Anxhela Tato
Policia, shoferi po ecte me mbi 100 km/orë, humbi kontrollin kur po futej në kthesë
Ekspertiza, automjeti ka bërë lëvizje të çrregullta, më shumë dëmtime në anën e majtë
Mes lotësh dhe kuje janë përcjellë për në banesën e fundit katër të rinjtë, të cilët humbën jetën në aksidentin e mëngjesit të së shtunës. Shpejtësia e lartë dhe alkooli i ka marrë jetën drejtuesit të automjetit dhe tre pasagjerëve të tij, duke mos arritur dot të zotëronte automjetin. Miq, të afërm, shok e shoqe kanë shoqëruar gjatë gjithë paradites familjarët e katër viktimave, duke i qëndruar pranë dhe duke i ngushëlluar për këtë ngjarje tragjike. Pesha më e madhe në këtë fatkeqësi është mbajtur nga familja Muça, e cila humbi të dy fëmijët në aksident. Djali 14 vjeç dhe vajza 18-vjeçare ndodheshin në sedijen e pasme të automjetin BMW, i cili doli nga rruga dhe u rrokullis. Është e pamundur që të komunikosh me prindërit e dy fëmijëve, të cilët janë të tronditur dhe nuk mund të thonë asnjë fjalë. Gjatë gjithë zhvillimit të ceremonisë mortore mamaja e dy fëmijëve mbahej për krahu nga të afërm të saj, të cilët tentonin që ta qetësonin dhe t’i jepnin forcë për të përballuar këtë humbje të rëndë.
Ngjarja fatale
Të rinjtë, përkatësisht Alfred Beluli, 28 vjeç; Klevis Muça, 14 vjeç; Juxhena Muça 18 vjeçe dhe Fatjon Drizaj 22 vjeç, kanë qenë duke u kthyer në shtëpi pas një feste. Dyshohet se gjatë mbrëmjes ata kanë konsumuar alkool në sasi të konsiderueshme dhe kur festa ka përfunduar, të rinjtë janë nisur për në banesat e tyre. Gjatë rrugës ata nuk janë përballur me patrulla policie, të cilat mund të kishin ndaluar drejtuesin e mjetit dhe mund të kishin parandaluar tragjedinë me katër të vdekur. Udhëtimi ka vijuar me shpejtësi, deri në momentin që kanë hyrë në një kthesë, pranë Institutit Bujqësor. Beluli ka tentuar që të marrë kthesën, por situata i ka dalë jashtë kontrollit. Shoferi ka tentuar që ta fusë automjetin në rrugë, por fakti që ai mund të ketë qenë në gjendje të dehur, nuk ka pasur mundësi të manovrojë ashtu siç duhet. Sipas ekspertëve të qarkullimit rrugor, drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin prej shpejtësisë së lartë. Si pasojë e kësaj, ai ka bërë lëvizje të çrregullta, ka dalë jashtë rrugës, ka tentuar të hyjë sërish në rrugë dhe është përplasur me betonin. Më pas ka bërë disa rrotullime dhe dëmet janë më të mëdha nga krahu i shoferit në krah të majtë. Prej përplasjeve të fuqishme, 4 të rinjtë kanë marrë plagë të ndryshme në trup, sidomos në pjesën e kokës. Mjekët bëjnë me dije se ata kanë gjetur vdekjen brenda pak minutave. Banorët e zonës kanë parë automjetin e dëmtuar në rrugë. Ata janë afruar pranë dhe kanë vënë re se në të ndodheshin trupa pa jetë. Të alarmuar kanë njoftuar policinë, për të marrë masat e nevojshme dhe për të sqaruar rrethanat. Sipas banorëve, vendi ku ka ndodhur aksidenti, është i rrezikshëm. Sipas tyre, kjo nuk është hera e parë që aty ndodhin aksidente, duke shënuar edhe pasoja të rënda për jetën. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar forca të shumta policia. Ata janë ndeshur me një gjendje kasaphane. Pa humbur kohë ata kanë tentuar që të hapin dyert e automjetit, por nuk kanë mundur, pasi ishin të dëmtuara nga përplasjet. Ata kanë kërkuar ndihmën e shërbimit zjarrfikës të cilët kanë ndërhyrë me gur fresibël, për të nxjerrë trupat e pajetë nga makina. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar ambulancat, të cilat kanë dërguar viktimat në morg. Ata u janë nënshtruar ekspertizës mjekoligjore dhe pas përfundimit të procesit, u janë dorëzuar familjarëve. Ekspertët do të sqarojnë shkaqet që çuan në vdekjen e katër të rinjve.
Ekspertiza paraprake
Automjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Ai u dërgua në laborator, për t’iu nënshtruar analizave nga ekspertët xhenerikë. Nga të dhënat paraprake dyshohet se Alfred Beluli ka qenë duke ecur me një shpejtësi prej më shumë se 100 km/h. Ekspertiza nuk ka përfunduar akoma pasi ajo do të zgjasë 3-4 ditë, në mënyrë që të përcaktohen shkaqet e sakta të aksidentit tragjik. Thuhet se gjatë aksidentit, makina ka bërë disa rrotullime. Shoferi ka tentuar që të shmangë aksidentin, por nuk ka mundur. Kjo vihet re nga shenjat e gjetura në vendin e ngjarjes, ku gomat e automjetit kanë lënë gjurmë të çrregullta në asfalt. Të rinjtë në automjet kanë gjetur vdekjen brenda një kohe shumë të shkurtër. Trupave të pajetë u janë marrë mostra gjaku, për të përcaktuar sasinë e alkoolit që kanë konsumuar. Burime nga grupi hetimor thonë se ende nuk është dalë në një konkluzion përfundimtar, pasi duhet parë edhe gjendja mekanike e makinës. Ndoshta aksidenti mund të ketë ndodhur edhe për shkak të defekteve dhe do të jenë analizat laboratorike dhe mekanike ato që do të nxjerrin konkluzionin përfundimtar.
Tiranë/ Brenda ditës 2 aksidente, bilanci 6 të plagosur
6 persona kanë mbetur të plagosur në dy aksidente të ndodhur pasditen e të dielës në kryeqytet. Aksidenti i pare ka ndodhur rreth orës 17:50 në zonën pranë urës së Farkës, ku mbetën të plagosur dy fëmijë. Policia bën me dije se në aksident janë përfshirë dy automjete dhe kanë mbetur të plagosur dy fëmijë. Shkak i aksidentit dyshohet të jetë humbja e kontrollit nga njëri automjet. Ndërkohë policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet. Një tjetër aksident ka ndodhur në zonën e Mulletit pak minuta më vonë. Në aksident u përfshinë dy automjete, një “Opel” dhe një tip “Volsëagen”, ndërsa mësohet se mbetën të plagosur katër persona. Sipas policisë të plagosurit janë transportuar menjëherë drejt Spitalit Ushtarak. Identiteti i të plagosurve dhe shkaqet e aksidentit ende nuk bëhen me dije. Dyshohet se shkak i aksidentit të kenë qenë shpejtësia tej normave të lejuara dhe kushtet e vështira atmosferike. Ndërkohë mësohet se gjendja shëndetësore e të aksidentuarve është jashtë rrezikut për jetën.
Lezhë/ I grabiti bizhutë, pranga hajdutit
Një person i akuzuar për vjedhje me dhunë është vënë në pranga nga policia e Lezhës mbrëmjen e djeshme. Blutë e këtij qyteti bëjnë me dije se kanë arrestuar shtetasin Fatjon Zefi. I arrestuari akuzohet se ka grabitur me dhunë një femër me iniciale M.GJ dhe i ka marrë kësaj të fundit bizhuteri dhe sende me vlerë. Zefi u vu në pranga në kuadër të operacionit të koduar “Çakalli.” Ai rezulton si person i dënuar edhe më parë për vjedhje.
Ksamil/ E zhdukur prej 7 ditësh, zbulohet kufoma e 73-vjeçares
Gjendet kufoma e një 73-vjeçare të zhdukur. Trupi i pajetë është identifikuar, Nure Daci nga Ksamili, e cila rezultonte e zhdukur që prej 7 ditësh. Sipas informacioneve, bëhet me dije se kufoma është gjetur në afërsi të Butrintit nga kalimtarët. Më pas, është njoftuar dhe policia. Ndërkohë, nuk dihen shkaqet e vdekjes së 73-vjeçares së zhdukur.




