Reforma administrative-territoriale/ Ruçi: Opozita ka afat deri të enjten, ndryshe rishikojmë vendimin e Kuvendit

Florenc Drizari

 

Meta: Propozimi i Ruçit, mjaft konstruktiv

 

gramoz ruciMazhoranca i vë afat opozitës deri ditën e enjte që të bëhet pjesë e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën administrative-territoriale, përndryshe Kuvendi i Shqipërisë do të rishikojë vendimin e marrë pak muaj më parë për ngritjen e këtij komisioni dhe miratimin e kësaj reforme me anëtarët e shumicës parlamentare. Propozimi u bë dje nga kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, gjatë debateve për miratimin e deklaratës së përbashkët pozitë-opozitë të Komitetit të Stabilizim-Asocimit në Bruksel. Duke iu drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Ilir Metës, Ruçi bëri një thirrje për opozitën, duke përcaktuar të enjten e ardhshme si afatin e fundit kohor që opozita të bëhet pjesë e komisionit për reformën territoriale, përndryshe, tha ai, mazhoranca do të duhet të rishohë vendimin e Kuvendit për ngritjen e atij komisioni dhe miratimin e kësaj reforme brenda këtij sesioni parlamentar.

 

Gramoz Ruçi

 “Le të jetë kjo seancë për të bërë një apel. Zotërinj të PD-së, zotërinj të PR, zotërinj të PDIU-së, të cilësdo parti që e konsideron veten në opozitë, deri ditën e enjte, zoti Kryetar (Ilir Meta), të lëmë një afat, të zënë vendet e tyre në këtë komision që veprimtaria e tij të jetësohet dhe që në mbyllje të këtij sesioni të miratohet reforma e ndarjes administrative, në të kundërt zoti Kryetar, ju kërkoj në emër të mazhorancës që Parlamenti të rishikojë vendimin me qëllim që këtë angazhim që ka marrë të gjejë zbatueshmëri deri në fund të korrikut”, – deklaroi Ruçi në seancën e djeshme të Kuvendit të Shqipërisë.

Pas kësaj deklarate, kreu i Kuvendit, Ilir Meta, e quajti “mjaft konstruktiv” këtë qëndrim dhe e falënderoi atë që e shfrytëzoi kohën e tij për të bërë propozime e jo për replika dhe kundërreplika me deputetët e opozitës. Ndërkaq, për sa i përket qëndrimit të opozitës, në seancën e djeshme nuk pati një reagim për afatet e vendosura nga Ruçi dhe, sipas zërave në PD, pritet që për këtë çështje të mbajë një qëndrim vetë kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Më herët, mes kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe Kryeministrit Edi Rama pati edhe shkëmbime letrash për uljen në një tryezë diskutimesh. Nisma e Kryeministrit Rama duket se ngeli vetëm në letër, pasi përveç qëndrimeve për t’u ulur në një tryezë rreth kësaj reforme, nuk pati asnjë takim zyrtar apo informal mes përfaqësuesve të PD-së dhe PS-së. Nga ana e saj opozita kërkoi garanci për miratimin e kësaj reforme me konsensus deri në votimin final në Kuvend, kërkesë kjo që nuk u mundësua nga mazhoranca. Në një intervistë të disa ditë më parë, Kryeministri ka thënë se shumica parlamentare garanton konsensus në komision, por jo në votimin përfundimtar në Kuvend. Ai ngriti dyshime të forta se opozita nëpërmjet kërkesës së saj, pretendon të mbajë peng punimet e Kuvendit. Ndërkaq, mosgarantimi i konsensusit deri në votimin final të kësaj reforme ishte një publike nga opozita se mazhoranca nuk mund të mbajë premtimet e saj dhe se po e përdor këtë reformë për t’u justifikuar para ndërkombëtarëve.

 

 

 Rama propozon ndryshimin e rregullores së Kuvendit: 60-minutëshi, në fillim

Kryeministri Edi Rama propozoi në seancën e djeshme plenare ndryshimin e rregullores së Kuvendit të Shqipërisë. Sipas Kryeministrit, duhet të rishihet mundësia që debatet e gjatë para shqyrtimit të projektligjeve në Kuvend për çështje jashtë rendit të ditës, të kufizohen dhe për këtë, ai propozon vendosjen e diskutimeve të lira prej 60 minutash në fillim të seancës.

“Zoti Kryetar, ka kaluar ora 1 e pasdrekës dhe jemi akoma në kushtet kur s’ka filluar seanca e Parlamentit. Dhe pse më duhet ta them, sot, është hera e parë që opozita bëri një përpjekje për të mos folur përçartë. Përpjekje për t’u inkurajuar. Ndërkohë që, besoj, duhet të gjejmë një rrugë që të mos vazhdojmë të rrimë mbi rregulloren dhe mbi sensin normal të bashkëjetesës këtu, në këtë sallë, duke qenë të detyruar të ndjekim opozitën që kap foltoren jashtë çdo lloj norme të rregullores.

Mbase do të ishte më e udhës të konsideronim kthimin e normës së 60 minutave në fillim të seancës. Kështu që as opozita të mos ndjehet në vështirësinë për të gjetur rrugë që të kapë foltoren, as Parlamenti të mos bëhet qesharak për shkak të opozitës dhe as ne të mos humbasim kohë të paparashikuar për, thjesht dhe vetëm, të pritur që opozita të kthehet në realitet përmes këtij procesi të përçartjeve, të çdo të enjteje, këtu në Parlament”, – deklaroi Kryeministri Rama. Më pas Rama u ndal në marrëveshjen e lidhur me FMN-së, duke thënë se nëse mosrealizimi i kushteve të vendosura, do të ketë një kosto për ekonominë e vendit. Gjithashtu, Rama kritikoi opozitën për qëndrimet e saj ndaj marrëveshjes me fondin.

 

 

 

Share it :