Florenc Drizari
Kryetari i PD-së, Basha: Rama-Tahiri, përpjekje maksimale për pastrimin e skenës së krimit
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, reagoi ashpër në drejtim të krerëve të qeverisë lidhur me ngjarjen e djeshme të uljes së avionit në plazhin e Divjakës dhe sekuestrimin e 460 kg drogë disa dhjetëra metra larg zonës në fjalë. Gjatë një deklarate për mediat, kreu i opozitës hodhi dyshime për pastrimin e skenës së krimit, siç e quajti ai, duke deklaruar se me rrëzimin e avionit të drogës ka rënë edhe qeveria. Basha tha se ngjarja e djeshme vërtetoi akuzat e opozitës gjatë këtyre javëve, ndërkohë që paralel me këto ngjarje në Kuvendin e Shqipërisë është ngritur edhe një komision hetimor për zbardhjen e akuzave rreth kësaj çështjeje.
Basha
“Sot konfirmohen informacionet dhe indicet që kanë dhënë punonjësit e ndërgjegjshëm e patriotë të shërbimeve shqiptare, shërbimet partnere dhe qytetarët e thjeshtë sa në Gjadër, Divjakë, Kardhiq e gjetkë për trafikun e drogës edhe me avionë të vegjël me dijen, lejen, pjesëmarrjen dhe symbylljen kundrejt shpërblimit të qeverisë dhe autoriteteve qeveritare. Sot konfirmohen shqetësimet dhe akuzat që ka ngritur PD dhe opozita në një betejë të vështirë por të pakthyeshme me papërgjegjshmërinë, shurdhërinë dhe përpjekjet e qeverisë për të shmangur me çdo çmim transparencën. Sot, ata që më demek janë tallur e kanë qeshur me akuzat e opozitës, janë vetëpaditur para opinionit publik si bashkëpunëtorë të hapur me narkotrafikantët. Sot bashkë me avionin e drogës ka rënë edhe çdo kufi mes narkotrafikantëve dhe qeverisë dhe ata kanë dalë para qytetarëve të këtij vendi por edhe para mbarë botës, si një”, – deklaroi Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike theksoi më tej se opozita po e ndjekin nga afër me përgjegjësi të madhe ngjarjen dhe mbështesin pa asnjë rezervë, punonjësit e ndërgjegjshëm të gjithë shërbimeve ligjzbatuese në vend në misionin e tyre fisnik në shërbim të ligjit, sovranitetit dhe imazhit të vendit.
Partia Demokratike ashtu sikundër çdo shqiptare dhe shqiptar kërkon zbardhjen e plotë të ngjarjes nga organet kompetente dhe nxjerrjen e fajtorëve para drejtësisë. Publiku shqiptar, i majtë, i djathtë, i qendrës apo pa parti, burra, gra, të rinj, të reja e të moshuar, nuk mund të pajtohen e nuk mund të pranojnë në asnjë mënyrë të qeverisen nga një grup njerëzish që ka dhënë e po jep prova të pakundërshtueshme se nuk e lufton por e punëson krimin, nuk e lufton por e mbështet trafikun e drogës, nuk është përballë, por është bërë pjesë e kartelit të drogës”, – deklaroi Basha.
Në fund të deklaratës së tij, kreu i opozitës tha se bashkë me “avionin e drogës ka rënë edhe qeveria e mashtrimeve dhe dështimeve. Nuk ka rrotë apo mushkonjë ta shpëtojë nga gjykimi i drejtë i popullit”.
“Droga me avionë”, Bylykbashi: Gjurmët janë mbi rërë. Qeveria kot përpiqet të mohojë lajmin
Zëvendëskryetari i Komisionit Hetimor Parlamentar (komision i ngritur pak ditë më parë) për hetimin e indiceve për transportin e mundshëm të drogës me avionë si dhe përdorimin e infrastrukturës së ushtrisë në këtë trafik, Oerd Bylykbashi, me anë të një postimi të shkurtër në profilin e tij në “Facebook”, shpjegon situatën e djeshme të ndodhur në Divjakë ku ai dhe deputetë të tjerë të opozitës, kanë qenë në vendngjarje. “Ja dhe mushkonjat që përpiqet të fshehë qeveria. Policia i mbajti gazetarët larg për disa orë. Ndërkohë pastrohej skena e krimit dhe manipulohej lajmi. Gazetarët u penguan për disa orë të afroheshin tek skena e krimit dhe u lejuan vetëm sapo bashkë me kolegun Gent Strazimiri, anëtarë të Komisionit Hetimor për drogën, kaluam postbllokun e parë të policisë. Qeveria po përpiqet të hedhë rërë mbi gjurmët e të vërtetës. Madje Komisionin Hetimor e kanë ngritur për të përgënjeshtruar akuzat. Por gjurmët e avionit janë mbi rërë. Kot e ka qeveria që përpiqet të mohojë lajmin. Sic thoshtë Andreoti, lajmi i mohuar është lajm i dhënë dy herë”, – ka shkruar Bylykbashi.
Reagime nga deputetë të opozitës në “Facebook”
Jozefina Çoba Topalli
Rama IK!
Edi Paloka
Tahiri rreshton “medaljet”
Rama e mburr me avionin që pësoi defekt.
Eduard Halimi
Avioni i radhës me drogë u rrezua sot (dje) në Divjakë, dhe ishin qytetarët që lajmëruan median dhe policinë. Lakmia e tepërt bëri që të dështonte transporti i tonelatave të radhës me drogë dhe Rama do thoshte serish mushkonja.
Flamur Noka
Lajmi mbi ngecjen e nje avioni ne reren e bregdetit te Divjakes dhe gjetja ne te njejten vend e fuoristrades me droge dhe Euro eshte prova e gjalle e alarmit qe PD ka ngritur se Rama -Meta e kane kthyer Shqiperine tone te dashur ne nje Kolumbi te dyte.
Kastriot Islami
Tahiri duhet të japë dorëheqje…
Kodheli duhet të japë dorëheqje..
Rama duhet të japë dorëheqje…
Debatet në Kuvend për avionët me drogë dhe “mushkonjat”
mes Berishës, Ramës dhe Metës – Datë 17.4.2014
Sali Berisha: Lidhur me çështjen e avionit dhe të trafikut të drogës në Gjadër, unë dua t’ju informoj ju me përgjegjësi të plotë se Shërbimet Inteligjente të Ushtrisë dhe shërbimet e tjera ushtarake, sipas burimeve të pa kundërshtueshme të Forcave të Armatosura, të cilët urrejnë mashtrimet dhe krimin që po i kaplon, kanë informuar me kohë të përbetuarën këtu para jush (Kodhelin) mbi gënjeshtrën. Ky përbetim është i një njeriu të papërgjegjshëm, i Edi Ramës, i cili ka filluar të gllabëroje pronat e ushtrisë në mënyrë të paimagjinueshme.
Ilir Meta: Zoti Berisha, ju lutem kthehuni nga qytetarët, ju lutem se i keni kthyer kurrizin.
Sali Berisha: Do i provojmë dhe do i faktojmë shqiptarëve se çfarë po bëni ju. Merrni paratë e komandove dhe shkoni e fshini plehrat dhe i lini dy muaj pa rrogë. Vijnë nga fronti dhe njeri s’u del në aeroport për t’i pritur se kanë punë të tjera. Janë lëshuar si lukuni në pronat e ushtrisë.
Ilir Meta: Fjalën e ka z. Rama, por me qetësi e mos bëni zhurmë. Zoti Braçe, se u mërzitët për punën e Divjakës, se jua përmendi, por ka mundësi të ketë ndodhur një keqkuptim shumë i madh, sepse ka nis një aksion i Ministrisë së Shëndetësisë për spërkatjen në Divjakë prej kohësh edhe prandaj kanë vajt ato sms se spërkatja bëhet gjatë kohës që nuk ka diell, bëhet në periudhë të errët dhe ka mundësi që edhe në Gjadër të jenë përsëri helikopterët që bëjnë spërkatjet në Shëngjin se kishte njëzet e ca vjet Shqipëria pa spërkatje në sezonet turistike.
Edi Rama: Kryetar dhe Bashkëkryetar do rroni më shumë se unë dhe normal se jam më i vjetër se ju, pikërisht këtë doja të thosha, duke dëgjuar se doktorit i shkojnë sms se çdo natë avionët ulen mbi Divjakë. Nuk janë avionët por janë mushkonjat që kanë 25 vjet qysh se doktori mori shtetin në dorë që nuk i hedh më njëri asnjë lloj helmi dhe kështu që janë kthyer si avionë të droguar që pickojnë vazhdimësisht opozitën sot dhe opozita me drogën që merr nga mushkonjat, vjen këtu e pickuar dhe përpiqet të pickojë opinionin publik, por është stina e fundit kjo sepse javën që vjen fillon dezinfektimi.
Ilir Meta: Jam i bindur doktor që sms t’i dërgojnë socialistët e Divjakës pikërisht që pa dashje të krijojnë këto situatë të paqena.
Sali Berisha: Ratë në kurth, sepse për gjera të tilla serioze, instinkti më ka thënë dhe më thotë se duhet një superkujdesje. Mesazhi ka ardhur tre muaj përpara se ju të shqiptonit për here të parë termin spërkatje për mushkonjat dhe tani doni të mbroheni me spërkatësit e Beqes, kjo është qesharake dhe mesazhi është botuar, është hapur gazeta. Tre muaj përpara është hapur gazeta “Rilindja Demokratike”, ndaj dhe kësaj here kunupi nuk ju shpëton dot. Kunupi do t’ju hajë të gjithëve ju.
Ilir Meta: Megjithatë ky aksioni kundër mushkonjave duhet përshëndetur besoj.
Edi Rama: Kur zgjohesh i pickuar nga mushkonja do kohë që të kapësh veten. Sms kanë ardhur pikërisht kur s’kishte filluar spërkatja dhe mushkonjat u bënë avionë nga mungesa e spërkatjes. Spërkatja fillon javë që vjen. Sa ishit ju në pushtet i hapët rrugën Kunupit dhe e bëtë linjë ajrore për drogë.
Qëndrimet e mazhorancës
Kapja e drogës në Divjakë, Rama:Prova
e fortë e radhës se shteti po ringrihet
Braçe: Nuk ndodhi aksidentalisht! U realizua pasi prej muajsh kontrollohet e mbrohet nga çdo veprimtari e paligjshme
Florenc Drizari
Pas publikimit të lajmit për uljen e një avioni në Divjakë dhe kapjen e një sesie prej rreth 460 kg marijuanë pranë zonës së plazhit, kanë ardhur edhe reagimet e krerëve të qeverisë. Kryeministri Edi Rama edhe pse në një koment të shkurtër në rrjetet sociale, ka vlerësuar operacionin e policisë. Sipas kreut të qeverisë, kapja e sasisë së drogës tregon se Policia e Shtetit po ringrihet. Në komentin e tij kryetari i mazhorancës nuk ka folur për çështjen e avionit, por vetëm për kryerjen e detyrës nga forcat e policisë.
“Operacioni i sotem antidroge prova e forte e radhes se shteti po ringrihet me shpejtesi e Policia e Shtetit eshte kthyer ne krye te detyres!”, – thuhet në komentin e Kryeministrit Edi Rama. Por ky nuk ishte i vetmi qëndrim i përfaqësuesve të qeverisë, apo i deputetëve të Partisë Socialiste. Fillimisht ka qenë ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i cili ka bërë një përmbledhje të shkurtër të situatës, ndërkohë që deputeti më aktiv ka qenë Erjon Braçe. Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, njëkohësisht edhe deputet i zonës së Divjakës i Partisë Socialiste, ka vlerësuar operacionin e policisë, duke nënvizuar se ngjarja nuk ka lidhje me zonën e Divjakës apo persona që jetojnë në këtë territor.
Erjon Braçe
Deputeti i mazhorancës theksoi se çdo shqiptar mori provën e radhës së një qeverie të angazhuar fort në luftën kundër paligjshmërisë, korrupsionit, krimit të organizuar. Sipas tij, aksioni i djeshëm i policisë ishte prova që e radhës së qeverisë e cila mbetet e angazhuar për të luftuar krimin dhe trafiqet në vend.
“Çdo shqiptar, mori provën e radhës së një qeverie të angazhuar fort në shkëputjen e çdo lidhje të hershme e të konsoliduar mes krimit dhe këtij vendi, të përdorur gjatë, për 8 vjet me radhë, për trafiqe gjithfarësh, përfshirë trafikun e njerëzve, drogës, armëve. Dita e sotme sjell në vëmendje të kujtdo një dallim të madh mes: Vullnetit politik për të mbështetur politikisht çdo linje trafiku, çdo organizate kriminale, çdo trafikant, duke dhënë nga një djalë e vajzë qeverie si garant për ta, ndodhur çdo ditë në 8 vite të qeverisë Berisha Basha; Dhe vullnetit politik për të ngritur, pajisur, rritur e bërë funksionale, çdo strukturë shtetërore për të goditur çdo linjë trafiku, çdo organizatë kriminale, çdo trafikant pavarësisht emrit e mbiemrit, fuqisë financiare e logjistike që kanë, ndodhur çdo ditë të 8 muajve të një qeverie të re të vendosur qartë përballë krimit”, – deklaroi në një konferencë për shtyp në Partinë Socialiste deputeti Braçe.
Në deklaratën e tij Braçe thotë se ky aksion nuk ndodhi rastësisht dhe se çdo gjë ishte e koordinuar më parë. “Nuk ndodhi aksidentalisht! U realizua pasi prej muajsh kontrollohet e mbrohet nga çdo veprimtari e paligjshme, çdo pëllëmbë e këtij territori; U realizua pasi sot, çdo agjenci shtetërore, çdo strukturë policore e ushtarake, ishte gati, mbikëqyri, raportoi, koordinoi, veproi dhe goditi në kohë rekord një tentative trafiku, dëshmoi efikasitet dhe vullnet të qartë politik për të goditur pa u ndalur, blerë e korruptuar si 8 vite me radhë”, – deklaroi Braçe. Por përpos këtyre deklaratave vijnë reagimet e deputetëve të opozitës si dhe të disa qëndrimeve jozyrtare nga persona në vendin e ngjarjes që thonë se aksioni i policisë për kapjen e drogës ishte i rastësishëm pas humbjes së koordinatave të avionit të vogël në zonën e Divjakës.




