Operacioni / Bashkëpunimi me trafikantët e drogës, pranga shefit të Antirafikut në Fier

Sonila Mesareja

Krimet e Rënda: Dritan Zagani komunikonte me një nga trafikantët në telefon dhe kryente operacione pa njoftuar eprorët

I raportonte një shtetasi të huaj detaje operacionale apo informacione që nuk i informonte te eprorët apo t’i dokumentonte

Arrestohet grupi i trafikantëve në Lazarati, pesë në pranga, një në kërkim. I shpëtoi arrestimit të SHKB-së

 

droge20080117125104Kreu i Sektorit të Antidrogës në Fier arrestohet për bashkëpunim me trafikantët e drogës. Por, si të mos mjaftonte bashkëpunimi me trafikantët e drogës, ai rezulton t’i ketë raportuar një shtetasi të huaj detaje operacionale të cilat jo vetëm që nuk i raportonte te eprorët e tij, por as nuk i dokumentonte në interes të hetimeve apo punës që duhej të bënte si shef i antitrafikut. Detajet për këtë operacion që çoi në arrestimin e Dritan Zaganit dhe pesë trafikantëve nga Lazarati, i ka bërë me dije Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ka dyshime se Zagani, duke përdorur funksionin e tij si drejtues në Zyrën e Antitrafikut, të ketë ndihmuar një nga grupet rivale duke goditur në operacione “rutinë” grupin tjetër apo edhe transportues të vegjël. Në pranga kanë rënë 5 shtetasit nga Vlora e Berati, përkatësisht Jorgo Naçi (Emiljamo Brahimi), Niko Brahimi, Sajmir Shosha, Edison Latifaj dhe Agur Malaj. Materialet proceduriale në ngarkim të këtyre shtetasve, i kaluan Prokurorisë për Krime të Rënda, për veprën penale te “Trafikim të Lëndëve Narkotike” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 283/a/2 i Kodit Penal. Ndërkohë që në pranga ra edhe Vasil Latifaj, të cilit gjatë kontrollit në banesë iu gjetën dy armë zjarri automatik kallashnikov model 56, katër krëhëra arme zjarri automatik, si dhe një sasi fishekësh. Grupi i prokurorëve dhe specialistët e SHKB-së kanë mundur të zbardhin skemën e trafikimit dhe rolin si bashkëpunëtor të oficerit të lartë të policisë në këtë trafik. Paraprakisht ndaj 41-vjeçarit Zagani  rëndojnë vetëm dy akuza, përkatësisht “Shpërdorim detyre” dhe “Moskallzim Krimi”

Operacioni

Operacioni antidrogë i koduar “Marry Christmas 2” u zhvillua paralelisht në tre qytete të vendit, përkatësisht në Fier, Vlorë dhe Berat. Prokuroria e Krimeve të Rënda bën me dije se “në kuadër të një hetimi për trafik lëndësh narkotike të zhvilluar nga Krimet e Rënda është bërë i mundur arrestimi i 5 shtetasve të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, si edhe të shefit të antitrafikut të policisë së Fierit, ky i fundit akuzuar për “shpërdorim detyre””. Sipas Krimeve të Rënda, operacioni është finalizuar në orët e para të mëngjesit të djeshëm dhe nga hetimi ka rezultuar se shtetasit Jorgo Naçi (Emiljamo Brahimi), Niko Brahimi, Sajmir Shosha, Edison Latifaj dhe Agur Malaj janë pjesë e një grupi që trafikon lëndë narkotike nga Lazarati në drejtim të Italisë, në sasi shumë të mëdha. “Një ngarkesë e përgatitur prej tyre, në një sasi mbi 1 ton drogë, është sekuestruar nga ana e Policisë së Vlorës në nëntor të vitit 2013, e cila ishte e gatshme për t’u nisur drejt Italisë. Pas veprimeve të nevojshme hetimore, u arrit të identifikoheshin dhe më pas arrestohen këta persona në datë 03.05.2014” vijon njoftimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ndërkohë bëhet me dije se në kërkim është edhe një tjetër shtetas, i cili mundi t’i shpëtonte arrestimit nga SHKB, ndërsa ekzekutohej arrestimi i kreut të Antitrafikut në Drejtorinë e Policisë së Fierit.

Zbulimi

Prokuroria e Krimeve të Rënda jep detaje si u ra në gjurmët e kreut të Antitrafikut të Fierit. Gjatë hetimeve të zhvilluara për grupin e trafikantëve nga Lazarati, rezulton se njëri prej tyre komunikonte shpesh me shefin e sektorit të Luftës kundër Trafiqeve në Drejtorinë e Policisë së Fierit, Dritan Zagani, duke e vënë në dijeni për lëvizjet e grupit. Ky i fundit, në bazë të informacioneve të marra në këtë rrugë joligjore, pasi nuk kishte vënë në dijeni strukturat eprore të tij, organizon në janar 2014 një operacion “rutinë”, në të cilën bllokohen në një automjet në aksin rrugor Fier-Vlorë rreth 101 kg lëndë narkotike të llojit kanabis sattiva. Ky veprim, i cili ishte i pakoordinuar me strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ndikoi negativisht në një operacion tjetër që po zhvillohej lidhur me këtë ngarkesë, për të cilën pritej destinacioni final i kësaj lënde narkotike për të ndërhyrë. Nga hetimet rezultonte se personat që po transportonin këtë ngarkesë lënde narkotike kanë komunikuar me “burimin” e zyrtarit të policisë Zagani, pasi e konsideronin bashkëpunëtor të tyre. Pra, shtetasi nën hetim Dritan Zagani, në kundërshtim flagrant me ligjin ka bashkëpunuar me “burimin” e tij në rastin në fjalë, pasi ai do të duhej të rregullonte veprimtarinë e “burimit” të tij në përputhje me nenet 294/a e vijues të Kodit të Procedurës Penale. Ai paraprakisht duhej të kishte informuar Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier apo Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së parë për Krime të rënda duke referuar veprën penale e në vijim me autorizimet përkatëse të dokumentonte veprimet e “bashkëpunëtorit” të tij pasi në kryerjen e kësaj vepre penale ka dukshëm veprime aktive.

Zagani, raportim një shtetasi të huaj mbi operacionet

Një tjetër element që ka vënë pas prangave shefin e Antitrafikut ishte raportimi që ky zyrtar i Policisë së Shtetit i bënte një shtetasi të huaj për operacionet e zhvilluara apo informacionet që dispononte. “Në vijim, shtetasi Zagani i raporton për operacionin një shtetasi të huaj duke shkelur etikën, detyrën dhe sekretin hetimor dhe me papërgjegjshmëri flet për detaje të cilat nuk i ka bërë prezent as tek eprorët e tij dhe nuk gjejnë pasqyrim në asnjë dokument të firmosur prej tij dhe të administruar në përmbushje të detyrës” bën me dije Prokuroria e Krimeve të Rënda, duke shtuar se “komunikimi në vijim me këtë shtetas, i cili nuk ka asnjë autorizim as nga autoritetet shtetërore të vendit të tij dhe as nga autoritete shtetërore shqiptare, përbën shkelje të rëndë të detyrës së tij si punonjës policie, pasi ai për shkak të detyrës që ka në radhët e Policisë së Shtetit, merr informacione për aktivitete të ndryshme kriminale të zhvilluara brenda dhe jashtë Shqipërisë nga shtetas shqiptarë dhe të huaj dhe i raporton ato tek ky shtetas pa qenë i autorizuar për një veprimtari të tillë. Këto informacione nuk i administron sipas ligjeve proceduriale penale dhe ligjit organik të Policisë së Shtetit, por ia dërgon një shtetasi të huaj të paautorizuar për të marrë këto informacione”. Në vijim të këtyre hetimeve, me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të rënda, gjykata vendosi masën e arrestit me burg për shtetasin Dritan Zagani, akuzuar për “shpërdorim detyre”, e cila është ekzekutuar nga ana e Policisë së Shtetit paralelisht me arrestimin e 5 personave nga Lazarati, të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike.

 

Në Qarkun Vlorë u arrestuan shtetasit:

1. Edison Muharem Latifaj, 32 vjeç, banues në Vlorë.

2. Jorgo Naçi alias: Emiljano Brahimi, 37 vjeç, banues në Vlorë.

3. Niko Brahimaj, 51 vjeç, banues në Vlorë.

4.  Agur Malaj, 40 vjeç, banues në fshatin Akërni, Vlorë.

5. Vasil Latifaj, 39 vjeç, banues në Vlorë.

Në Qarkun Berat u arrestua shtetasi:

1. Saimir Shosha, 31 vjeç, banues në Berat.

Në qarkun Fier u arrestua shtetasi:

Dritan Zagani,  41 vjeç, banues në Shkodër

Rastet e tentativave të trafikimit

* Më datë 24.12.2014, në vendin e quajtur Hidrovor, Vlorë, është sekuestruar sasia prej 916 kg e 300 gr, ku është arrestuar shtetasi Vehbi Bajrami.

* Më datë 13.01.2014, në vendin e quajtur Levan, Fier, është sekuestruar sasia prej 110 kg, ku është arrestuar shtetasi Ermal Daja.

* Më datë 13.01.2014, në kuadër të operacionit “MENGJESI“ i zhvilluar ne qytetin e Gjirokastrës, u kapën 35 klandestinë, të cilët po tentonin të trafikoheshin dhe u arrestuan shtetasit Artur Gjonaj, Klejdi Qibini dhe Silver Qibini.

* Më datë 21.01.2014, në vendin e quajtur Llogara, Vlorë, është sekuestruar sasia prej 21 kg e 60 gr, ku është arrestuar shtetasi Ismail Ruci.

U janë sekuestruar ne atë kohë:

* Nëntë automjete, 3 furgonë, 1 kamion, 5 autovetura.

* Një mjet lundrues Gomone.

* Njëzet e një aparate telefoni celular dhe karta sim.

* Një kompjuter laptop.

* Dokumente shit-blerje pronash.

Share it :