Pishtarët e vërtetë i bëjnë ballë kohës

Besnik Sopoti

 

franz-kafkaSa e lehtë është t’u bësh keq të tjerëve, aq e rëndë dhe e vështirë është ta përballosh vrasjen e ndërgjegjes për një akt negativ të kryer. Raskolnikovi i Dostojevskit nuk arrin ta durojë peshën e rëndë të fajit për çka ka bërë dhe, për të gjetur qetësinë shpirtërore, atë paqe të brendshme që humbi, pranon, pas një lufte të gjatë e të thellë, të ndëshkohet. Bëhet pra gjykatës i vetvetes. Kështu faji kërkon ndëshkimin. Por kjo ndodh vetëm pasi i rrëfen Sonjës krimin që ka kryer dhe vajza e bind dhe e shtyn të pranojë, në emër të vlerave njerëzore, të moralit e të Zotit të dalë përpara drejtësisë e të marrë dënimin e merituar. Në Siberi, pranë Sonjës që e ndjek dhe e shoqëron, protagonisti do të çlirohet nga ajo ndjenjë humbjeje që e rëndon dhe e bën të vuaj.

Tek një tjetër shkrimtar, Franc Kafka, kjo logjikë përmbyset, kur Josef K., papritur e pa kujtuar, siç e përshkruan pena e tij, arrestohet në mes të natës duke mos pasë bërë gjë prej gjëje. Fatkeqi nuk njeh jo vetëm shkakun e masës që disa njerëz krejt të panjohur kërkojnë të marrin kundër tij, por edhe si e përse po gjykohet. Gjendja është kaq absurde dhe e padurueshme sa, që të gjejë qetësi brenda vetes, ai përpiqet të gjejë njëfarë justifikimi për çka ndodh e për dënimin që i japin: ndëshkimi kërkon fajin. I akuzuari përpiqet të gjejë një faj, edhe pa e bërë qoftë edhe të largët në kohë, ndryshe s’rron dot në gjendjen e ankthtë që i kanë krijuar. I vetëm dhe i braktisur nga të gjithë, protagonisti do të pranojë më në fund humbjen sepse makina burokratike e këtij procesi të çuditshëm pushton tërë botën e ekzistencës së tij.

Kjo ndodh në sistemet totalitare ku dhuna e burokracia paraqesin realitetin e vërtetë, labirintin ku individi është i paracaktuar të humbasë, kurse ekzistenca fizike e njeriut s’është tjetër veç pasqyrimi i projektuar në ekranin e iluzionit. Realiteti shuhet e masa rron me ëndrrën e një bote utopike që serviret nga shtypi e propaganda e përditshme. Monotonia vret poezinë e jetës e koha ikën pa lënë asgjë konstruktive. Njerëzit janë vetëm dosje të një skedari pafund, madje më pak edhe se hije të atyre shkresave dhe skedave që “zyrtarë” shumë të përgatitur i rendisin me kujdes të veçantë e përpikmëri vërtetë maniakale në një klasifikim sa të çuditshëm po aq edhe bindës për logjikën e mbrapshtë të eprorëve që drejtojnë operacione vërtetë “serioze”për sektorët që drejtojnë. Krijohet një gjendje mosbesimi e tillë ku të gjithë vihen kundër të gjithëve, e kjo jo vetëm në shoqëri e në punë, por edhe brenda nuklit familjar. Ata që janë lart, të zgjedhurit, autoritetet e Qendrës drejtuese, njohin gjithçka, dinë e duhet të dinë çdo gjë, regjistrojnë tërë informacionet që vijnë nga bota e të gjallëve e, po të jetë e nevojshme, edhe nga ajo e të vdekurve. Sepse edhe ata, kur lanë këtë botë mëkatare, morën me vete segrete të parrëfyera. Gjithçka vlen dhe mbahet si armë e fshehur ndaj atyre që janë pranë kastës sepse një ditë, për një arsye a një tjetër, mund të bëhen problem për anëtarët e klikës drejtuese. Arkivat pasurohen për ditë me materiale “të çmuara”, e kjo vjen si pasojë e zellit të disa “misionarëve” me përvojë të gjatë që besojnë në rolin mesianik që kryejnë: realizimin e krimit të fshehtë, qoftë edhe i trilluar, që formon thelbin e padukshëm të historisë së çdo diktature, për të krijuar kështu në popull përshtypjen e rreme të një sistemi tejmase të fuqishëm e të përjetshëm.

Kështu nisi, me krimin arketipal që u përcaktua themelues, mbi të cilin u ngrit një sistem i tërë i mbrapshtë e vrastar që pat si parim një djallëzi marramendëse dhe vërtetë të frikshme, ku herët a vonë, të vetëdijshëm a jo, ranë, në mënyrë të pashmangshme njëri pas tjetrit që të gjithë ata që një natë, më e errëta e kombit, e bënë të merrte formë krijesën e tyre përbindshore. I asgjësuan, i tjetërsuan a i përndoqën tërë ata që kishin përgatitje a kërkonin të mbronin të drejtën, fenë e traditat; dhe kjo në emër të atij populli që i premtuan barazi, liri e demokraci. Mjeshtrit e regjur, të ardhur nga shkollat më të mbrapshta të indoktrinimit e të krimit ndërkombëtar krijuan terrenin e zgjodhën elementet e tyre më të përshtatshëm për t ‘ia arritur qëllimit djallëzor:përçarjen e vendit dhe ndërtimin e institucionit vdekjeprurës që u bë baza e pushtetit të ardhshëm. Vrasja, pasiguria, terrori dhe shuarja e identitetit kombëtar u vunë si pikat më kryesore të programit të jetës së përditshme të popullit shqiptar, sepse vetëm kështu garantohej siguria e klikës sunduese.

Njeriu, ose më mirë të themi ajo çka mbetet prej qenies njeri, nuk kërkon të bëjë pjesë në gjirin e një shoqërie të vërtetë, sepse kjo s’ekziston në regjimet diktatoriale; që të mbijetojë, ai duhet të jetë pjesë e pandarë e një “institucioni” të caktuar. Dhe që ta arrij këtë “privilegj”, paguan një haraç të rëndë: mohimin e plotë të vetvetes. Ky është ferri i tij sepse në botën e burokracisë ku “funksionarët”punojnë nëpër dikastere të veçanta, nuk ka ndjenjë, krijimtari, iniciativë a liri veprimi. Aty mbretëron heshtja, urdhri dhe disiplina e ftohtë për t’u vënë në jetë e bindja e verbër ndaj gjithçkaje që diktohet prej eprorëve “kompetentë”. Deri edhe gjestet janë mekanike e njerëzit nuk dinë e as nuk duhet të kuptojnë atë që bëjnë. Kur ndonjëri nis të pyesë si dhe pse duhet të funksionojnë ashtu gjërat, menjëherë dyshohet e merren masa paraprake kundër tij sepse prish “ekuilibrin “dhe” harmoninë” e përgjithshme të pagjallesës. Kështu vjen e formohet bota e pabesisë, e shpërfytyrimit, e nënshtrimit dhe e kontrollimit të plotë të trurit të qytetarëve nga aparati i shtetit që sundon e mbikëqyr edhe skutat më intime të qenies. Kjo ndodh sepse “Revolucionet janë të vërteta si lëvizje” siç thotë Maurice Merleau-Ponty “ por të rreme si institucione”. Pra, ne mund të themi me plot të drejtë: mjerë kush rron një kohë që s’është e tija.

Të gjithë duhet të ndjehen vartës të një sektori a të një reparti të caktuar e, pavarësisht nga profesioni a përgatitja që kanë, shndërrohen në nëpunës të thjeshtë = shërbyes pa tipare të një administrate të Shtetit ku ndjejnë si detyrë të kryejnë një mision të caktuar: të raportojnë gjithçka eprorëve. Mjek, inxhinjer, student a punëtor i thjeshtë, artist a fshatar qoftë, s’ka rëndësi. Janë të gjithë njëlloj para shefit e kanë të njëjtën “vlerë” si pjesë përbërëse të një procesi zinxhir që s’ka as nisje dhe as fund. Gjer edhe avokati i shërben gjyqit, jo të pandehurit. Dhe kjo sepse gjykata e ligji përfaqësojnë pushtetin, i cili garanton “sigurinë” e të gjithëve, e në emër të të gjithëve mund të dënohet çdo i pafajshëm. Personi dënohet jo për atë që bën po për atë që ai përfaqëson në një kohë të caktuar të “zhvillimit” historik. Këtu jep një “ndihmë” të çmuar letërsia e realizmit socialist që kontribuon për të formuar “njeriun e ri”, atë pa tipare por të bindur ndaj udhëzimeve. Kjo mënyrë të menduari është krejt normale në kuadrin e botës absurde të diktaturës që paraqitet e “proletariatit”, por që në fakt është kundër tij e sidomos kundër kujt mendon në mënyrë të pavarur. Origjinaliteti s’ka të drejtë qytetarie në sistemet totalitare.

Ky ishte realiteti që jetuan miliona e miliona njerëz në bllokun komunist, kurse bota kafkiane na shfaqet si pararendje e tjetërsimit të individit dhe e përndjekjes së atij që duhet të flijohet për një bashkësi të turbullt sepse vetëm kështu arrihet qëllimi i zi i përndjekësve. Dhuna jepet e ndjehet e plotpushtetshme në veprimet që bën, megjithëse bota ku veprohet nuk ka polici, as ideologji a uniforma e as hierarki ushtarake. Në veprën e Kafkës nuk flitet për luftë klasash, as për ksenofobi dhe as racë superiore e inferiore. Në te ka vetëm parandjenjë të zymtë, ballafaqime lodhëse, trysni psikologjike e ankth pafund. Është kudo e gjithmonë e pranishme fryma apokaliptike që i afrohet herë tinëzisht e herë dukshëm individit të vetmuar e të pambrojtur që do të shtypet në mënyrë të pashmangshme nga një vorbull ngjarjesh absurde. Ai pra është objektivi për t’u qëlluar, për t’u mposhtur, e forcat e errëta, herët a vonë, do të kenë fitoren në anën e tyre. Dhe kjo sepse kanë fuqinë shtazore, jo atë të bindjes e të arsyes me të cilat ndërtohet e ardhmja e denjë për gjithkënd. Kjo i duhet diktaturës, dhe kjo arrihet duke i ngjallur në shpirt të çdokujt vetëm ankth e pasiguri. Hijet e përndjekjes janë kudo dhe mesdita bëhet natë e zezë.

Si është e mundur të bashkohen kaq elementë heterogjenë duke as mos i përshkruar fare “autoritetet” që mbajnë pushtetin e të jepen me një saktësi marramendëse situata e ngjarje që kontinenti do t’i jetonte vite më vonë? mund të pyesë ndokush. Autori nis ta shkruaj në vitin 1914 “Der Prozess”që do të botohet vetëm pas vdekjes, më 1925. Veprat e Kafkës janë një hiperbolë onirike dhe imagjinare, kurse Shteti totalitar është një hiperbolë prozaike dhe materiale. Alkiminë e kurën efikase për tjetërsimin masiv e gjen, jo më vepra e shkrimtarit të shquar po realiteti i regjimit totalitar, Qendra politike, ajo ku ca ligësi “të shquara”që e bëjnë natën ditë për të mirën “e përbashkët”shkrijnë tërë energjitë e tyre që të gjejnë metoda sa më të denja që të ndëshkojnë çdo shfaqje eterodoksie. Parimi është: varësia lind pasigurinë dhe ushqen qëndrime servile ndaj autoriteteve, detyron çdokënd të ulë sytë përdhè e të tregohet servil e pa pikë dinjiteti përpara pushtetarit. Varësia si gjendje i krijon një ethos të tillë që s’ka të bëjë me personalitetin e individit, por gjen fushë zbatimi në turmën e papërgatitur, ajo çka i duhet autoritetit që ka e mban në dorë pushtetin. Për ata që shfaqin bindje a qëndrime të kundërta me udhëzimet, dhuna përdor mjete të tjera edhe më “bindëse”: përndjekjen, burgun dhe litarin.

Duke lënë mënjanë realitetin për idenë, dhe idenë për ideologjinë, njeriu ra në një botë të verbër e shurdhane, humbi, u tret në një mjedis ku shtirja mori dukjen e virtytit. Kush pati forcë dhe rezistoi në spastrimet staliniane e hoxhane e nuk u bind që të gjente “fajin e fshehur” e s’i shërbeu spektaklit të parapërgatitur gjyqësor, e pagoi shumë shtrenjtë qëndrimin burrëror që mbajti. Por mbeti i pastër dhe i pacenuar kujtimi e respekti i tij si figurë. Shembuj të tillë pati dhe jo pak populli ynë, i vogël në numër por i madh në shpirt. Vrasjet pas shpine dhe krijimi i situatave të rreme s’qenë veç varianti ballkanik i terrorit bolshevik rus. Krejt e kundërta e besës për të cilën njihej në botë shqiptari.

“Me udhëzim të Zoi Themelit” deklaroi gjatë një gjykimi në vitin 1948, një ish oficer i sigurimit, Pierin Kqira “me çelësa falsë, kemi hyrë në kishën Françeskane të Gjuhadolit dhe kemi fut prapa altarëve dokumente e gjëra të tjera komprometuese. Në mëngjes kemi rrethue vendin, kemi “zbulue” armët dhe arrestuam shumë priftërinj françeskanë, shumë prej të cilëve janë pushkatuar”.

Vite më parë, po në atë tokë ku Ali Kelmendi me shokë, agjentë të Kominternit kishin përhapur idetë e para komuniste, françeskani Patër Anton Harapi, oratori i shquar, pedagogu, filozofi, prozatori i rrallë me largpamësi profetike deklaroi haptas: “Por u pa n’Rusi, se si parimi i komunizmit, në vend që të zhdukte të zezat, u ba burim mjerimi”. Fjalë profetike por që ishin, si të gjitha të vërtetat e mëdha, shumë të parakohshme për popullin tonë. E pushkatoi “drejtësia” hoxhane më I946 njeriun e drejtë që tha: “…Nuk shpëton jo, sot, as Xhamia pa Kishë, as Kisha pa Xhami, por as njena as tjetra pa Shqipni”. Kërkonte bashkim kombëtar njeriu i drejtë që u flijua për vend e fe. Të njëjtën gjë mishëronte edhe intelektuali brilant e atdhetari i shquar Mit’hat Frashëri kur thoshte: “Partia jonë është Shqipëria”, por kjo binte ndesh me ata “burra të nderuar” që i shërbenin pansllavizmit në Ballkan, prandaj e shpallën armik e tradhtar vazhduesin e denjë të rilindësve tanë. A mund të quhet fitore e ligjshme votimesh ajo e 5.12.1945 kur nuk kishte asnjë parti opozitare?”Për kundërshtarët plumbat”urdhëroi Hoxha që hipotekoi në kadastrat e Beogradit e pastaj në ato të Moskës Shqipërinë dhe vari në litar e pushkatoi personalitete të shquara të vendit. Pra jo dialog me forcat e opozitës, por vdekje, kjo rruga për ndërtimin e Shqipërisë së re sipas udhëzimeve që vinin e zbatoheshin kundër vatanit. I gjatë e pafund qe kalvari për popullin tonë të shumëvuajtur.

Në shkurt të vitit 1951 një shpërthim dëmtoi garazhin e Ambasadës Sovjetike në Tiranë. Byroja Politike mori vendim e ministri i brendshëm Mehmet Shehu arrestoi, sipas një liste të paracaktuar 108 vetë, 23 prej të cilëve u pushkatuan pa gjyq. Vendimi i pushkatimit u mor tre ditë pasi kish ndodhur pushkatimi. Pas 7 ditë që ata qenë varrosur, u vra në një pritë autori i vërtetë i hedhjes së bombës. Drejtësi e kaluar drejtësinë! Mes të pushkatuarve qe edhe një grua, Sabiha Kasimati, ihtiologe, shkencëtarja e parë e vendit tonë, e cila në hetuesi jo vetëm nuk pranoi akuzën, por mes të tjerave deklaroi haptas:”… Unë jam biologe dhe si e tillë unë jam evolucioniste. Evolucioni është në natyrën e gjërave. Me dhunë nuk shkohet as në socializëm, as në demokraci, me dhunë shkohet në shkatërrim. “Fjalët e shkencëtares sonë janë një sintezë e dijes kundër sistemit kanibal e vrastar të çdo lloj diktature në botë.

Pak vjet më parë, Pavël Florenskij, Leonardo da Vinçi i Rusisë, një prift matematikan, teolog, fizikant, inxhinier i shquar, filozof, piktor e historian arti pushkatohej më 1937 nga të kuqtë e Stalinit sepse ishte provë e gjallë që hidhte poshtë parimin komunist që feja s’është tjetër veç injorancë. Në një letër të birit, mes tjerave i shkruante:”Jam përpjekur të kuptoj strukturën e botës me anë të një dialektike të vazhdueshme të mendimit”. Pra me lëvizjen e mendimit të gjallë, sepse ai që s’lëviz është ai i vdekuri i ideologjisë që, në versionin fetar quhet dogmatizëm. Mendimi është i gjallë kur mbështetet nga zgjuarsia, liria e brendshme e mbi të gjitha nga dashuria për të vërtetën, cilësi këto që bien ndesh me absolutizmin e jo rrallë edhe me traditën fetare. “E vërteta është antinomike” thoshte Florenskij “e nuk mund veç të jetë e tillë. “Ky personalitet i kalibrit evropian e botëror kërkonte një fe shkencore dhe një shkencë fetare. Duke kërkuar të vrasë dijen, shkencën, fenë dhe artin, totalitarizmi i hap varrin vetes. Pra s’duhet bërë pyetja: si ra perandoria e kuqe, por si mundi të qëndrojë për një kohë kaq të gjatë.

Një qytetërim është i gjallë e plot jetë për aq sa i tërheq të tjerët ta imitojnë në fushat e meritave që paraqet; në çastin kur kjo forcë nis të mungojë, atëherë bie muzgu dhe gjithçka katandiset në një grumbull fragmentesh e rrënojash. Në shekullin III para Krishtit, politeizmi në Greqi e humbi cilësinë e vet shpirtërore e u kthye në një thes përrallash, treti frymën e vet fetare e, bashkë me te, edhe forcën shpirtërore e politike, realitete këto që qenë ngushtësisht të lidhura mes tyre: kur nis të dyshosh e të shuash vlerat në të cilat kanë besuar pishtarët e vërtetë, do të thotë të vesh në diskutim bashkësinë që ato paraqesin. Kështu Greqia nuk mundi të jetojë pas atij muzgu. Ballë shekujve i bënë kultura, filozofia, arti dhe shkenca që patën krijuar ato personalitete gjenialë të atij vendi që mbeti djep i kulturës evropiane. E njëjta gjë ndodhi edhe me Romën.

Si mund të ecte përpara vendi ynë, kur në krye s’kish veç njerëz që kërkuan për gjysmë shekulli të shkulnin nga rrënjët çdo gjë të drejtë dhe me vlerë që shekujt patën krijuar e ruajtur me aq dashuri?As Kuvendin, as Ushtrinë dhe as Teatrin e kryeqytetit s’e quajtën kombëtar por popullor; për pushtetarët e kuq fjala komb jepte bezdi. Për ta nuk ekzistonte kombi shqiptar e as identiteti i tij, dhe këtë e vërteton vendimi i 14 marsit 1948 kur Byroja Politike e PKSh mori vendimin të bashkojë Shqipërinë me Jugosllavinë duke e bërë republikën e saj të shtatë duke marrë për këtë edhe bekimin e Stalinit. Gjë më antishqiptare nuk mund të imagjinohet. Kështu Hoxha, Shehu e Alia i jepnin një zgjidhje vërtetë”origjinale” problemit Kosovë: në vend që të bashkohej me tokën mëmë, që ish ideali i atdhetarëve, ia falnin edhe Shqipërinë Beogradit. Ja arsyeja e vërtetë e luftës civile 1943-1945 dhe furia e papërmbajtur kundër traditave, librave dhe pishtarëve të botës sonë kombëtare. Vetëm përjashtimi i Titos nga Kominterni më 27 mars si pasojë e kontradiktave me Stalinin nuk e lejuan realizimin e këtij projekti ogurzi. Me ato lloj “atdhetarësh” shkohej vetëm drejt zbehjes dhe shuarjes së plotë të kombit tonë. “Çlirimtarët”nuk sollën tjetër veç muzgje dhe net e net pafund. Krime që ndiqnin krime, zi, përçarje e lot. Nderohej figura e urryer e banditit Haxhi Qamil dhe hidheshin në lumë eshtrat e atdhetarit e poetit të shquar At Gjergj Fishta, kandidatit të parë për çmim “Nobel” i letrave shqipe. Vdisnin nëpër kampe përqendrimi njerëz të ndershëm. Njerëz që deshën dijen, drejtësinë dhe Evropën e qytetëruar. Ky qe për gjysmë shekulli objektivi i bolshevizmit hoxhan në Shqipëri.

“Ballin nga pushkët!”, qenë fjalët e fundit të Bahri Omarit, një atdhetari tjetër që i kushtoi jetën vendit, para skuadrës së pushkatimit. “Historia do të jetë gjyqtari i paanshëm”tha e ra mbi atë truall ku ranë sa e sa figura të ndritura. Sistemi u përpoq t’i krijonte mitin e Njëshit atij që i solli veç mjerime vendit, por koha s’e duroi dot e, ashtu si kudo në botë, edhe në tokën e vëllezërve Frashëri, të Pashko Vasës, të Mjedës e Çajupit e shembi dhe e hodhi poshtë idhullin e rremë. Historinë e vërtetë nuk e shkruajnë kuadrot e indoktrinuara të shkollave të partisë, atë e bëjnë ngjarjet, faktet, dokumentet dhe njerëzit që flijohen në emër të së drejtës dhe të së vërtetës.

Personalitetet e shquara e bëjnë botën të banueshme për gjithkënd, filozofët e përmirësojnë me kontributin e mendimit të tyre të vlefshëm, poetët dhe artistët e denjë të këtij emri i këndojnë njeriut e triumfit të jetës; njerëzit e veprimit, duke pas humbur ndjenjën magjiplote të natyrës s’bëjnë veç e përdorin atë për synimet e tyre, kurse tiranët nuk kërkojnë tjetër veç ta sundojnë me çdo kusht duke e kthyer çdo gjë në pronë të tyre, në pagjallesë. Nekrofilë siç janë, urrejnë evolucionin, krijimtarinë, përparimin dhe dijen.

Parimi i vdekjes, pjesë përbërëse e gjithë regjimeve, perceptohet lehtë te republikat, që e shpallin dhe e venë në dukje këtë gjë, kurse diktaturat bëjnë çmos ta fshehin dhe ta mohojnë në të gjitha mënyrat e mundshme këtë fenomen të natyrshëm e të pashmangshëm. E bëjnë me teori, me dhunë e trysni. Shtypi dhe informacioni kërkon nga të gjithë një buzëqeshje idilike në mënyrë që të duken një familje e vetme e madhe, gjë që nuk i përgjigjet aspak së vërtetës. Masa e detyruar duartroket në mitingje tiranët e saj dhe farsa vazhdon me dekada nëpër rrugë e sheshe të mëdha.

Të ekzistosh do të thotë të jesh në botë sepse ekzistencë nuk është ajo çka ka ndodhur, por e tërë fusha e mundësive njerëzore e marrë së bashku, çdo gjë që individi është në gjendje ta transformojë me vullnetin e prirjen e vet në çastin kur të gjitha forcat e tij krijuese veprojnë për realizimin e një projekti konkret dhe real. Prandaj njeriu ndërton hapësirën e vetes dhe krijon kohën e tij. Më parë se historia t’i bjer këmbanës, individi ka hedhur shikimin tjetërkund; i ka marrë masat dhe është projektuar në të ardhmen. E njejta gjë ndodh me shoqërinë, kombin, vendin. Asnjë tiran s’e ndal dot procesin historik të ngjarjeve.

Kur një popull i një far niveli merr e përshtat një ideologji të huaj traditave të veta, e ndryshon duke ia pajtuar kushteve që ka, fesë e mendësisë së tij, gjë që sjell me vete ndryshime të tilla sa bëhet krejt tjetër nga ç’kish qenë në nisje. Kjo ndodhi me marksizmin që, pas një kure të fortë universalizmi u rusifikua dhe u sllavizua. Ashtu si vite më parë, duke adoptuar ortodoksinë, Rusia s’bëri veç manifestoi dëshirën e saj që të shkëputej nga Perëndimi që të afirmonte vetveten. Si Bizanti, edhe Moska kërkonte autonomi të plotë. Skizmat dhe herezitë janë nacionalizma të kamufluara.

Marksizmi hyjnizon Historinë që të diskreditojë Perëndinë. Dhe këtë e bën me të gjitha format e mundshme që disponon. Gjithçka mund të shuash tek njeriu, veç nevojës që ai ka për besimin tek Perëndia, e cila do të mbijetonte edhe pas shembjes së tempujve e pas zhdukjes së fesë në botë. Kështu skepticizmi në Rusi u shndërrua e u bë nikilizëm, hipoteza dogmë dhe ideja ikonë. Revolucionar në kuptimin e vërtetë të fjalës mbeti vetëm çasti para revolucionit, ai kur njerëzit nënshkruan me entuziazëm e plotësim kultin e së ardhmes dhe atë të shembjes së botës së vjetër. Revolucioni ka psikologjinë e dinamikën e vet për sa i takon pushtetit e, me kohë, që t’i realizojë qëllimet e veta, përdor po ato mjete që kish kritikuar e dënuar më parë. Historia e ka vërtetuar në mënyrë të padiskutueshme këtë gjë.

Që një vend të marrë rrugën drejt demokracisë së vërtetë, duhet më parë të nisë të zbutet e të mos synojë asnjë lloj hegjemonie. Çdo qytetërim ka bindjen se mënyra e vet e jetesës është më e mira dhe e vetmja që mund të konceptohet, prandaj bota duhet ta pranojë në mënyrë absolute, përndryshe duhet t’i imponohet. Kështu vjen çasti i pashmangshëm që, me një pretekst të çfarëdoshëm, bie maska e shfaqet tipari agresiv: nis fushata ushtarake e pushtimit. Përmbysja dhe eliminimi i kundërshtarëve bëhet, siç ka ndodhur edhe me luftërat fetare, mision i shenjt. Në emër të Zotit vriten ata që konsiderohen pa Zot. Qetësia e vërtetë ndjehet vetëm kur ngadhënjimtarët ndodhen përpara varreve të të mundurve. “Respektohen” të vdekurit për aq sa nuk shqetësojnë të gjallët që mbajnë pushtetin e diktojnë ligje. Vetëm të vdekurit mund të thonë ç’është me gjithë mend lufta, sepse në çdo betejë viktima e parë që bie është e vërteta.

Duhet pra të kërkojmë shërimin e të këqijave tona brenda vetes, në parimin jashtëkohor të natyrës sonë. Shekujt treten, materia tërhiqet e jep dorëheqje, hijet struken të rraskapitura dhe e tërë koha duket sikur vjen e na bën vizitën e saj të fundit përpara se të zbehet e të shuhet përgjithmonë prej nesh. Thithim tërë nostalgjinë e asaj që dikur qe rini e buzëqeshje dhe befas ndjejmë se mbetemi jetimë e fatkeqë. Pikërisht kur s’e presim, në çastin tonë më kritik, ja që një dritare hapet diku e jeta nis të na buzëqeshë rishtas, sepse me ne s’mbaron gjithçkaja që është brenda e jashtë unit tonë. Rizgjimi troket dhe qenia nis një rrugë të re, atë të mirëkuptimit mes njerëzve. Janë ciklet që hapen e mbyllen pareshtur në procesin e gjatë të evolucionit historik. Jemi pjesë e pandarë e gjithësisë e japim, me aq sa mundemi, diçka që na bën, jo vetëm të dukemi por edhe të jemi më të hapur, më të dashur e njerëzor ndaj të tjerëve. Ruajmë të pacenuara identitetet tona por duke u lënë vend po me aq respekt edhe atyre që mendojnë ndryshe nga ne, në rast të kundërt s’mund të ketë bashkëjetesë e harmoni për askënd në botë.

Bota s’është e jona; ajo është e të gjithëve dhe e askujt. Në një shoqëri të drejtë, dija e kultura nuk duhet të jetë monopol i askujt dhe askush nuk duhet të kërkojë t’i përdorë të tjerët si vegla për qëllime personale. Jashtësia nuk duhet të sulmojë e të bëhet zot i botës sonë të brendshme e të diktojë ligje që bien ndesh me parimet themelore të moralit e të jetës së çdokujt. Çështja nuk shtrohet që të fitojë i fuqishmi, ai që ka pushtet e sundon mbi të tjerët, por të mbështeten me çdo kusht të drejtat e të gjithëve, të inkurajohen talentet e aftësitë e krijuesve, të atyre që përpiqen që jeta t’u buzëqeshë edhe njerëzve të thjeshtë e të varfër në tërë rruzullin tokësor.

 

Besnik Sopoti

2013

 

 

 

 

 

 

 

 

Share it :