REPORTAZH / GJIROKASTËR, QYTETI QË PROTESTON KUNDËR LARGIMEVE NGA PUNA

Nga Telnis Skuqi

ADMINISTRATA E PUSHUAR-GJIROKASTER-11 PRILL 2014GJIROKASTËR – Pas 24 vitesh nga përfundimi i një regjimi 50-vjeçar komunist, përballë një krize të rëndë ekonomike, gjirokastritët kanë dalë në rrugë sot për të protestuar ndaj shkarkimeve të punonjësve të administratës publike, si dhe kanë kërkuar shtetin e së drejtës.

“Sa i lumtur që isha kur shkoja në punë dhe në pasdite puthja dy vajzat e mia”, – thotë Vladimir H., ish-specialist i INSIG-ut, 45 vjeç, i cili prej dy javësh është gjetur i papunë, për shkak të reformës së Rilindjes.

Me flokë, këpucë dhe rroba të zeza, Vladimiri është i papunë dhe tashmë nxjerr bukën e gojës, duke bërë ndonjë punë ku të gjejë.

Fillimisht, ai kishte punuar si ekonomist pranë Albtelecom-it dhe prej disa vitesh ishte një nëpunës i administratës publike.

“Për njerëzit kupa është mbushur. Ata kërkojnë bukë për të ushqyer fëmijët e tyre”, – thotë Vladimiri, duke treguar se gjatë regjimit komunistë familja e tij u persekutua nga regjimi i diktatorit të Enver Hoxhës.

Në Gjirokastër, një nga qytetet më të mëdha në jug të vendit, papunësia arrin në masën 30 për qind në 40 mijë banorë që ka ky vend.

Vladimiri thotë se fati është treguar i pamëshirshëm, pasi edhe bashkëshortja e tij është e papunë prej një muaji.

Kjo familje arrin të mbijetojë në kushte shumë të vështira dhe, sipas tij, ky mjerim është shkaktuar nga mazhoranca e re e socialistëve.

“Nuk kam asnjë dyshim se largimi im dhe i bashkëshortesh është tërësisht politik”, – thekson Vladimiri.

“Dhe ja pra përse erdha sot këtu për të protestuar”, – thotë ai.

Përballë këtij realiteti shumë të dhimbshëm, Vladimiri nënvizon se çdo ditë ai do të protestojë për të kërkuar, sipas tij, të drejtën e shtetit ligjor.

Elsida B., 29 vjeçe, është infermiere, por e papunë. Pasi mbaroi fakultetin ajo kreu një stazh prej një viti në mjekësi dhe më pas u punësua pranë spitalit të Gjirokastrës.

Prej funddhjetorit të vitit të kaluar, Elsida nuk gjen punë, pasi vendin e saj, siç thotë ajo, e “zaptuan” militantët e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI).

“Të duhet një specializim për të vazhduar më tej punë, më tha drejtuesi i shëndetësisë, dhe sakaq me erdhi letra e shkarkimit”, – tregon Elsida.

“Ime mëmë është papunë. Im at është shofer autobusi dhe fiton rreth 35000 në muaj”, – tregon ajo realitetin e saj të trishtë.

“Kemi nevojë për një shtet të drejtë, një shtet i aftë që të ofrojë mundësi të barabarta për të gjithë dhe të mos shtyjë të rinjtë që të largohen nga vendi”, – shprehet Elsida, ndërsa shton se prej një muaji ajo ka fituar të drejtën të rikthehet në punë, por vendimet e Gjykatës Administrative askush nuk i zbaton.

Edhe Agron M., 55 vjeç, është 1 nga 300 e larguarit nga puna gjatë katër muajve të fundit në rrethin e Gjirokastrës.

Ai i është bashkuar turmës së protestuesve që kërkojnë punë dhe shtetin e së drejtës.

“Kam punuar prej 15 vitesh specialist në Drejtorinë Rajonale të Punësimit për Qarkun e Gjirokastrës dhe tashmë jam i papunë”, – flet Agroni.

Sipas tij, kjo që po ndodh me administratën publike, do të ketë një kosto të shumëfishtë për buxhetin e shtetit.

“Buxheti i shtetit ka harxhuar miliona euro për të na specializuar, por befas i gjithë investimi është shumëzuar me zero për kapriçon e një rilindasi”, – thotë me keqardhje Agroni, që mban një çadër mbi kokë për t’i shpëtuar shiut të pranverës.

Nertila Qafzezi, kryetarja e Shoqatës së të Larguarve nga Administrata Publike (LAP), me seli në Tiranë, e pranishme në këtë tubim, thotë se prej më shumë se dy muajsh, Kryeministria dhe Parlamenti kanë heshtur përpara vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Shumë prej të larguarve nga puna kanë kërkuar të drejtën e tyre në Gjykatën Administrative dhe i kanë fituar ato, por askush nuk i zbaton ato. Ne kërkojmë të respektohet vendimi i gjyqësorit”, – shprehet Qafzezi, ndërsa shton se gjatë 6 muajve të fundit të paktën 8 mijë persona janë larguar padrejtësisht nga administrata publike.

“Protestat do të vijojnë pothuajse në të gjitha qytetet derisa vendimet e gjyqësorit të respektohen”, – përfundon Qafzezi.

Share it :