Noka: Ja mesazhi i Ramës për Tahirin. Ministri: SMS imi, por për vartësit

Florenc Drizari

 

403 të larguar nga policia, Tahiri: Është mirë që të pushuarit të mos rikthehen asnjëherë

 

Noka-Tahiri-sms-570x310Komisioni Hetimor për Policinë e Shtetit u përfshi dje në debate të gjata si për shkarkimet dhe emërimet e forcave të rendit, ashtu edhe për mesazhet telefonike të shkëmbyera mes drejtuesve të lartë të mazhorancës. Fillimisht ishte ish-ministri i Brendshëm, Flamur Noka, njëkohësisht deputet i PD-së, i cili lexoi në Komision një mesazh telefonik që, sipas tij, ishte i dërguar nga Kryeministri Rama ndaj ministrit Saimir Tahiri, lidhur me gjendjen e kriminalitetit në muajin mars. Sipas Nokës, në mesazh pranohet gjendja e rënduar e kriminalitet, më e rëndë krahasuar me muajin mars të një viti më parë. Ndërkohë, pas publikimit të mesazhit të Nokës, reagoi edhe ministri i Brendshëm Tahiri, i cili pranoi mesazhin, duke theksuar se nuk ishte i Kryeministrit, por i tij dhe u ishte drejtuar vartësve të tij.

SMS

“Nga muaji Mars 2014 dyfish vrasje krahasuar me muajin Mars 2013, gjithashtu janë përkeqësuar gjithë treguesit e tjerë dhe kjo është e trishtë për mua dhe e rëndë për qytetarët dhe shpresoj që për ty të mos jetë vetëm tregues statistike. Kjo nuk është kërkund ajo që ke marrë përsipër para meje dhe ne kemi marrë përsipër përballë qytetarëve, pra si unë edhe ti.

Eshtë e përsëritur thirrja për hir të punës dhe dashamirësisë njerëzore karshi teje, por k y kufi nuk mund të shkelet me neglizhencë fatale, si ky lëshim skandaloz i punës dhe për këtë nuk jam shum larg së menduari se problem je ti dhe jo vartësit e tu, dhe nëse janë të paaftë ata, nuk kam kohë dhe dëshirë të merrem me ta, por mua më takon të merrem me ty”, – thuhet në një pjesë të mesazhit të publikuar nga deputeti i opozitës Flamur Noka e që, sipas tij, ky ishte mesazhi i Kryeministrit drejtuar ministrit të Brendshëm. Më pas Noka kërkoi nga ministri se sa të vërteta ishin ato që shkruheshin në SMS. Kjo çështje shkaktoi debate mes deputetëve, edhe pse ministri Tahiri pranoi se mesazhi ishte dërguar nga ai vartësve të tij. “Është hera e parë që bie dakord me kryeministrin. Tani kush gënjen, ju apo kryeministri me këtë mesazh që ju ka dërguar ju?”, – tha Noka.

Ndërsa ministri Tahiri, duke treguar telefonin e tij tha: “Ja ku e keni mesazhin, ua kam dërguar unë dy bashkëpunëtorëve të mi. Është e turpshme që bini në këto nivele. Kjo është arsyeja pse policia ishte katandisur në atë derexhe”. Pas debateve të shkurtra mes deputetëve të pozitës dhe opozitës, nënkryetari i Komisionit Hetimor, Taulant Balla, kërkoi pesë minuta pushim.

Në pushimin që zgjati për rreth 15 minuta, ministri i Brendshëm u tregoi gazetarëve një mesazh që ua kishte shpërndare 14 personave të tjerë, por pa i bërë të ditur emrat e tyre.

Pas fillimit të mbledhjes, deputetët rifilluan debatet lidhur me çështjen e mesazhit, ku opozita kërkoi shpjegime për situatën në të cilën flitet në mesazh (përkeqësim i situatës së rendit), ndërsa deputetët e mazhorancës theksuan se opozita po përgjon krerët e qeverisë, Kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm dhe se këtë rast do ta ndjekin hap pas hapi. Deputetët e Partisë Socialiste thanë gjithashtu se e djathta pas daljes së saj në opozitë, vazhdon të ketë njerëzit e saj në strukturat e shërbimeve të inteligjencës, duke aluduar se këto informacioni i janë dhënë nga kreu i SHISH-it, Visho Lika.

 

 

 

Flamur Noka: Ja SMS i plotë i Ramës ndaj Tahirit

 “Nga muaji Mars 2014 dyfish vrasje krahasur me muajin Mars 2013, gjithashtu jane perkeqesuar gjithe treguesit e tjere dhe kjo eshte e trisht per mua dhe e rende per qytetaret dhe shpresoj qe per ty te mos jete vtem tregues statistike.

Kjo nuk eshte kurkund ajo qe ke marre persiper para meje dhe ne kemi marre persiper perball qytetareve, pra si une dhe ti. Eshte e perseritur thirrja per hire te punes dhe dashamirsis njerezore karshi teje, por ky kufi nuk munde te shkelet me neglizhence fatale si ky leshim skandaloz I punes dhe per kete nuk shum large se menduari se problemi je ti dhe jo vartetsit e tu dhe nese jane te paafte ata nuk kam kohe dhe deshir te merrem me ta por mua me takon te merrem me ty.

Une besimin qe te kam dhene, detyra dhe pritshmeria e publikut se meritojne gjekundi kte pritshmer.

Flasim neser per me teper por keto ore qe kane mbetur beje me pak ore gjume dhe mendo kuke gabuar cnuk bere mire e cdo besh per te riparuar ne qofte se mundesh”

 

 

Saimir Tahiri: Ja si e gjetëm Policinë e Shtetit

 Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri gjatë raportimit të tij në Komisionin Hetimor për lëvizjet në Policinë e Shtetit, tha se gjatë një auditimi që u krye nga Ministria për të vlerësuan situatën, pritshmëritë dolën edhe më të negative nga ato që prisnin.

“Kemi gjetur një situatë aspak pozitive sa i përket korrupsionit, politizimit të strukturave të policisë, trembje, tulatje dhe mungesë totale të vullnetit dhe dëshirës për të përmbushur misionin. Policia e Shtetit ishte e gjunjëzuar në momentin kur unë kam marrë detyrën”, – tha Tahiri. Sipas ministrit, reforma në polici është bërë për të afruar shërbimin e policisë me qytetarët dhe për të luftuar krimin. Ministri tha se në polici kishte më shumë drejtues sesa policë të thjeshte, duke argumentuar edhe uljen në gradë të një numri të lartë drejtuesish të policisë.

“Pamë që në Policinë e Shtetit ishte zhvilluar një tërmet sa i takon burimeve njerëzore. Kemi gjetur një polici me moshë mesatare 40-45 vjeç, shumë larg kritereve të BE-së. Kjo ka ndodhur sepse Policia e Shtetit është trajtuar si hambar për të punësuar ata që nuk gjenin dot punë në administratën e shtetit. Tradhtia ose lidhja e disa prej drejtuesve të policisë me segmente të caktuara të krimit dhe në raste të caktuara komandimi i aktiviteteve kriminale kishte bërë që të humbte motivimi për t’u përballur me krimin. Për këto shkaqe kam kërkuar, duke u konsultuar me ish-drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, kam kërkuar lëvizje të menjëhershme të drejtuesve të policisë. Duke mbajtur parasysh që në të kaluarën lëvizjet në Policinë e Shtetit kanë qenë masive. Ne vlerësuam që policia duhet të zbriste në terren, afër qytetarëve, për të çuar shërbimin policor pranë qytetarit. Duke e kthyer piramidën e policisë nga një piramidë e shtrembër kokëposhtë siç e gjetëm, në një piramidë të rregullt që i përgjigjet komandës dhe domosdoshmërisë për të adresuar çështje të kriminalitetit afër qytetarëve. Ky është qëllimi i reformës që sapo ka nisur dhe kush nuk bën detyrën nuk është për Policinë e Shtetit”, – deklaroi Tahiri. Sipas tij, ato që u shkarkuan nga puna e kanë merituar atë dhe është mirë që mos të rikthehen asnjëherë në këto struktura.

 

Share it :