Ministria e Financave ka publikuar dje emrat më të fundit të ish-të përndjekurve politikë, të cilët do të marrin dëmshpërblimin. Një pjesë e dosjeve janë në rregull për sa i përket dokumentacionit dhe shumë shpejt do t’u hidhen lekët në bankë. Një pjesë tjetër kanë mungesë në dokumentacion dhe ish-të përndjekurit apo trashëgimtarët e tyre duhet të bëjnë menjëherë dorëzimin e dokumenteve që duhen. “Çdo ish-i dënuar apo trashëgimtar ligjorë, që është listuar në një VKM për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë, duhet të postojë dokumentacionin e kërkuar në një nga pikat e Postës Shqiptare, të çdo rrethi, në adresën: Ministria e Financave, Drejtoria e Pagesave dhe Dëmshpërblimeve”, – thuhet në një njoftim të Ministrisë së Financave. Sipas rasteve dhe radhës së trashëgimisë, dokumentet e nevojshme për të përfituar dëmshpërblim janë si më poshtë: Për ish-të dënuarit që jetojnë: Dokument identifikimi dhe numër llogarie aktive në një bankë të nivelit të dytë. Për trashëgimtarët e ish-të përndjekurve që nuk jetojnë më: Akt trashëgimie, certifikatë vdekjeje e të dënuarit, certifikatë trungu të të dënuarit, numër llogarie bankare aktive për çdo përfitues ose prokurë dhe dokument identifikimi për përfituesit. Në qoftë se një ose disa nga trashëgimtarët e radhës së parë nuk jetojnë më, atëherë njëri nga trashëgimtarët në marrëveshje, do të postojë me të njëjtën adresë si në paragrafin e parë dokumentet e mëposhtëm: Akt noterial trashëgimie për çdo trashëgimtar të radhës së parë që nuk jeton më, certifikatë vdekje për çdo trashëgimtar të radhës së parë që nuk jeton më, certifikatë të trungut familjar të çdo trashëgimtari të radhës së parë që nuk jeton më, numër llogarie aktive bankare për të gjithë trashëgimtarët e trashëgimtarëve të radhës së parë që nuk jetojnë më, si dhe fotokopje të kartës së identitetit apo pasaportës të çdo trashëgimtari që vjen nga trashëgimtarët e radhës së parë, që i lind e drejta për dëmshpërblim.




