Qeveria dështon me taksën progresive, 12% më pak të ardhura se vjet nga tatimi mbi të ardhurat personale

Ervin Kaduku

 – Me vonesë jo të zakonshme, Ministria e Financave ka publikuar vetëm dje tabelën me realizimin e zërave kryesorë të të ardhurave, shpenzimeve dhe deficitit buxhetor për periudhën nga janari deri në fund të marsit 2014

 

 

Edi-Rama-mbledhje-qeverie-KM-565x376Megjithëse ka hyrë në fuqi që më shumë se tre muaj më parë, projekti “Rama-Cani” për rritjen e të ardhurave buxhetore bazuar mbi taksimin progresiv mbi të ardhurat e shqiptarëve deri tani ka shënuar dështim. Vetëm ditën e djeshme, ky dikaster ka publikuar të dhënat mbi realizimin e zërave kryesorë të buxhetit për janar-marsin (të dhëna progresive të tre muajve bashkë), ku duket se plani i përgatitur që para se të vinte në pushtet nga PS nuk ka dhënë pasojat e pritshme.

Kështu, në shifrat zyrtare të Financave del se akciza vijon me rënie, ndërsa rritja e tatimit fitimit është shumë poshtë nivelit prej 50% të parashikuar nga tatimet në fillim të vitit. Ndërkohë, kontributet për sigurime shoqërore janë gati 6 për qind më të ulëta se një vit më parë në të njëjtën periudhë tremujore.

Tatimet dhe doganat kanë përmirësuar ndjeshëm ritmin e mbledhjes së të ardhurave në buxhet për tremujorin e parë të vitit, duke marrë veten nga fillimi i dobët i dy muajve të parë, ku me rezultat pozitiv paraqitet veçanërisht TVSH-ja, ndërkohë që financat janë ndihmuar dhe nga të ardhurat më të larta sesa pritej nga ndihmat (2.3 miliardë lekë më të larta se plani), duke ndikuar në 25% të shtimit të të ardhurave totale në buxhet.
Sipas statistikave fiskale të publikuara nga Ministria e Financave, për tre mujorin e parë të vitit u mblodhën në buxhet 82 miliardë lekë, me një rritje prej 8.2% me bazë vjetore. Të ardhurat nga tatimet e doganat u zgjeruan me 9.3% (apo me rreth 4.8 miliardë lekë) me bazë vjetore në 56.3 miliardë lekë për periudhën janar-mars 2014.
Zëri kryesor që ndikoi në ecurinë e mirë të të ardhurave nga tatimet e doganat ishte TVSH-ja, që u zgjerua me 4.7 miliardë lekë, apo rreth 20%, në 28.7 miliardë lekë. Por të ardhurat nga akciza u tkurrën me 13% me bazë vjetore, në rreth 6 miliardë lekë (2 miliardë lekë më pak se plani) duke vazhduar të reflektojnë shtrembërimin e tregut, pas importeve të larta të dhjetorit, në pritje të hyrjes në fuqi të akcizave të reja nga 1 janari 2014.
Fundi i tremujorit të parë pritej të tregonte të saktë tendencën e të hyrave nga tatim fitimi, me financat që shpresonin që të mblidhnin 50% më shumë të ardhura se janar-mars i vitit të kaluar, si rrjedhojë e rritjes së tatim fitimit nga 10 në 15% nga 1 janari (në bazë të skemës së re, tatim fitimi paguhet një herë në tre muaj, jo çdo muaj si më parë). Ndonëse ritmi i mbledhjes së këtij zëri u përmirësua në shkurt-mars, pas një janari të dobët, sërish të hyrat nga ky zë u shtuan vetëm me rreth 18% me bazë vjetore për tremujorin 2014, duke treguar se rritja e tatim fitimit për bizneset nuk po sjell rezultatet e planifikuara në buxhet.
Të ardhurat nga sigurimet shoqërore ranë me 5.7%, ndërsa të hyrat nga sigurimet shëndetësore u dyfishuan në 2.3 miliardë lekë, duke qenë faktori i tretë pas TVSH-së dhe ndihmave që ndikuan në rritjen e të ardhurave në buxhet. Rritja erdhi pas ndryshimit të skemës në janar, ku sigurimet shëndetësore llogariten tashmë në bazë të pagesës reale, jo asaj maksimale.
Të ardhurat jotatimore ranë me 6.5%, ku bie në sy rënia e transferimit të fitimit nga Banka e Shqipërisë që u reduktua me 57.4%.

Ndërkohë, vijon problematika e pushtetit vendor, që paraqitet me një rezultat të të ardhurave në tre muaj 4.4 për qind më pak se shifra e planifikuar, duke qenë gjithashtu 3.5 për qind më pak se sasia e të ardhurave të grumbulluara një vit më parë – në një vit elektoral – nga administrata e mëparshme.

Investimet me financim të brendshëm kanë qenë 72.4 më të ulëta sesa plani tremujor i tyre dhe, madje, 81 për qind më të ulëta se një vit më parë. Kjo, në një kohë që qeveria Rama ka rritur me 0.9 për qind shpenzimet për pagat e buxhetorëve.

Këto rezultate janë mbështetur fuqishëm mbi politikën e preferuar të qeverisë së majtë: marrjen e borxhit. Huamarrja e brendshme ka qenë 170% më e madhe se shifra e planifikuar, duke treguar kështu paaftësinë e Financave për të mbuluar me rritjen e parashikuar dhe të premtuar të ekonomisë dhe të të ardhurave fiskale shpenzimet e buxhetit. Ndërkohë, huaja e marrë afatgjatë jashtë vendit ka qenë 44.2 për qind më e lartë se ajo e planifikuar dhe gati 7% më e madhe se një vit më parë.

 

 

 

 

 

 

 

Buxheti janar mars 2014  
E M Ë R T I M I Ndryshimi
% kundrejt
Planit 2014
   
Të ardhura nga ndihmat 327.3%
Të ardhura tatimore -1.2%
Nga Tatimet dhe Doganat -0.9%
Tatimi mbi Vlerën e Shtuar 12.5%
Tatimi mbi Fitimin -9.5%
Akcizat -24.6%
Tatimi mbi të Ardhurat Personale -5.2%
Taksa Nacionale dhe të tjera -8.1%
Taksa Doganore -0.7%
Të ardhura nga Pushteti Vendor -4.4%
Taksë mbi Pasurinë(ndërtesat) -26.3%
Taksë mbi Biznesin e vogël 12.9%
Të ardhura nga fondet speciale -1.9%
Sigurimi Shoqëror -1.9%
Të ardhura nga Inst.Buxhetore -9.8%
TOTALI I SHPENZIMEVE -7.4%
Shpenzime Korrente -6.2%
Personeli -1.4%
Paga 0.2%
Interesat 1.3%
Shpenzime për kompensime në vlerë të pronarëve -17.2%
Shpenzime për Buxhetin Vendor -31.5%
Pagesa e Papunësisë 10.1%
Ndihma Ekonomike 15.5%
Shpenzime Kapitale 7.4%
Financimi Brendshëm -72.4%
Financimi Huaj 82.3%
Hua-marrje e brendshme 269.7%
Hua afatgjatë (e marrë) 44.2%

 

Share it :