Skuadra katalanase nuk ka arritur të marrë një trepikësh ndaj skuadrës së Getafes duke i hequr përfundimisht shpresat vetes në luftën për titull
Barcelona tashmë do të duhet të shohë me dylbi edhe titullin e La Ligas. Pas shumë vitesh katalanasit duket se do të dalin nga një sezon pa fituar asnjë trofe. Humbën për Kupën ndaj Realit dhe disfatë pësuan edhe nga Atletikoja në Ligën e Kampioneve. Dje ishte edhe dita kur duhet t’i thoshin mirupafshim dhe titullit. Edhe pse ekziston matematikisht akoma mundësia që titulli të fitohet nga blaugranasit, duket si një mision i pamundur. Kjo, kur ke përpara dy skuadrat më në formë të momentit. Atletiko dhe Reali duket se kanë marrë frerët në gjithçka dhe nuk do të tolerojnë në luftën për titull. Ishte Getafe që në “Camp Nou” i la të gjithë gojëhapur e të shtangur me barazimin 2-2 në minutën e fundit, duke u rrëmbyer katalanasve një pikë që vlen sa një medalje ari në objektivin për të siguruar mbijetesën. Në të famshmin “Camp Nou”, ku para ndeshjes me Getafen, të gjithë tifozët patën rastin t’i jepnin lamtumirën e fundit të ndjerit Tito Vilanova përmes një ceremonie. Në fillim u duk se ishte dita e blaugranave me Mesin që kaloi skuadrën përpara në minutën e 23-të pas një sulmi shumë të shpejtë, ku argjentinasi nuk lë vend për gabime. Por në mbyllje të pjesës së parë Getafe do të çonte gjithçka në barazim. Fraksioni i parë përfundoi në ekuilibër, pasi Lafita ndëshkoi Barçën pak minuta para se skuadrat t’u drejtoheshin dhomave të zhveshjes. Edhe pse shënoi golin e tij të 20-të në këtë fazë të dytë të sezonit, Leo Mesi tregoi edhe një herë se nuk është ai i nivelit më të lartë që jemi mësuar të shikojmë. Pjesën e dytë skuadra e Tata Martinos zhvilloi një lojë pa shumë ide për blaugranat. Goli i dytë për katalanasit do të shënohej në të 67-ën me anë të kilianit Aleksis Sançez. Por pavarësisht golit të shënuar, loja e katalanasve nuk është në nivelin e duhur. Me aktivizimin e Çesk Fabregasit, u duk se loja mori pak më shumë grintë, por Getafe nga ana e saj nuk ka ndërmend të dorëzohet, duke arritur në fund te goli i barazimit. Do të ishte sërish Lafita, që ka shuar kështu edhe shansin e fundit për titull. Një situatë kjo që ka sjellë shumë pakënaqësi te tifozët. Kjo gjendje pritet të sjellë më vonë edhe ndryshime te ekipi. Jo vetëm në lojtarë, por edhe te stafi teknik.
Garsia: Lufta për titull, e mbyllur
Trajneri i romanëve është shprehur se tashmë lufta për titull ka mbaruar dhe se Juventusi është skuadra që e ka merituar këtë triumf
Dje në konferencë për shtyp foli trajneri i Romës, Rudi Garsia. Tekniku francez që ka bërë një sezon të mrekullueshëm me skuadrën kryeqytetase, ka folur dje edhe për luftën për titullin kampion. Dje strategu roman u shpreh se gara për titullin e Serisë A është mbyllur, ndaj Juventusi duhet përgëzuar për kampionatin që ka zhvilluar. “Kampionati është i mbyllur, rezultati që do të arrijmë ne nuk ndryshon asgjë. Ndaj Katanias do të kërkojmë fitoren e radhës, për ta zgjatur serinë e rezultateve pozitive. Dua të përgëzoj Juventusin për kampionatin që po zhvillon. Është një shoqëri e madhe, që ka futbollistë të mëdhenj. Mendoj se Juventusi ka një ecuri rekord në Serinë A, por kjo është edhe merita jonë, pasi kemi ushtruar presion nga pas. Titulli? Është diçka që nuk e pres më”, – ka thënë trajneri i Romës. Duke analizuar sezonin e Romës, trajneri francez theksoi se detyra e radhës për verdhekuqtë është ta përfaqësojë denjësisht futbollin italian në Ligën e Kampioneve. “Këtë vit patëm një sezon të madh. Pas dy humbjeve në kampionat dhe në Kupën e Italisë, e morëm shumë shpejt veten dhe u rikthyen te fitorja. Kjo skuadër ka karakter, duhet të vijojmë në këtë rrugë. Sezonin e ardhshëm do të bëjmë gjithçka për ta përfaqësuar me nder futbollin italian në Ligën e Kampioneve, do të bëjmë të pamundurën që të fitojmë sa më shumë ndeshje”, – deklaroi Garsia. Renditja e fundit e UEFA-s tregoi se futbolli italian ka humbur një vend, duke u parakaluar nga Portugalia, që për Garsian do të thotë një short më i vështirë. “E kam të vështirë të them diçka për kampionatin, vitin e ardhshëm nuk do ta kemi aspak të lehtë, pasi do të kemi dy, tre skuadra të forta në grup. E pamë se çfarë ndodhi me Napolin, që zhvilloi një Champions të bukur në fazën e grupeve, ku nuk u mjaftuan as 12 pikë për t’u kualifikuar. Nëse duam ta përfaqësojmë Italinë, duhet të jemi gati dhe të kemi besim se mund t’ia dalim”, – përfundoi trajneri francez.
Venger: Arsenali nuk do të shpenzojë shumë
Menaxheri i Arsenalit, Arsen Venger, deklaroi se klubi i tij nuk do të bëjë blerje të shfrenuara gjatë afatit kalimtar veror. Të premten u spekulua se klubi i ka gati 122 milionë euro, të cilat do t’ia dorëzojë trajnerit për të blerë lojtarë, por strategu francez nuk e ka në plan të shpenzojë aq shumë. “Do të jetë një treg i ngarkuar, por kryesorja për ne është që të ruajmë stabilitetin, sepse mendojmë se jemi afër titullit, duam të shtojmë diçka që na bën edhe më të fortë, por treguar në numra, nuk do të jetë diçka masive. Aktualisht kam angazhuar njerëz që kanë filluar të kërkojnë lojtarë”, – ka deklaruar Venger. Vetë francezi nuk ka vendosur akoma që ta nënshkruajë vazhdimin e kontratës dhe ka vendosur që ta bëjë këtë pas finales së FA Cup.
Gëtze shënon “het-trik” ndaj Hamburgut
Bajerni i Mynihut ka regjistruar fitore prej 4-1 si mysafir i Hamburgut në “Imtech Arena”. Në këtë ndeshje shkëlqeu Mario Gëtze, i cili realizoi “het-trik”. Golin e parë mesfushori gjerman e realizoi në gjysmën e parë, ndërsa dy të tjerët në pjesën e dytë. Hakan Kalhanoglu shënoi golin e nderit për vendasit kurse Klaudio Pixarro vendosi rezultatin përfundimtar. Fitore ka shënuar edhe Borusia Dortmundi që me rezultat 3-2 e ka mposhtur Hofenhajmin në “Signal Iduna Park”. Fitore kanë regjistruar edhe Shalke 2-0 kundër Frajburgut dhe Bajer Leverkusen 2-0 kundër Eintraht Frankfurtit, në përpjekje për të siguruar kualifikimin në Ligën e Kampioneve.
Tohir: Reali, modeli për t’u ndjekur
Bosi i Interit, Erik Tohir, ka thënë se klubi i tij është duke e ndjekur modelin e Realit të Madridit për ndërtimin e skuadrës. Së fundmi biznesmeni indonezian ka qëndruar në Madrid, ndërsa ka thënë se “Los Blancos” janë barometër për ekipet e futbollit në gjithë botën. “Kur qëndrova atje pata rastin të mësoja. Të gjithë duhet t’i përmirësojnë njohuritë tyre dhe të gjithë janë ndryshe. Qëndrimi në Madrid ma dha mundësinë të shikoja metodat e tyre trajnuese, të cilat janë fantastike. Është e kuptueshme se tashmë nuk mund të kopjojmë gjithë atë që kanë bërë ata, sepse jemi në një periudhë transformimi”, – ka deklaruar Tohir për “Inter Channel”. Ai gjithashtu u shpreh se do të angazhohej personalisht që Interi më vonë të marrë pjesë në Ligën e Kampioneve.




