Anxhela Tato
Pista e policisë, trafiku i drogës, Leonard Prenga me precedent penal jashtë shtetit
Atentati, një shenjë paralajmërimi për Prengën, atentatori nuk kishte qëllim ta vriste
Atentat të telekomanduar ish-biznesmenit të një pike lotoje, Leonard Prenga. Një shpërthim i fuqishëm është dëgjuar rreth orës 01:30 të mbrëmjes së të enjtes në zonën e “21 Dhjetorit”. Banorë të tmerruar kanë njoftuar policinë dhe kanë raportuar se një makinë ka shpërthyer dhe po digjej. Menjëherë efektivë blu dhe makina e zjarrfikëses kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, duke shuar flakët dhe duke nisur nga mbledhja e provave. Nga të dhënat e para bëhet fjalë për një sasi të vogël lënde plasëse C4, e cila ka shkaktuar vetëm dëme materiale në pjesën e përparme të automjetit. Ndërkohë, nga ana e bluve nuk janë gjetur gjurmë gishtash që të çojnë në identifikimin e autorëve. Në pyetje janë marrë fqinjë, të cilët kanë dëgjuar vetëm zhurmën e shpërthimit, por nuk ka parë asnjë person në afërsi. Policia ka sekuestruar pamjet filmike të kamerave të sigurisë në afërsi të Institutit të Fizkulturës, ndonëse errësira e bën edhe më të vështirë zbardhjen e këtij krimit. Ndërsa mësohet se shënjestra e këtij atentati ka mohuar të ketë konflikte ose probleme, por ka shprehur dyshimet që kjo ngjarje mund të jetë e lidhur me biznesin e tij.
Hetimet
Leonard Prenga rezulton të jetë person i skeduar nga blutë. Nga të dhënat paraprake mësohet se Prenga është me precedentë penalë jashtë shtetit për akuzën e trafikut të drogës. Ndërsa ende nuk dihet nëse shtetasi shqiptar ka qenë i dënuar dhe sesi ka arritur që të rikthehet në Shqipëri. Nga ana e forcave të policisë bëhet me dije se është dërguar një kërkesë për dërgimin e dosjes penale të Prengës, e cila mund të ndihmojë në zbërthimin e rivaliteteve apo konflikteve që janë motivi i këtij krimi. Nga blutë nuk ka të dhëna nëse Prenga ka qenë i përfshirë në rrjete droge dhe prej sa vitesh e ka ushtuar këtë aktivitet të jashtëligjshëm. Dyshimet janë se Leonard Prenga mund të ketë ndonjë borxh të pashlyer, i cili është mbartur në vendin tonë, duke e shndërruar në shënjestrën e atentatit të radhës. Për policinë kjo ngjarje është një shenjë paralajmërimi, pasi bëhet fjalë për një sasi të vogël lënde plasëse. Vetë mekanizmi i ngjarjes ka çuar blutë në këtë konkluzion, të cilët i kanë përqendruar hetimet në pistën e trafikut të drogës dhe precedentëve të mëparshëm të Prengës. Lënda eksplozive ka qenë e montuar në parakolpin e automjetit dhe shpërthimi është aktivizuar në kohën kur Prenga ndodhej në banesë. Dyshohet se tritoli është vënë në momentin kur automjeti ka qëndruar i parkuar dhe më pas është aktivizuar. Atentatori nuk ka pasur si qëllim vrasjen e Leonard Prengës, por vetëm paralajmërimin. Atentate me eksploziv janë ndër krimet me vështirësinë më të madhe për tu zbardhur, pasi lënda plasëse shkatërron çdo gjurmë, duke e bërë të pamundur identifikimin e autorëve dhe zbërthimin e ngjarjes.
“Ëndrra e keqe”/ Bashkëpunimi me FBI-në për zbulimin e rrjetit të drogës, certifikatë për 7 efektivë
Prokurori i Përgjithshëm i Teksasit dhe Zyra e FBI-së në SHBA kanë vlerësuar me certifikata mirënjohjeje 7 punonjës të Policisë së Shtetit për kontributin e dhënë në kuadër të operacionit “Ëndrra e keqe”. Gjatë këtij operacioni u godit një organizatë kriminale që vepronte në fushën e trafikut të drogës, pastrimit të parave, mashtrimit dhe korrupsionit. Kështu certifikatat e mirënjohjes u dhanë për efektivët e policisë Ervin Hasrama, Orest Afezolli, Elvin Karaj, Ilirjan Avrami, Alban Dautaj, Artemida Koçiraj dhe Besim Bashaj. Në ceremoninë e zhvilluar në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë ishin të pranishëm zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Sokol Bizhga, si dhe përfaqësuesi i Zyrës së FBI-së Andrew della Rocha. Në fjalën e tij përfaqësuesi i Zyrës së FBI-së theksoi se ceremonia e sotme është organizuar për shkak të rëndësisë së jashtëzakonshme që kjo çështje ka pasur. “Përshtypjet që ju keni dhënë kanë qenë të jashtëzakonshme e prandaj e organizuam këtë ceremoni. Në emër të Prokurorit të Përgjithshëm të Teksasit ju përgëzoj për kontributin tuaj dhe angazhimin tuaj në përfundimin me sukses të operacionit “Ëndrra e keqe”. Ky operacion kishte të bënte me një organizatë kriminale të përfshirë në trafik droge, pastrim parash, korrupsion e mashtrim. Organizata përbëhej nga 19 persona, mes tyre dhe një shtetas shqiptar. Në këtë ditë që ne flasim afërsisht 1 milion e 100 mijë dollarë u janë sekuestruar anëtarëve të kësaj organizate kriminale”, – u shpreh Rocha. Ndërkohë nga ana e tij Zv/Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Sokol Bizhga, shprehu vlerësimet e tij dhe përgëzimin për çdonjërin prej punonjësve të policisë të vlerësuar me certifikatë mirënjohje. Ndërsa në emër të punonjësve të vlerësuar me certifikata mirënjohje, Orest Afezolli, falënderoi Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të Teksasit dhe Zyrën e FBI-së për vlerësimin e bërë atyre si punonjës të Policisë së Shtetit. “Ne kemi bërë detyrën tonë dhe fakti që procedurat e punës sonë dhe puna që ne bëjmë është pranuar në organet e drejtësisë në SHBA dhe nga Zyra e hetimit të FBI është tregues i vlerave të punës së punonjësve të policisë”, – u shpreh Afezolli.
Kamioni me kanabis/ Organizoi trafikun e drogës, pranga në Prokurori pronarit të automjetit
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka prangosur pronarin e kamionit, në të cilin para tre ditësh në Durrës u zbulua një ngarkesë prej dy tonësh lënde narkotike kanabis. Në korridoret e prokurorisë është arrestuar Durim Gjunkshi, i cili është thirrur për tu marrë në pyetje. Para oficerëve të policisë Gjunkshi ka deklaruar se i është bllokuar padrejtësisht kamioni i tij, duke mohuar lidhje me ngjarjen. “Jam njoftuar se më keni bllokuar kamionin e kompanisë sime. Dua që ta zhbllokoni dhe të ma ktheni. Ju më keni bllokuar punët dhe biznesin. Vazhdoni me shoferin procedurat se unë nuk e di se çfarë ka bërë. Nuk jam pjesë e kësaj”, – pjesë e rrëfimit të të arrestuarit. Por nga hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka rezultuar se Durim Gjuknshi është personi që organizonte trafikun e lëndëve narkotike. Në këto rrethana prokuroria e ka arrestuar dhe ka ngritur akuzën e organizmit të trafikut të drogës.
Tiranë/ Aksidentoi kalimtaren, e braktisi në rrugë
Aksident me pasojë plagosjen e një kalimtari në zonën e Institutit Bujqësor të Kamzës. Ngjarja ka ndodhur dje pranë Urës së Institutit. Një automjet i tipit “Mercedes-Benz” me targe AA 176, ngjyrë e errët, ka përplasur një qytetar, teksa kalonte rrugën. Sipas informacioneve që vinë nga policia, nuk dihen ende germat e fundit të targës. Ndërkohë, këmbësori i plagosur paraqitet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe është dërguar për mjekim në Spitalin Ushtarak. Drejtuesi i automjetit është larguar nga vendi i ngjarjes, duke mos i dhënë asnjë ndihmë të plagosurit. Ndërkohë, policia është vënë në kërkim të mjetit.





