Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë u përfshinë dje në debate të ashpra lidhur me programin e punës për tri javët e ardhshme, ndërkohë që përfaqësuesit e opozitës propozuan edhe disa amendamente. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike dorëzoi dje 13 amendamente për programin e punës së Kuvendit, ndërkohë që shumica parlamentare votoi me votat e saj kalendarin e punimeve. Pas debateve opozita braktisi votimin, edhe në kuadër të marrëdhënieve të kushtëzuara që ka vendosur me mazhorancën qeverisëse. Në 13 amendamentet e opozitës flitet për përfshirjen në programin e punimeve të amnistisë fiskale, mosrritjen e çmimit të energjisë, anulimi i vendimit për lirimin e kryeinspektores së ILDKP-së, rikthimi i tatimit në masën 10 për qind, diskutimi i reformës së pensioneve, raportimi i ministrit të Brendshëm etj.
Amendamentet e opozitës:
1- Diskutimi për përfshirjen në programin e punës së Komisionit për Çështjet Ligjore të detyrimit të Ministrit të Drejtësisë për raportim lidhur me hartimin e Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë dhe Strategjisë për garantimin e sigurisë juridike.
2- Diskutim për përfshirjen në programin e punës së Komisionit për Çështjet Ligjore të mënyrës për garantimin e mosndërprerjes së mandatit të titullarëve të institucioneve të pavarura kushtetuese ose të krijuara me ligj.
3- Anulimi i vendimit për lirimin dhe emërimin e Inspektorit të ILDKPKI-së.
4- Diskutim për përfshirjen në programin e punës së Komisionit për Ekonominë të raportimit të Ministrit të Financave për efektet negative të rritjes me 50% të tatim mbi fitimin për industrinë prodhuese, si dhe rikthimin e tatim fitimin në masën 10%.
5- Diskutim për përfshirjen në programin e punës së Komisionit të Veprimtarive Prodhuese të gjetjes së mekanizimit për ndalimin e rritjes së cmimit të energjisë elektrike dhe mosfaturimit afrofe.
6- Amnistia fiskale.
7- Heqja nga programi i punës së Kuvendit i projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 152/2013 “Nëpunësi civil”.
8- Përfshira në diskutim në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave të Raportit mbi detyrimet e prapambetura të dorëzuar nga DELOITTE, sipas detyrimit të vendosur nga ligji.
9- Diskutimi për përfshirjen në programin e punës së Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese dhe Komisionin e Ekonomisë të raportimit të Ministrit të Transporteve mbi mundësinë e ndryshimit në ligjin për transportin rrugor lidhur me zgjidhjen e problematikës së taksive 8+1.
10- Diskutim për përfshirjen në programin e punës së Komisionit të Sigurisë të raportimit të Ministrit të Brendshëm mbi nevojën për vendosjen e Moratoriumit për ndalimin e skafeve për një periudhë 1-vjeçare.
11- Përfshirja në programin e punës së Komisionit të Ekonomisë të raportimit të Ministrisë së Financave lidhur me procesin e dëmshpërblimeve të ish të përndjekurve politik.
12- Përfshirja në programin e punës së Komisionit për Çështjet Sociale të raportimit të Ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, lidhur me nismën e shpallur nga qeveria për reformimin e sistemit të pensioneve.
13- Përfshirja në programin e punës së Kuvendit të raportimit të Kryeministrit mbi ecurinë e procesit të integrimit evropian.




