do të largohej me shpejtësi. Gruas i është dhënë menjëherë ndihma e parë në brendësi të ambienteve nga një dëshmitar, duke e futur në katin e parë të Gjykatës, ndërsa pritej të vinte ambulanca që do ta transportonte për në spital. Efektivë të policisë së Gjykatës dhe dëshmitarë të shumtë ndihmuan policinë në dhënien e targës së autorit të kësaj përplasjeje të qëllimshme, për të bërë të mundur ndalimin e tij. Ndërkohë që, ambulanca ka mbërritur në kohë dhe pas një mjekimi paraprak, ka shoqëruar për në spital Dëshira Lamin, e cila pësoi disa fraktura në gjymtyrë. E reja është shoqëruar edhe nga disa efektivë policie, të cilët do të marrin edhe dëshminë e saj për ngjarjen.

 

Vendimi

Gjykata e Tiranës, konkretisht seksioni familjar, ka shqyrtuar më 3 maj kërkesën e Dëshira Lamit për të lëshuar urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes për të, duke urdhëruar bashkëshortin e saj, Gers Gjini, që të mos e kërcënojë apo t’i afrohet e saj. Në vendimin e datës 3 maj, gjyqtarja Vjosa Zaimi vendosi “pranimin e kërkesë-padisë. Lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes për paditësen Dëshira Lami, që konsiston në marrjen e masave si më poshtë: Urdhërohet menjëherë i padituri Gers Gjini të mos kryejë dhe të mos kërcënojë se do të kryejë dhunë në familje ndaj paditëses Dëshira Lami. Urdhërohet menjëherë i padituri Gers Gjini të mos cenojë, ngacmojë paditësen Dëshira Lami. Ky urdhër i menjëhershëm mbrojtje i fillon efektet që nga data 3.5.2014”. Ndërkohë që gjyqtarja vendosi që dita e djeshme në orën 12:00 të ishte data kur duhej të fillonte gjykimi për vërtetimin e këtij urdhri. “Ky vendim përbën titull ekzekutiv dhe ekzekutohet menjëherë nga Zyra e Përmbarimit” përfundonte vendimi. Ndërkohë që dje duhej të paraqiteshin të dy palët për vërtetimin e zbatimit të këtij urdhri mbrojtjeje, bashkëshorti-dhunues Gers Gjini jo vetëm vërtetoi dhunën e ushtruar, por ai përplasi me makinë bashkëshorten edhe në kushtet e shtatzënisë, përkatësisht në muajin e 8-të.

 

Vendimet/ Gjykata rrëzon Prokurorinë për gjyqtarët Gjoni e Çela, pezullon 3 muaj Dhimën

Gjykatat e Elbasanit dhe Durrësit kanë rrëzuar Prokurorinë për kërkesat e pezullimit nga detyra të gjyqtarëve Gjin Gjoni e Klorinda Çela, ndërsa pezulloi vetëm për 3 muaj bashkëshortin e kësaj të fundit Ken Dhima. Pas nisjes së procedimit penal për anëtarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe gjyqtarin Gjin Gjoni, Gjykata e Elbasanit rrëzon kërkesën e prokurorisë dhe nuk e ka pezulluar atë. Vendimi është dhënë dje nga gjykata e Elbasanit, ndërsa togat e zeza ende nuk kanë zbardhur asnjë argument për vendimin e tyre, por janë mjaftuar me dispozitiv. Po e njëjta kërkesë nga prokuroria u bë dhe në gjykatën e Durrësit për pezullimin e çiftit të bashkëshortëve gjyqtarët Ken Dhima dhe Klorinda Çela, për të cilët Dhima pezullohet me tre muaj nga detyra ndërsa Klorinda vazhdon të mbetet në detyrë. Ken Dhima dhe Klorinda Çela u akuzuan nga Ministria e Drejtësisë për shpërdorim detyre dhe fshehje pasurie, ndërsa ka nisur dhe procedim penal nga prokuroria.

 

 Tiranë/ Gjyqi i kryebashkiakut Mziu, dy dëshmi për taksat e Bashkisë

Një agjente sigurimesh dhe një ish-përfaqësues kompanie janë pyetur dje nga Gjykata në gjyqin ndaj kryebashkiakut të Kamzës, Xhelal Mziu, dhe dy vartësve të tij Atli Hoti dhe Bujar Loshi. E para ka dëshmuar agjentja e kompanisë së sigurimeve të “Gjoka Konstruksion” dhe më pas ish-përfaqësuesi i kompanisë “Albavia” për skualifikimet e tyre edhe pasi kishin fituar tenderin për ndërtimin e rrugës “Zgjimi” në Laknas. Më herët Mziu kishte kërkuar shtyrjen e seancës, për shkak të mungesës së avokatit të tij Genci Gjokutaj, por seanca vazhdoi me një avokate kryesisht. Agjentja e kompanisë së sigurimeve deklaroi se kompania “Gjoka Konstruksion” kishte policë sigurimi, një ndër pretendimet për të cilat kjo kompani ishte skualifikuar. Policat lëshoheshin të paplotësuara dhe me vulë, të cilat regjistroheshin pasi ktheheshin të plotësuara nga vetë kompania sipas marrëveshjes mes tyre. Ndërsa vetë kryebashkiaku Mziu paraqiti një tjetër pretendim të drejtorit të kompanisë së sigurimeve, sipas të cilit, “Gjoka Konstruksion” nuk ishte siguruar. Ndërsa përfaqësuesi i kompanisë “Albavia” dëshmoi për një taksë të mbivendosur pa të drejtë për shfrytëzim të hapësirave publike, mosshlyerja e të cilës e kishte skualifikuar në tenderin për rrugën “Zgjimi”.

 

 

 

Share it :