Lajmet e mira nga Eurozona po shtohen: recesioni ka kaluar, po ashtu edhe dyndjet për të hyrë nën ombrellën e shpëtimit. A ka kaluar kriza? Aspak, mendojnë ekspertët.
2014-a duket se është viti i kthesës për Eurozonën: pas dy vitesh recesion, rendimenti ekonomik i 18 shteteve anëtare të Eurozonës do të shënojë rritje, edhe nëse ajo do të jetë një për qind. Edhe më entuziazmues është lajmi se Irlanda dhe Spanja janë larguar prej ombrellës së shpëtimit, ESM. A mund të futet kriza e euros në arkiv?
Jo, thotë Hans-Werner Sinn, president i Institutit ifo të Mynihut. Për mendimin e tij, qetësimi i ekonomisë nuk është i qëndrueshëm. Ajo prek vetëm tregjet financiare, por nuk ndryshon gjë në mjerimin ekonomik. Si shembull ai përmend ombrella të reja shpëtimi, si programin për blerjen e huave të Bankës Qendrore Evropiane. Me të mbrohen investues që kanë blerë letra shtetërore në vendet e jugut, sepse në rast nevoje, BQE ua blen atyre huatë shtetërore, përpara se shtetet të falimentojnë. “Pastaj ne kemi edhe bashkimin bankar, i cili gjithashtu do të thotë mbrojtje e kreditorëve”, – i thotë Sinn “Deutsche Welle”-s, sepse kreditorët paguajnë vetëm në një masë shumë të vogël për humbjen, nëse një bankë falimenton.
Megjithatë, kriza në Evropën Jugore ka dy dimensione – një krizë financiare dhe një krizë e ekonomisë reale – thotë Sinn. “Krizën financiare e qetësuan ose e reduktuan, duke i qetësuar investuesit e kapitalit me një premtim kolektiv për t’i shpëtuar, por kriza e ekonomisë nuk zgjidhet me këtë”. Papunësia masive vazhdon të ekzistojë. Prodhimi industrial në Greqi ka rënë me 30 për qind që prej shpërthimit të krizës.
Greqia nuk i ka nën kontroll borxhet
Papunësia në Greqi në 2013 arriti shifrën rekord prej 27 për qind. Një ndër dy grekë nën 24 vjeç nuk gjen punë. Borxhet shtetërore të Greqisë, të cilat bënë që të shpërthejnë zjarret masive në Eurozonë në fund të 2009-ës, me gjithë faljen e një pjese të borxheve, aktualisht përbëjnë 180 për qind të rendimentit ekonomik të vendit, thotë eksperti i ekonomisë nga Universiteti i Bonit, Moritz Schularick në intervistë me “DW”.
Problematike Schularick-u konsideron edhe situatën e borxheve në Itali. Ekonomia e tretë për nga madhësia e Eurozonës ka mbledhur borxhe që arrijnë 130 për qind të rendimentit ekonomik. Që para krizës, Italia kishte rritjen më të vogël ekonomike në bashkimin monetar. Kjo ka të bëjë para së gjithash në rritjen mbi mesataren të shpenzimeve për pagat dhe në uljen e aftësisë për konkurrencë, të shkaktuar prej kësaj. Tregu i ngurtë i punës bën pjesën tjetër.
Franca në udhëkryq
Për probleme të ngjashme ankohen sipërmarrjet franceze. Në kohë të vështira ekonomike ato e kanë të vështirë të ndahen nga punonjësit, prandaj ato druhen në kohë të mira nga krijimi i vendeve të reja të punës. Një moshë e ulët e daljes në pension dhe një pagë minimale relativisht e lartë bëjnë që ekonomia franceze të jetë gjithnjë e më pak konkurrente me ekonominë gjermane.
Nga njëra anë, Franca humbet pjesë në tregjet botërore, nga ana tjetër, për shkak të papunësisë së lartë ka rënë konsumi i brendshëm. Për ta frenuar tatëpjetën e Grande Nation-it, qeveria sapo ka miratuar një paketë reformash. Ekspertët nga ana tjetër konstatojnë se frika që Franca mund të humbasë aftësinë konkurruese për të ardhmen është shumë e madhe tek politikanët dhe tek shoqëria, prandaj ata nuk e përjashtojnë që qeveria e re të arrijë ta rimëkëmbë ekonomikisht Francën.
(Marrë nga “Deutsche Welle”)
Gazsjellësi TAP rinis procesin e prokurimit
Projekti i ndërtimit të gazsjellësit TAP njoftoi dje se ka ndërmarrë vendimin të rinisë procesin e tij të prokurimit, në vijim të një rishqyrtimi që i ka bërë strategjisë dhe afateve të tij kohore. Për këtë arsye, TAP do të nisë procese të reja parakualifikimi për mallrat dhe shërbimet për të cilat do të ketë nevojë gazsjellësi natyror.
Procesi i rishqyrtuar i parakualifikimit duhet t’u ofrojë mundësinë maksimale furnitorëve/kompanive kombëtare dhe ndërkombëtare që të marrin pjesë në këtë projekt strategjik dhe të rëndësishëm.
TAP do të rinisë procesin për të prokuruar mallra dhe shërbime në fushat kryesore të mëposhtme:
1. Projektim, prokurim, ndërtim (EPC): Pjesa më e madhe e kompanive, të cilave do t’u kërkohet të marrin pjesë në procesin e parakualifikimit, do të jenë kompani që ofrojnë shërbime në fushën e projektimit, prokurimit dhe ndërtimit. Për shembull, këtu mund të përfshihen shërbime për ndërtime në pjesën tokësore dhe në pjesën detare, stacionet e kompresorëve dhe ndërtimi i pikës fundore të tubacionit.
2. Kontratat e furnizimeve: Këto përfshijnë prokurimin e tubacioneve prej çeliku, sistemet SCADA dhe valvolat me diametër të gjerë për gazsjellësin. Këto kontrata do të menaxhohen drejtpërsëdrejti nga TAP.
TAP synon që të publikojë njoftime në “Fletoren zyrtare” të BE-së – Gazetën e BE për secilën nga kontratat. Kompanitë me eksperiencën përkatëse mund të aplikojnë. Njoftimi i parë për Kontratë mund të gjendet në Gazetën e BE-së për para-kualifikimin e kompanive të mundshme për ndërtimin e rrugëve ndihmëse dhe të urave në Shqipëri.
Kompania deklaron se inkurajon të gjithë kompanitë me eksperiencën përkatëse – duke përfshirë edhe ato që kanë aplikuar më parë – të marrin pjesë në procesin e ri të parakualifikimit. TAP gjithashtu do të japë orientime të sakta për kompanitë lidhur me pjesëmarrjen në proceset e tenderimit.
Informacioni i përditësuar mbi prokurimet e TAP gjendet në faqen e internetit: www.tap-ag.com/tenders
Rreth Gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP)
TAP do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigante e Shah Deniz II në Azerbajxhan për në Evropë. Gazsjellësi i gjatë përafërsisht 870 km do të lidhet me Gazsjellësin Trans-Anatolian (TANAP) pranë kufirit greko-turk në Kipoi, do të kalojë përmes Greqisë dhe Shqipërisë dhe detit Adriatik përpara se të mbërrijë në brigjet e Italisë jugore.
Trajektorja e TAP mund të lehtësojë furnizimin me gaz për disa vende të Evropës Juglindore duke përfshirë Bullgarinë, Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi, Kroacinë etj. Pika ku TAP hyn në tokë në Itali ofron mundësi të shumëfishta për transportin e mëtejshëm të gazit natyror të Kaspikut drejt disa prej tregjeve më të mëdha evropiane si Gjermania, Franca, MB, Zvicra dhe Austria.
TAP do të promovojë zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës përgjatë gjurmës së tij; do të jetë një burim kryesor për investimet e huaja të drejtpërdrejta dhe nuk varet nga grantet ose subvencionet. Pasi të bëhen shitjet e para në Gjeorgji dhe Turqi nga fundi i vitit 2018, prurjet e para të gazit në Evropë do të ndodhin pas rreth një viti.
Aksionarët e TAP janë BP (20%), SOCAR (20%), Statoil (20%), Fluxys (16%), Total (10%), E.ON (9%) dhe Axpo (5%).




