Për pasuritë nëntokësore/ Qeveria ndryshon ligjin minerar, Gjiknuri: Ankand publik për kontratat koncesionare  

Gëzim Saliu

 

Ministri: Brenda 2014-ës krijojmë regjistrin elektronik, Arvizu: Jo informalitetit në industrinë nxjerrëse

forumi Kontratat koncesionare për pasuritë nëntokësore që qeveria do të lidhë me kompanitë private nuk do të jepen me kërkesa individuale të firmave, por do të kalojnë nëpërmjet ankandeve publike. Kështu bëri të ditur dje ministri i Energjetikës dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, në “Forumin për transparencën e industrisë nxjerrëse”, duke theksuar se kompanitë duhet të konkurrojnë me njëra-tjetrën, në mënyrë që shfrytëzimi i pasurive natyrore të përdoret në formën e duhur. “Në Shqipëri, shpesh ka ndodhur fenomeni i marrjes së licencave për t’i tregtuar. Ky është fenomen vrastar! Ky vërtet krijon lidhje të shkurta me politikën, por fatkeqësisht nuk ndihmon zhvillimin e industrisë. Prandaj, qeveria jonë ka marrë një vendim që për burimet e tjera të naftës, për fushat e tjera të pazbuluara, për fusha të tjera me mundësi të mëdha për eksplorim, të jepen nëpërmjet proceseve të ankandeve, proceseve të transparencës dhe të konkurrencës. Ky është një vendim i rëndësishëm që do të zbatohet për herë të parë në Shqipëri pas 20 vitesh”, – tha Gjiknuri, duke theksuar se Ministria që ai drejton, do të paraqesë ndryshimet ligjore për sa i përket ligjit minerar. Më tej, ai bëri të ditur se do të krijohet brenda vitit regjistri elektronik i koncesioneve, në mënyrë që informacioni për këto kontrata të merret në kohë reale. “Me mbështetje edhe të fondeve nga BERZH-i po zhvillojmë një regjistër transparence për koncesionet. Regjistër i cili për herë të parë do të krijohet në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë dhe do të ketë të gjitha koncesionet, lejet minerare, HEC-et, çdo gjë të dhënë. Një regjistër elektronik që do të pasqyrojë sidomos fazën e implementimit të tyre”.

 

Forumi

 

Ndërkohë, pjesëmarrës në këtë forum, ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Alexander Arvizu, theksoi rëndësinë e kalimit nga informaliteti në formalitet në sektorin e industrisë nxjerrëse. “Një komponent i rëndësishëm i kësaj është koncepti i kërkesës për raportim. Çdo individ, çdo biznes duhet të ketë një kërkesë për raportim, të raportojë të ardhurat. Ajo shkon krah për krah me më shumë transparencë”, – deklaroi kryediplomati amerikan në vend. Ndërsa kreu i Prezencës së OSBE-së, në Tiranë, ambasadori Florian Rauning, theksoi se transparenca në industrinë nxjerrëse, është faktor i rëndësishëm dhe për këtë bëhet e nevojshme respektimi i standardeve. Ai informoi se Prezenca e OSBE-së në Tiranë po mbështet MEI-in përmes sekretariatit shqiptar EITI për të përmbushur afatet e raportimit për industrinë nxjerrëse, ku këto të fundit sipas tij, janë instrument i rëndësishëm në duart e qytetarëve për të siguruar një proces të drejtë dhe për të nxitur përgjegjshmërinë e transparencën e qeverisë. Nga ana tjetër, ministri i Mjedisit, Lefter Koka, pohoi se mostransparenca dhe politikat e gabuara kanë shoqëruar për 24 vitet e fundit mbrojtjen e mjedisit dhe shfrytëzimin e burimeve natyrore. “Politikat e ndjekura në këto vite kanë bërë të mos ketë transparencë dhe investitorë të ndryshim të shfrytëzojnë pasuritë natyrore. Për shkak të këtyre politikave të ndjekura ne vazhdojmë të mos kemi besimin e qytetarëve”, – u shpreh Koka.

 

Vendimi/ Shqipëria zgjidhet anëtare e Komisionit mbi Statusin e Gruas

 

Shqipëria është zgjedhur anëtare e Komisionit mbi Statusin e Gruas (CSW) për periudhën 2015-2019. Komisioni mbi Statusin e Gruas ka 45 anëtarë që zgjidhen nga ECOSOC, në bazë të parimit të shpërndarjes gjeografike. Anëtarësia në Komision do të krijojë mundësi më të mira për strukturat kompetente në vend, si ato qeveritare ashtu edhe për shoqërinë civile, për një rol më të madh dhe angazhim me konkret në mbrojtjen dhe nxitjen e të drejtave të gruas por do të jetë edhe një mundësi për kontribut në nivel global. Komisioni zhvillon një sesion vjetor prej 2 javësh kalendarike në Nju Jork, me pjesëmarrjen e rreth 7000 delegatëve, gjatë së cilit diskutohen çështje të ndryshme mbi statusin dhe të drejtat e gruas në botë, miratohen dokumente dhe rezoluta mbi temat në diskutim që lidhen me të drejtat e gruas, të cilat ndikojnë në hartimin e politikave kombëtare në këtë fushë. Me kalimin e viteve, CSW ka shërbyer edhe si një platformë, gjithnjë e më aktive, e bashkëpunimit të qeverive me shoqërinë civile për çështje që lidhen me të drejtat e gruas. Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme, zgjedhja e Shqipërisë si anëtare e Komisionit mbi Statusin e Gruas ka ardhur në kuadër të rritjes së përfaqësimit të vendit në organet dhe strukturat e OKB-së.

 

 

Kryeparlamentari grek/ Meimarakis viziton të dielën Shqipërinë, takim me përfaqësuesit e lartë të shtetit dhe Janullatosin

 

Kreu i Parlamentit grek, Evangelos Meimarakis do të vizitojë ditën e diel Shqipërinë në një vizitë zyrtare, ku pritet të takohet me Presidentin Bujar Nishani, Kryeministrin Edi Rama, kreun e Kuvendit Ilir Meta dhe kreun e opozitës Lulzim Basha. Kreu i Parlamentit grek do të zhvillojë gjithashtu takime dhe me zv.ministrat e PBDNJ-së e anëtarë të minoritetit grek. Po ashtu pritet që Evangelos Meimarakis të takojë edhe Kryepeshkopin Anastas Janullatos.

 

Share it :