Lufta në Siri/   Gerti Pashja luftoi në Siri me vëllain e imamit Balla

Anxhela Tato

 

 

Hetimet e Prokurorisë, Pasha u përjashtua nga studimet në Turqi për propagandë ekstremiste

 Rasti i Isa Ndregjonit, pas 12 muajsh luftime në Siri, Gerti Pashja e instruktori se çfarë duhet t;i thoshte policisë

 

 

 

pashja-320x240Gert Pashja, një ndër anëtarët e grupit të akuzuar për terrorizëm, mësohet se është përjashtuar nga vijimi i studimeve në Turqi, për shkak të bindjeve të tija dhe propagandës radikale. Këto detaje mësohen nga dosja voluminoze hetimore, sipas të cilës roli i Pashjas ka qenë strehimi i muhaxhedinëve shqiptarë dhe ndihma për kalimin në kampin e luftës. I njohur me emrin Edy Muxhahidi, i akuzuari nuk ka pranuar në mënyrë kategorike që të flas për prokuroren e çështjes. Ndonëse në prani të avokatit mbrojtës i pandehuri Gert Pashja nuk i ka dhënë përgjigje pyetjeve të përfaqësues së akuzës. Ndërsa mbrojtësi ka kërkuar që të njihet me dosjen e plotë hetimore dhe më pas Pashja do të japë shpjegime. Sipas prokurorisë, Pashja është një ndjekës fanatik i rrymës radikale të islamit, dyshohet se njëri nga nxitësit dhe organizatorit kryesor të dërgimit të shqiptarëve për “Xhihad” dhe predikonte forma ekstreme të islamit kundër shtetit laik dhe institucioneve ligjzbatuese. Në dosjen e akuzës, thuhet se Pashja është përjashtuar nga Universiteti “Uludag” në Turqi, me arsyetimin e pikëpamjeve radikale të shfaqura brenda ambienteve universitare. Pas kësaj, mësohet se 30-vjeçari është kthyer në Elbasan, ku ka mbaruar fakultetin, dega “Punë Sociale”. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, ai frekuentonte xhamit ku predikonte imami Genc Balla i njohur si Shehj Abdurrahim Balla, tashmë i arrestuar.

 

Hetimet

 Sipas dosjes, dyshohet se Pashja ka udhëtuar drejt Turqisë e më pas Sirisë që nga fillimi i vitit 2012, nga ku është kthyer disa herë në Shqipëri. Rezulton se 30-vjeçari ka marr pjesë në luftime në Siri së bashku me vëllain e imamit të vetëshpallur Genc Balla tashmë i arrestuar. Kjo e provuar nga bisedat telefonike dhe mesazhet e shkëmbyer mes bashkëshortes së Pashjes dhe familjarëve të Ballës. Në dosjes, thuhet se 30 vjeçari mbante kontakte të vazhdueshme me të arrestuarin tjetër Edmond Balla, i cili ka qenë edhe student në një nga universitetet në qytetin e Bursës në Turqi, ku edhe u arrestua Pashja. Në qytetin e Bursës, mësohet se ndodhej një apartament ku vullnetarët shqiptarë qëndronin dhe më pas niseshin drejt zonave të luftës në Siri, për t’iu bashkuar grupeve terroriste “Al-Nusras” dhe “Dojles”. Në dosje renditet edhe rasti i Isa Ndregjonit, i cili ka luftuar mbi 12 muaj në Siri dhe pas kthimit, është instruktuar nga Pashja se si duhet t’i përgjigjet policisë në Shqipëri, kur të merret në pyetje. Nga kontrolli fizik, atij i është gjetur një letër ku shkruhej një adresë që për Ndregjonin, ishte konsullata shqiptare në Stamboll, por nga verifikimi rezultonte apartamenti i Gert Pashja. Edhe nga këqyrja e telefonit, Ndregjonit i janë gjetur disa mesazhe ku provohet se ai ka qenë në Siri për Xhihad. Për akuzën, Pashja dyshohet se ka ligjëruar dhe hedh materiale radikale, ku bëhet thirrje për luftë në faqen e internetit ëëë.thirrjavertete.com që tashmë rezulton e mbyllur, pas arrestimit të të dyshuarve për terrorizëm. Përveç kësaj adrese, Pashja mendohet se shfrytëzonte edhe profilin e tij në rrjetin social “Facebook” për të bërë thirrje mes myslimaneve që të bashkohen për luftën e shenjtë në Siri. Prova këto që tashmë janë administruar në dosje.

 

 

Korçë/ Përplas për vdekje 2 kalimtare, arrestohet autori

 Dy gra të moshuara kanë humbur jetën mbrëmjen e sotme në periferi të Korçës, pasi janë përplasur nga një automjet. Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur në Lagjen 10 të qytetit, kur dy gratë ishin duke kaluar nga njëra anë e rrugës në tjetrën. Mësohet se makina me targë AA084GM i ka përplasur për vdekje kalimtaret dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa është vënë në pranga autori Marjo Pajo 18 vjeç. Momentalisht nuk dihet ende identiteti i viktimave, ndërsa policia po punon për zbardhjen e ngjarjes. Paraprakisht dyshohet se shkak i aksidentit mund të ketë qenë mungesa e ndriçimit dhe lagështira në rrugë.

 

 

Tiranë/ Grabitje banesash dhe biznesesh, pranga 2 autorëve

 Forcat e komisariatit të policisë nr. 2 në kryeqytet arrestuan në flagrancë shtetasit Arnold Pinari 19 vjeç, dhe Denis Gjoka, 19 vjeç. Dy të rinjtë janë kapur duke tentuar të vjedhin një farmaci në rrugën “Naim Frashëri” Tiranë. Në vendin e ngjarjes shtetasve të mësipërm i janë gjetur dhe sekuestruar një kriko makine, mjet i cili shërbente për të hapur qepenat e dyqaneve, kaçavida, çelës etj., sende që kanë shërbyer për realizimin e vjedhjeve, si dhe një automjet tip “Mercedes-Benz”, me targa TR 9630 T. Nga veprimet hetimore rezulton se këta shtetas janë autorë të mbi 10 vjedhjeve të banesave dhe bizneseve të ndryshme në Tiranë. Pasi u kryen veprimet e para hetimore materialet i kaluan Prokurorisë. Për këtë operacion të quajtur Ish-Parku, ishte bërë një pune operative gjurmuese disajavore.

 

 

Greqi/ Këngë kushtuar vrasjes së Ilia Karelit, dënohet dhuna e gardianëve

 Një këngë greke për dhunën në burg pas vrasjes së shqiptarit Kudret Kume (Ilia Kareli). Agathonas Lakovidhis, këngëtari grek, që përfaqësoi Greqinë në festivalin Eurovision 2013 në Suedi ka postuar në Youtube një këngë ku kritikohet dhuna e gardianëve grekë ndaj shqiptarit Ilia Kareli. Në pamjet e videos shfaqen pikërisht imazhet e rënda të çasteve të fundit të jetës së Kudret Kumes. Kënga e kënduar nga Agathonas Lakovidhis është me vargjet e avokatit Dhimitris Panusis. “U transportua në një burg tjetër, por kishin etje për gjakun e tij dhe e goditën pastaj gati të vdekur e çuan në qeli, ngatërruan rolet. I nxorën shpirtin por asnjë gardian nuk e pranoi por si krimba thellë në tokë u fshehën”, – thuhet në vargjet e këngës.

 

 

Atentat/ Eksploziv për herë të tretë komisariatit të Fushë-Krujës

Sulm për herë të tretë komisariatit të policisë së Fushë-Krujës, ndërsa sërish lënda plasëse është hedhur nga një automjet me xhama të zinj. Rreth orës 22:00 është dëgjuar një shpërthim i fuqishëm në derën e komisariatit, ndërsa është parë vetëm makina në ikje. Nga dëshmitarët është konstatuar një automjet me xhama të zinj dhe ngjyrë të errët, i cili në ecje e sipër ka hedhur lëndën plasëse. Pamja është filmuar nga kamerat e sigurisë së një banke, të cilat janë sekuestruar nga uniformat blu, me shpresën për të arritur në identifikimin e autorëve. Sipas policisë kamerat e sigurisë mund të kenë arritur të filmojnë automjetin, duke fiksuar targën e tij, çka do të thjeshtësojë gjetjen e autorëve të këtij sulmi. Kjo është hera e tretë që brenda pak muajve policia bie pre e atentateve. Ndërsa ka dyshime se kjo është shenjë paralajmërimi për aksionet e ndërmarra nga blutë dhe shoqërimet e personave të dyshuar për mbajtje, tregtim dhe përdorim lëndësh plasëse. Por paralelisht me këtë ngjarje është zhvilluar dhe një aksion që ka çuar në sekuestrimin e lëndëve plasëse në një automjet dhe arrestime. Nga ana e bluve po vijon hetimi për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

 

Share it :