Biznesi gjerman: Barra e taksave është përkeqësuar!  

Ervin Kaduku

Bizneset gjermane vlerësojnë të përkeqësuar barrën fiskale si pasojë e rritjes së taksave, në një kohë kur e rendisin Shqipërinë si vendin e 4-t më pak interesant për investime në Evropën Juglindore. Jemi në “grup” me Ukrainën dhe Bjellorusinë…

fasone Investitorët gjermanë e shohin me shqetësim rritjen e taksave nga ana e qeverisë “Rama”, që ka hyrë në fuqi në fillim të këtij viti. Konfirmimi vjen nga rezultatet e anketimit vjetor të Shoqatës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA) mbi klimën e biznesit dhe investimeve në Shqipëri.

Sipërmarrësit kanë renditur si të përkeqësuar barrën fiskale në vend, e cila është ulur me shpejtësi në renditjen e faktorëve që ndikojnë në situatën e biznesit në Shqipëri, duke zbritur nga vendi i 5-të në atë të 14-të.

“Rritja e bërë është e pranueshme nga biznesi gjerman, megjithëse ishte shqetësues fakti që mungoi transparenca në hartimin e sistemit të ri dhe faktit se shumë ndryshime u bënë në momentin e fundit nga qeveria. Për ne ka rëndësi që taksat të mos rriten më tej dhe që zbatimi i tyre të jetë i njëjtë për të gjithë”, – tha znj. Anette Kasten, sekretare e përgjithshme e DIHA-s.

Faktorët, të cilët kompanitë i marrin parasysh në zgjedhjen e një vendi për të investuar, vlerësohen veçanërisht në mënyrë kritike. Shqipëria renditet në listën e katër vendeve të fundit me më pak interes për të investuar për këtë vit.

“Kjo vjen si pasojë e faktit që Shqipëria është një vend i vogël dhe informacioni për të është minimal dhe në rastet kur ka, ai informacion është negativ. Qeveria duhet të punojë shumë në njohjen e vendit dhe përmirësimin e imazhit nëse do që të tërheqë investime”, – tha znj. Anette Kasten, sekretare e përgjithshme e DIHA-s.

 

Situata

Vlerësimi i situatës aktuale ekonomike në Shqipëri nuk ka ndryshim të dukshëm krahasuar me rezultatet e një viti më parë. Vetëm 13% e të anketuarve e vlerësojnë pozitivisht situatën ekonomike, ndërkohë që vitin e kaluar ishin 12%.

26% e kompanive pjesëmarrëse në këtë anketim mendojnë se situata ekonomike është deri diku e kënaqshme, ndërkohë që 62% e të anketuarve e vlerësojnë atë si negative.

Më tepër se gjysma e kompanive të anketuara nuk do të realizojnë investime të mëdha, si dhe nuk planifikojnë një rritje të dukshme të numrit të punonjësve.

Por një sinjal negativ, këtë vit, vjen nga të dhënat mbi atraktivitetin e vendit tonë si destinacion për investime gjermane. Për këtë vit Shqipëria, Kosova, Bjellorusia dhe Ukraina renditen ndër 4 vendet më pak tërheqëse.

Mbi 1400 kompanitë pjesëmarrëse në këtë anketim vlerësojnë, përveç vendit të tyre, edhe vende të tjera të mundshme si destinacione për investim, nga gjithsej 20 vende, duke u pyetur në këtë mënyrë edhe për atraktivitetin e vendeve: Ukrainë, Rusi, Mali i Zi dhe Bjellorusi.

 

Faktorët

“Nisur nga sa më sipër, lidhur me vlerësimin e Shqipërisë si vend për të investuar, mund të konkludohet se përveç marrjes së masave kundër faktorëve negativë, një rol të rëndësishëm në tërheqjen e investitorëve të huaj, luan edhe prezantimi/njohja e potencialeve ekonomike të Shqipërisë”, – thotë znj. Kasten.

Për vlerësimin e Shqipërisë si vend për investime, pjesëmarrësit në anketim u pyetën mbi 20 faktorë, të cilët merren zakonisht parasysh në zgjedhjen e një vendi për të investuar. Në mënyrë të përmbledhur, në këto rezultate vihet re një vlerësim i lartë i fuqisë punëtore në Shqipëri. Nga ana tjetër, në këtë pjesë paraqiten qartë dhe në mënyrë të sintetizuar, kërkesat e bizneseve që operojnë në Shqipëri ndaj qeverisë shqiptare.

Vendet e para i zënë faktorë të tillë, si produktiviteti, motivimi dhe kualifikimi i fuqisë punëtore, si dhe cilësia e arsimit akademik. Vlerësimin më të lartë e ka marrë kostoja e punës.

Vlerësim mesatar kanë marrë faktorë të tillë, si e drejta e punës, cilësia e furnitorëve lokalë, infrastruktura, si dhe disponueshmëria e fuqisë punëtore të kualifikuar.

Megjithatë, vlerësimi për këta faktorë është përkeqësuar krahasuar me vitin e kaluar.

Sistemi dhe administrata tatimore, administrata publike si dhe disiplina në pagesa janë vlerësuar pak më mirë se në anketimin e vitit 2013.

Faktorë të tillë, si kërkimi e zhvillimi, si dhe sistemi i arsimit profesional renditen ndër të fundit dhe krahasuar me vitin e shkuar, vihet re përkeqësim në vlerësim.

Barra tatimore, një faktor i rëndësishëm, ka zënë vendin e 14-të, duke shënuar në këtë mënyrë rënie, krahasuar me rezultatet e anketimit të vitit 2013, ku ky faktor zinte vendin e 5-të.

Vlerësimin më negativ e kanë marrë faktorët: parashikueshmëria e politikave ekonomike, transparenca e tenderëve publikë si dhe lufta kundër korrupsionit dhe kriminalitetit. Vendin e fundit këtë vit e zuri siguria ligjore.

Kompanitë i shohin faktorët, të cilët karakterizojnë Shqipërinë, si një destinacion për investime, në mënyrë kritike.

Në anketim u vlerësuan gjithsej 20 faktorë me notën 1 (shumë mirë) deri në 6 (shumë keq). Vlerësimin më pozitiv e kanë marrë faktorët: kostoja e punës (2.74), produktiviteti dhe motivimi i punonjësve (2.97), kualifikimi i punonjësve (3.00) si dhe arsimi akademik (3.15). Por krahasuar me vitin e shkuar, të katër faktorët e parë – me përjashtim të faktorit kosto e punës – janë përkeqësuar, disa në mënyrë të konsiderueshme. Kualiteti i arsimit profesional vazhdon të vlerësohet negativisht, duke treguar se që nga fillimi i realizimit të këtij anketimi nuk ka ndryshuar asgjë thelbësore. Vlerësimin më negativ e morën faktorët: parashikueshmëria e politikave ekonomike (3.82), transparenca e tenderëve publikë (3.97), lufta kundër kriminalitetit dhe korrupsionit (4.00) dhe siguria ligjore (4.16).

Pjesa më e madhe e faktorëve ka pësuar rënie, krahasuar me rezultatet e vitit të kaluar. Vlerësimi negativ për faktorin barra tatimore, i cili në vitin 2013 mbante vendin e 5-të, e ka kaluar atë këtë vit në vendin e 14-të. Kjo vjen për shkak të sistemit të ri tatimor në Shqipëri, i cili hyri në fuqi në janar të vitit 2014. Vendin e fundit këtë vit e mban faktori siguria ligjore, i cili vitin e shkuar ishte në vendin e 17-të. Ky rezultat dëshmon për një situatë të vështirë të Shqipërisë si vend për investime, si dhe një hezitim të investitorëve të huaj për të investuar në Shqipëri.

 

 

ANKETA

Anketimi është kryer në bashkëpunim me Dhomat Gjermane të Tregtisë me Jashtë (AHK) në Rajonin e Evropës Qendrore dhe Juglindore.

Vrojtimi është një projekt i përbashkët i Dhomave Gjermane të Tregtisë në Evropën Qendrore dhe atë Lindore (16 vende)

Pjesëmarrësit në këtë vrojtim janë anëtarët e dhomave përkatëse

Në Shqipëri: 39 pjesëmarrës (54% e anëtarëve të DIHA-s iu përgjigjën pyetësorit)

 

Share it :