Pas restaurimit, “Tomka dhe shokët e tij” nis premierat
Restaurimi dhe preservimi i filmit shqiptar “Tomka dhe shokët e tij” realizuar nga Projekti i Kinemasë Shqiptare (ACP) kryesuar nga Regina Longo dhe Laboratori i Qendrës Audiovizuale pranë Bibliotekës së Kongresit (LOC) kryesuar nga Kenneth Weissman, në bashkëpunim me AQSHF, do të ketë së shpejti dy shfaqje premierë.
Në mbrëmjen e 26 prillit, filmi është përfshirë në Festivalin Ndërkombëtar PRIFILMFEST në Prishtinë. Kjo do të jetë hera e parë që filmi “Tomka dhe shokët e tij” do të shfaqet për një publik ndërkombëtar me titra në anglisht. Drejtorja e AQSHF, Elvira Diamanti, si dhe disa nga aktorët kryesorë, atëherë fëmijë, do të prezantojnë filmin para publikut nën yjet në qiell të Prishtinës. Nisma u mbështet nga ministritë e Kulturës së Shqipërisë dhe Kosovës, si pjesë e bashkëpunimeve dypalëshe në fushën e artit dhe kulturës. Ndërsa më 29 prill filmi i restauruar “Tomka dhe shokët e tij” do të shfaqet edhe në Bristol, Britani e Madhe, në Watershed Cultural Cinema and Digital Creativity Centre pjesë e programit “Cinema of Childhood”.
Pesë premiera botërore në Prishtina International Film Festival
Filmi britanik “Philomena” e Stephen Frears, regjisor i nominuar dy herë për “Oscar” dhe fitues i më shumë se 50 çmimeve, është planifikuar që të bëjë hapjen e PriFestit të sivjetshëm më 25 prill përderisa fituesi i tri çmimeve “Oscar” këtë vit “Dallas Buyers Club”, do të hapë natën e dytë të PriFest-it të programit LetItBe, një program dedikuar temës LGBT, bashkëpunim me festivalin e filmit OutFest në LA dhe ne mbështetje te Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.
Festivali do të mbyllet me një nga filmat më të përmendur këtë vit, me versionin 240-minutësh të “Nymphomaniac” nga Lars Von Trier, më 1 maj.
Me 5 premiera botërore, 5 premiera ndërkombëtare dhe me mbi 50 premiera në Kosovë, këtë vit PriFest hyn në edicionin e gjashtë duke prezantuar publikut rreth 60 filma, më shumë se çdo vit tjetër dhe këto do të ndahen në 7 programe të ndryshme.
Filmi me metrazh të mesëm “One of them”, filmi i animuar “Plisi” dhe dy dokumentarët “The land of women”, “The legendary dog” nga Kosova si dhe filmi me produksion francez “Udhëtimi në malin e Tomorit” janë pesë filmat që do ta kenë premierën botërore në PriFest, duke iu ofruar adhuruesve të filmit kosovarë mundësinë që t’i shikojnë të parët nga të gjithë.
Ndërkohë, pesë premierat ndërkombëtare vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës- dokumentari “Home court”, nga Gjermania – filmi i metrazhit të mesëm “Djalli” dhe nga Shqipëria filmi i metrazhit të gjatë “Ada”, dhe ai i metrazhit të mesëm “Finally home” si dhe dokumentari “Dokumentari i fshehur”.
Një tjetër risi për këtë vit është bashkëpunimi me British Council për të realizuar “British night” në festival me tre filmat e një nga industritë më të mëdha kinematografike, asaj britanike “The Selfish Giant” në programin garues Evropian, “London: The modern Babylon” në programin dokumentar dhe me filmin e nominuar për “Oscar”, “Philomena” në programin e Projeksioneve Speciale.
“Ndryshimet e lehta kanë ndodhur me ndryshimin e sezonit, nga festivali i vjeshtës në një festival të pranverës, për ne festivali është bërë më i fokusuar dhe do të promovojë më shumë kinematografinë evropiane dhe ballkanike në konkurrencë zyrtare, por duke mos i lënë anash edhe pjesët tjera të botës në kategorinë e metrazhit të mesëm, projeksionit special, programit fokus në një vend specifik si dhe programi LetItBe. Nuk ka qenë e lehtë për ne ndryshimi i datave pasi që kemi pasur vetëm 7 muaj në dispozicion për t’i përgatitur të gjitha dhe unë do të doja ta quaja këtë edicion pak me humor foshnje e lindur para kohe”. Por, në anën tjetër, më duhet të theksoj se fakti që kishim më pak kohë për t’u përgatitur, na bëri më të përqendruar dhe më të mobilizuar. Jam shumë krenare me punën që kemi bërë gjatë këtij edicioni, duket shumë premtues”, – u shpreh Vjosa Berisha, bashkëthemeluese dhe drejtore e PriFest.
Programi Garues Evropian do të sjellë 10 filma nga Britania e Madhe, Gjermania, Austria, Rusia, Izraeli, Ukraina, Lituania, Letonia, Republika Çeke, Sllovakia dhe Italia.
Programi Garues i Filmave të Ballkanit, i emëruar si Kinemaja e Mjaltës dhe Gjakut do të sjell filmat nga Maqedonia, Turqia, Sllovenia, Kroacia, Greqia, Bosnja, Serbia dhe Rumania
Programi konkurrues i metrazhit të mesëm, program i veçantë për rajon, do të prezantojë produksione nga Shqipëria, Polonia, Gjermania, Franca, Sllovakia, Kosova, etj. përderisa filmat dokumentarë vijnë prej Iranit, Gjermanisë, SHBA-së, Britanisë së Madhe, etj.
Focus: India, do të sjellë 5 filma art house të veçantë, prej këtij shteti të jashtëzakonshëm me industri filmike fantastike. Përzgjedhja e këtyre filmave është bërë në bashkëpunim me FIPRESCI – Federata Ndërkombëtare e Kritikëve të Filmit.
Fituesja e çmimit Oskar, Eva Orner; regjisori britanik Stiven Frers, regjisorja boshnjake Jasmila Zbanic – fituese e çmimit Ariu i Artë në Berlinale; Lars Von Trier – regjisor danez i njohur botërisht për filmat e tij më kontravers; Paolo Sorrentino – i shpërblyer me çmime të shumta dhe Jean-Marc Valle – me filmin e tij të shpërblyer me tre çmime Oskar, janë disa nga emrat më të rëndësishëm, filmat e të cilëve do të shfaqen në këtë edicion të PriFest-it.
Ndërsa 2 maji do të shënojë natën solemne të ndarjes së çmimeve – nata që do të përmbyllë edicionin e 6-të të PriFestit.





