Reforma administrative/ Afatet e fundit, çfarë parashikon PS dhe PD. Si u arrit konsensusi në 2002-in e 2008-ën

Gëzim Saliu

 

Zgjidhja e vetme për bashkëpunim mbetet pranimi i kërkesës së opozitës për konsensus të gjerë

 

kuvendiMazhoranca dhe opozita duken shumë larg mundësisë së një konsensusi mes tyre për të nisur punën për reformën administrative territoriale. Pas më shumë se një muaji deklaratash me qëndrime të kundërta si edhe shuarjes së mundësisë së takimit të dy liderëve Rama e Basha, vendosja e afatit përfundimtar nga mazhoranca ndaj opozitës për të enjten e kësaj jave si mundësi e fundit që e djathta të bëhet pjesë e komisionit të posaçëm parlamentar për këtë këtë reformë, ka çuar palët në polet ekstreme. Nga ana e saj, mazhoranca ka marrë vendimin që mos të presë më opozitën dhe të nisë punën për reformën territoriale, ku pritet kërkesa ndaj Kuvendit për rishikimin e vendimit për ngritjen e komisioni të posaçëm. Të majtët duken të bindur për ta mbyllur këtë reformë brenda këtij sesioni parlamentar, për të bërë të mundur që zgjedhjet vendore të 2015-ës të zhvillohen mbi ndarjen e re administrative të vendit. Por pavarësisht “dëshirës” për ta mbyllur këtë reformë, edhe pa opozitën nëse kjo e fundit s’pranon propozimet e të majtëve, mazhoranca i druhet nga ana tjetër reagimit të ndërkombëtarëve. Në kohën kur duhen pak më shumë se dy muaj nga vendimi i Brukselit lidhur me statusin, miratimi i një reformë me rëndësi themelore për Shqipërinë në mënyrë të njëanshme nuk do të ishte mesazhi i duhur. Po ashtu marrë shkas nga fakti se përmes një reforme të tillë, preken sigurisht edhe “vijat politike” të forcave kryesore në të gjithë territorin shqiptar, reagimi i së djathtës, ashtu sic edhe ka bërë të ditur kreu i opozitës Basha, do të nisë nga dërgimi si antikushtetues i reformës në gjykatë deri tek protestat në sheshe. Në këtë kontekst opozita ka bërë të ditur qartë kërkesën e saj lidhur me këtë çështje, duke nënvizuar rëndësinë e konsensusit me votë në Parlament të reformës. Sipas të djathtëve , pretendimet e mazhorancës, se përmes këtij konsensusi opozita do të mund të bllokojë reformën nuk qëndrojnë. Në këto kushte, zgjidhja e vetme që mbetet është ajo e pranimit të kërkesës së opozitës për një konsensus të gjerë, duke përsëritur kështu raste të ngajshme të bashkëpunimit mes palëve. Por duket se mazhoranca nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj, duke i lënë opozitës vetëm të drejtat në komisionin e posaçëm parlamentar, gjë e cila sipas të djathtëve nuk ka asnjë vlerë , në kushtet kur theksojnë ata, qeveria mund të përsërisë skenarin e njëjtë me atë të ligjit të nëpunësit civil. Ndërkohë krahas kërkesës së opozitës, në nenin 108 të Kushtetutës theksohet rëndësia e opinionit të qytetarëve për këtë reformë.  “Ndarjet administrative-territoriale të njësive të qeverisjes vendore caktohen me ligj mbi bazën e nevojave e të interesave të përbashkët ekonomikë dhe të traditës historike. Kufijtë e tyre nuk mund të ndryshohen pa u marrë me parë mendimi i popullsisë që banon”.

 

Rastet e konsensusit

Rastet e konsensusit të gjerë mes dy forcave kryesore politike nuk kanë munguar në të kaluarën. Në vitin 2002, për herë të parë dy krerët e asaj kohe të PS-së dhe PD-së, Fatos Nano dhe Sali Berisha  arritën të merrnin rezultatet nga dialogu mes tyre duke prodhuar një emër konsensual për postin e Presidentit. Në atë kohë, të mbledhur në një nga ambientet e kryesisë së Kuvendit, Berisha dhe Nano, të cilët shoqëroheshin nga krerët e partive aleate, Mediu, Gjinushi, Milo dhe Starova sollën një emër konsuensual për kreun e shtetit, duke zgjedhur Alfred Moisiun. Një tjetër rast i ngjashëm është ai i pranverës së vitit 2008, ku palër përmes një konsensusi partiak ndryshuan kushtetutën e vendit. Pas amendimeve të 13 janarit të 2007-ës, ndryhsimet e 2008-ës ishin të dytat në ligjin themeltar të vendit. Në mars të këtij viti u ndërmeroën nisma për një reformë kushtetuese, e cila zgjeroi gamën e çështjeve, duke filluar nga sistemi zgjedhor në Shqipëri, procedurat e zgjedhjes së Presidentit, mandati i prokurorit të përgjithshëm dhe mocioni i besimit e mosbesimit ndaj kryeministrit. Paketa me problematikën e mësipërme, e inicuar me vullnetin e përbashkët të dy forcave më të mëdha politike në vend, PD e PS, u miratua me një konsensus të gjerë në Kuvend (117 vota), në seancën plenare të 21 prillit 2008.

 

 

Mungon udhëzimi i qeverisë për skemën e përfituesve, fermerët mbeten pa subvencione

Afro 15 mijë fermerë që çdo vit kanë përfituar subvencione nga shteti rrezikojnë që këtë vit të ngelen pa mbështetje finaciare. Udhëzimi i qeverisë që përcakton skemën e përfitueseve nuk ka dalë ende, ndonëse duhet të ishte gati brenda muajit janar. Kjo vonesë ka bërë që fermerët këtë vit të mbjellin më pak sipërfaqe dhe të ulin prodhimin. Eksperti i politikave bujqësore, ish-zevendësminstri i Bujqësisë Ndoc Fasllia tha dje se sezoni i mbjelljeve ka mbaruar, çka sipas tij do të thotë se mijëra fermerë kanë mbetur jashtë skemës së finacimit. Krahas vonesës ish-zëvendësministri i Buqësisë theksoi se ndryshimet e skemës parashikojnë edhe heqjen nga subvencioni të pemëve frutore dhe të ullirit. Ndërkohë nga ana e tyre përfaqësues të minstrisë së Bujqësisë pohuan për tvklan se vonesat e subvencioneve në bujqësi janë si pasojë e disa ndryshimeve që po i bëhen skemës dhe se brenda këtij muaj do nisë shpallja e aplikimeve. Subvencionet janë e vetmja skemë që fermerët mund të përfitojnë financim të drejtpërdrejtë nga shteti për të zgjeruar aktivitetin e tyre. Këtë vit qeveria ka planifikuar të financojë afro 15 milionë dollarë nëpërmjet kësaj skeme, shumë kjo që sipas ekspertëve nuk do të merret nga fermerët brenda këtij viti për shkak të kohës së shkurtër që mbetet në dispozicion.

 

Reagimi/ Berisha: Në protestë kundër shtetit policor. Topalli: Dhuna ndaj qytetarëve, e dënueshme

Tubimi i  zhvilluar pranë Ambasadës Greke nga të rinjtë shqiptar, dhe dhuna e përdorur nga policia është bërë objekt sulmesh e debatesh mes qeverisë dhe opozitës. Lidhur me këtë ngjarje, ka reaguar dje në rrjetin social “facebook” ish kryeministri i vendit, Sali Berisha, i cili pohoi se,: “Dje Fallanga banditësh me uniformë, më urdhër të Edi Ramës, u versulën me egërsi ç’njerezore kundër disa qindra të rinjve që protestonin në mënyrë paqësore për ekzekutimin me torturat më çnjerëzore të Kudret Kumes në burgun famëzi të Nigritës”. Sipas Berishës, shkopinjtë e gomës, shqelmat, elektroshoku nuk kursyen as vajzat, gazetarët dhe kalimtaret. “Gazetari i mirënjohur i të përditshmes “Panorama”, Armand Bajrami, që po ndiqte protestën shkruan se ai dje fotografoi policë që rrihnin barbarisht brenda në furgonin e tyre të rinjtë dhe kjo mjaftoi që ata, për të fshehur krimin e tyre, ta merrnin forcërisht atë në rajon dhe ti merrnin po me forcë fotot dhe aparatin duke e sharë se “nuk je bërë ti të na fusësh në burg se ne të zhdukim fare”- citon më tej  ai. Në këtë kontekst, ish-kryeministri i vendit bëri thirrje ndaj qytetarëve për tu ngritur në protest kundër dhunës policore. “Dhuna e egër ndaj protestuesve paqësore është fytyra e vërtetë e Edi Rames, qëndrimi i tij policesk ndaj të drejtave dhe lirive të njeriut. Të gjithë në protesta kundër shtetit policor!”, shkruante Berisha. Po ashtu lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila ka dënuar dhunën e ushtruar nga policia ndaj të rinjve që po protestonin për torturimin me pasojë vdekjen e shqiptarit Ilia Kareli në burgun grek të Nigritas.  Sipas Topallit, qeveria e ka kthyer policinë në një instrument dhune kundër qytetarëve.  “Policia rreh me shkopinj qytetarët që protestojnë. Protesta ishte kundër shkeljes së të drejtave të njeriut. Policia po kthehet në një instrument dhune kundër qytetarëve, kjo është shumë e rëndë, shumë e dënueshme”,  deklaroi Topalli.

 

Share it :