SUPLEMENT/ NE & LIGJI

ne dhe ligjiE drejta për t’u informuar

E drejta e informimit është një garanci kushtetuese e sanksionuar në nenin 23 të saj. Informimi është një domosdoshmëri e ditëve të sotme, ku absolutisht çdo ndryshim ndodh me ritme të shpejta dhe qenia i përditësuar me zhvillimet e reja është e vështirë ose thuajse e pamundur. Informimi i qytetarëve për këto zhvillime bëhet nga organet e masmedias që e kryejnë më së miri këtë funksion brenda etikës së tyre profesionale.

E drejta për informim, e parashikuar në nenin 23 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, përfshihet në katalogun e lirive themelore dhe vetjake.

Kjo e drejtë sanksionohet me qëllim mbrojtjen e interesit të përgjithshëm për informim të publikut për veprimtarinë e organeve shtetërore dhe të personave që ushtrojnë këto funksione shtetërore.

Kushtetuta në këtë kuptim i ka “zhveshur” organet dhe personat që ushtrojnë këto funksione përballë qytetarëve.

E drejta për informim i jep të drejtën çdo personi ta marrë vetë këtë informacion duke iu garantuar atyre edhe mundësinë për të marrë pjesë në mbledhjet e organeve të zgjedhura kolektive. Në këtë mënyrë mund të themi që organet shtetërore dhe personat që ushtrojnë funksione shtetërore janë të detyruar të japin informacion për çdo veprim që përfshihet në funksionet e tyre. Përjashtimisht kjo e drejtë kufizohet për ato informacione që klasifikohen si sekret shtetëror për të cilat ekziston detyrimi i organeve dhe funksionarëve shtetëror për ruajtjen dhe mosnxjerrjen e tij.

E drejta për informim iu garantohet personave jo vetëm për veprimtarinë e organeve shtetërore dhe funksionarëve shtetëror por edhe në rastet kur vetë individi është pjesëmarrës në një proces administrativ. E drejta për informim e personit të përfshirë në një proces administrativ garantohet nga neni 21 i Kodit Procedurës Administrative. Çdo person që është pjesëmarrës në një proces administrativ ka të drejtë të marrë informacion dhe të njihet me dokumentet e përdorura në këtë proces, përveç rasteve kur ligji vendos kufizime. Kjo e drejtë ushtrohet personalisht ose nëpërmjet një përfaqësuesi të autorizuar. Natyrisht që këtu lind detyrimi i organeve administrative për t’iu përgjigjur kërkesave të individëve për informacion.

Në kuadër të kësaj të drejte duhet theksuar garantimi efektiv i saj duke pasur parasysh kufizimet ligjore për informacione të klasifikuara si sekret shtetëror fshehtësia e të cilave duhet ruajtur.

 

 

Prind i përgjegjshëm në ligj

Për shkak të moshës së tyre që i kufizon në të kuptuarin e rëndësisë së veprimeve juridike, si dhe për një mbrojtje efektive te tyre, të miturit nuk mund të dalin personalisht përballë ligjit, por kjo nuk është kategorike. Të miturve në një moshë të caktuar u lejohet të kryejnë disa prej veprimeve juridike vetë, por për të përfaqësuar interesat e tyre shërben instituti i përgjegjësisë prindërore.

Përgjegjësia prindërore përfshin autoritetin prindëror apo çdo marrëdhënieje tjetër të ngjashme, që përcakton të drejtat, kompetencat dhe përgjegjësitë e prindërve, kujdestarëve apo përfaqësuesve të tjerë ligjorë. Kodi i Familjes i jep përgjegjësisë prindërore përcaktim të saktë, i cili nuk lë vend për interpretime, duke përfshirë kështu të drejtat e detyrimet që kanë për qëllim të sigurojnë mirëqenien emocionale, sociale dhe materiale të fëmijës, duke u kujdesur për të, duke mbajtur raporte vetjake, duke i siguruar mirëqenien, edukimin, arsimimin, përfaqësimin ligjor dhe administrimin e pasurive të tij.

I rëndësishëm është përcaktimi se kur këto të drejta e detyrime fillojnë të ekzistojnë për prindërit e fëmijët. Si rregull, fëmija ndodhet nën përgjegjësinë prindërore deri në momentin e arritjes së moshës madhore. Momenti kur fëmija është titullar të drejtash e detyrimesh, lidhet me fitimin e zotësisë juridike, të fituar automatikisht me lindjen gjallë të tij. Për një fëmijë të palindur ende mund të flasim vetëm për një zotësi juridike paraprake, që i sjell vetëm të drejta fëmijës. Ky saktësim është i rëndësishëm për përcaktimin e të drejtave pasurore që mund të lindin nga një trashëgimi, nga një kontratë dhurimi etj. Përfundimi i përgjegjësisë prindërore lidhet me arritjen e moshës madhore të fëmijës, me fitimin e zotësisë për të vepruar. Pra, si rregull, përgjegjësia prindërore përfundon me arritjen e moshës 18 vjeç të fëmijës, por nga ky rregull kemi edhe përjashtime. Përgjegjësia prindërore mund të përfundojë edhe para arritjes së moshës 18 vjeç, kur i mituri fiton zotësi për të vepruar me lidhjen e martesës. Përgjegjësia prindërore mund të zgjasë deri në moshën 25-vjeçare, edhe pse fëmija ka zotësi të plotë për të vepruar, por qëllimi është të sigurohet mirëqenia e tij, në rast se vazhdon studimet dhe mendohet që ngushtohet vetëm në detyrimin për ushqim të prindit.

Në tërësi përgjegjësia prindërore është një institut që përfshin marrëdhëniet prind-fëmijë me karakter personal, por mjaft të rëndësishme janë edhe marrëdhëniet me karakter pasuror. Në këtë mënyrë të drejtat e detyrimet në të drejta e detyrime me karakter pasuror dhe jopasuror. Të drejtat dhe detyrimet me karakter pasuror përfshijnë përfaqësimin dhe administrimin e pasurisë së fëmijës, si dhe përdorimin e saj. Fëmijës mund ti përkasin të drejta me karakter pasuror si dhe sende të ndryshme, të cilat mund ti ketë fituar me kontratë dhurimi, trashëgimi, nëpërmjet punës etj. Për të cilat duhet të kujdeset prindi dhe ta përfaqësojë ligjërisht fëmijën e tij i cili nuk ka mbushur ende 14 vjeç. Nëse e ka arritur këtë moshë, atëherë atij do t’i duhet të marrë pëlqimin paraprak të prindërve për veprimet që do të kryejë. Megjithatë, fëmija nuk mund t’i kryejë të gjitha veprimet juridike dhe në këto kushte ligji parashikon një kategori të caktuar veprimesh juridike që mund të kryhen vetëm me arritjen e moshës madhore si lidhja e kontratës martesore, testamentit, njohjen e atësisë, vërtetimin e atësisë etj. Por edhe prindërit nga ana tjetër nuk mund të kryejnë çdo veprim mbi pasurinë e fëmijëve të tyre. Veprime të tilla si vënia në hipotekë, marrja hua në emër të të miturit, heqja dorë nga trashëgimia etj mund të kryhen vetëm në interesin më të lartë të të miturit dhe me kushtin që gjykata ku ka vendbanimin i mituri, të ketë dhënë autorizimin paraprak, por edhe të mëvonshëm në varësi të situatës konkrete.

Krahas përkujdesjes për interesin e fëmijës, prindit i jepet e drejta e përdorimit të pasurisë së fëmijës. Prindërit mund t’i përdorin të ardhurat nga pasuria e fëmijës për mirërritjen, edukimin, arsimimin e tij. Këto të ardhura mund të përdoren për të plotësuar nevojat e domosdoshme të familjes, kur nuk ka të ardhura të mjaftueshme, duke kthyer të ardhurat e mbetura në pasurinë e fëmijës. Këto të drejta nuk shtrihen mbi pasurinë e fituar nga puna e fëmijës ose mbi pasuri të fituara nga trashëgimia, kontrata e dhurimit, kur prindi ndalohet shprehimisht ti përdorë.

Për sa u përket të drejtave jopasurore, në Kod parashikohet shprehimisht detyrimi që fëmijët dhe prindërit duhet të ndihmojnë, të duan e të respektojnë njëri-tjetrin në mënyrë të ndërsjellë. Kjo i ngarkon të dyja palët me të drejta e detyrime, por në bazë të tyre qëndron interesi më i lartë i të miturit. Legjislacioni ynë nuk ka një përcaktim për këtë term, por duke pasur parasysh frymën që e përshkon atë, interesi më i lartë i fëmijës nuk është vetëm një faktor që i lihet në vlerësim prindit, por shihet në një kontekst më të gjerë, si i mbrojtur nga rendi publik, gjë që i bën të pavlefshme të gjitha veprimet juridike në kundërshtim me të.

 

Por si ushtrohet përgjegjësia prindërore?

 Përgjegjësia prindërore ushtrohet nga të dy prindërit bashkërisht, me marrëveshje midis tyre, edhe pse ata mund të jetojnë në banesa të ndryshme apo mund të kenë zgjidhur martesën. Në rastet e fëmijëve të lindur jashtë martese, përgjegjësia prindërore ushtrohet nga prindi që e ka njohur fëmijën ose nga të dy prindërit, në rast se e kanë njohur të dy. Gjykata është ajo që vendos për ndryshimin e ushtrimit të përgjegjësisë prindërore me kërkesë të prindërve, prokurorit, në rastet kur ky institut nuk funksionon në interesin më të lartë të fëmijës. Kur prindi shpërdoron përgjegjësinë prindërore, tregon pakujdesi të rëndë në ushtrimin e saj ose me veprimet e tij ndikon në mënyrë të dëmshme në edukimin e fëmijës, me kërkesë të prindit tjetër ose të të afërmve, mund të kërkohet heqja e përgjegjësisë prindërore me vendim gjykate. Kjo mund të shtrihet ndaj një ose disa fëmijëve të lindur para vendimit te gjykatës. Heqja e përgjegjësisë prindërore shkarkon fëmijën nga detyrimet për ushqim ndaj prindit. Kthimi i përgjegjësisë prindërore mund të bëhet përsëri me vendim gjykate, kur pushon shkaku për të cilën është hequr kjo përgjegjësi.

 

 

Avokati dhe roli i tij

Në funksion të një mbrojtjeje më efektive dhe me të garantuar është pa dyshim roli i avokatit. Mbrojtësi i shërben në tërësi procesit penal, duke ofruar jo vetëm një ndihmë juridike të specializuar apo profesionale, por edhe për të siguruar efektivisht barazinë juridike të palëve në proces. Çdo person që është pjesë e një procesi penal (i ndaluar, i arrestuar apo i dënuar me burgim) ka të drejtën e një avokati, por jo më shumë se dy pavarësisht nga zgjedhja e tij për të pasur apo jo avokat. Përjashtim këtu bën i mituri dhe personi me të meta fizike apo psikike që e pengojnë për të realizuar mbrojtjen, mbrojtja me avokat e të cilëve është e detyrueshme edhe në rastet e rishikimit apo rekursit në Gjykatën e Lartë.

Zgjedhja e mbrojtësit për personin e ndaluar, të arrestuar apo të dënuar me burgim mund të bëhet nga ai vetë, nga një i afërm i tij ose të caktohet kryesisht nga gjykata ose prokurori. Kur avokati caktohet kryesisht një rol të rëndësishëm luan Dhoma Kombëtare e Avokatisë që vë në dispozicion të gjykatës dhe prokurorisë si autoritete proceduese listat e avokatëve dhe kriteret për caktimin e tyre. Kur nuk ka mjete të mjaftueshme financiare për të përballuar mbrojtjen me avokat dhe personi e kërkon këtë mbrojtje, detyrimet financiare për avokatin paguhen nga shteti.

Personi nën mbrojtje ka të drejtën e kontaktit të vazhdueshëm sa herë qe e konsideron të nevojshme, kontakt ky i kryer në privatësi të plotë e që në asnjë rast nuk lejohet përgjimi i tyre. Dhe në qoftë se kontakti i tyre bëhet me mjete të korrespondencës nuk lejohet kontrolli në asnjë lloj forme. I pandehuri ka të drejtën e revokimit të çdo veprimi të kryer nga mbrojtësi i tij para se gjykata të jetë shprehur për të. Autoritetet proceduese kanë detyrimin që të njoftojnë mbrojtësin në çdo rast kur prania e personit nën mbrojtje ose e mbrojtësit është e detyrueshme duke qenë se vetë mbrojtësi gëzon të drejtat që i gëzon dhe i pandehuri me përjashtim të atyre që i takojnë posaçërisht personit si për shembull e drejta e ankimit që lihet nën gjykimin e lirë të personit nën mbrojtje.

Ne çdo rast mbrojtësi është i detyruar të ruajë sekretin profesional dhe të mos nxjerrë në asnjë rast asnjë të dhënë që i janë bërë të njohura në sajë të detyrës.

 

 

 

Kontrata e dhurimit

Dhurimi është ndoshta një nga dukuritë më të ndeshura në marrëdhëniet midis njerëzve. Më të shpeshtat janë dhurimet me vlerë të madhe shpirtërore, pavarësisht vlerës së vogël së objektit të tyre, por ato që sjellin domosdoshmërinë e përpilimit të kontratës së dhurimit, janë ato që kanë vlera të larta monetare.

Kontrata e dhurimit ka për objekt sende të luajtshme, të paluajtshme ose të drejta të tashme të cilat i kalojnë përfituesit pa shpërblim. Kjo kontratë sjell si pasojë kalimin e të drejtës së pronësisë mbi sendin apo të drejtën tek përfituesi në momentin që deklaron se e pranon dhurimin. Pranimi nga ana e përfituesit mund të bëhet qoftë në kontratën e dhurimit në mënyrë të shprehur, qoftë në një akt tjetër të mëvonshëm. Kontrata e dhurimit për sende të paluajtshme duhet bërë me akt noterial dhe të regjistrohet, ndryshe është e pavlefshme. Kur objekt i saj është send i luajtshëm kjo kontratë është e vlefshme kur këto sende specifikohen duke treguar dhe vlerën e tyre dhe kontrata sjell pasoja juridike në momentin e dorëzimit të sendit. Dorëzimi bëhet në momentin e caktuar në kontratë nga dhuruesi sepse mund të lindë përgjegjësia për te nëse vonesa në dorëzim është shkaktuar nga dashja apo pakujdesia e rëndë e tij. Dhuruesi nuk mban përgjegjësi nëse sendi është me të meta me përjashtim të rasteve kur ai e ka marrë vete këtë përsipër ose kur ka vepruar me keqbesim, duke mashtruar përfituesin për karakteristikat e cilësitë e objektit.

Kalimi i të drejtës së pronësisë nëpërmjet kontratës së dhurimit sjell detyrim tatimor për të paguar me përjashtim të rasteve kur bëhet në favor të shtetit ose OJF-ve që nuk kanë qëllime fitimi. të cilat janë përfituese të kësaj lehtësire tatimore.

 

Revokimi i kontratës së dhurimit

Ka dy momente kur mund të bëhet revokimi i kontratës së dhurimit. 1. Revokimi i deklaratës – bëhet në fazën parakontraktore nga të dyja palët (dhuruesi dhe përfituesi) 2. Revokimi dhurimit – pas lidhjes së kontratës, vetëm nga dhuruesi për rastet e parashikuara në nenin771 të Kodit Civil dhe brenda një afati të caktuar. Dhuruesi ka të drejtë të revokojë dhurimin e bërë në rastin kur: 1. Ai që ka marrë dhurimin me dashje ka vrarë ose ka tentuar të vrasë dhuruesin, bashkëshortin, prindërit apo fëmijët e tij. 2. Pa të drejtë nuk i jep dhuruesit ushqim kur është i detyruar sipas Kodit të Familjes. Padia për revokimin e dhurimit duhet të ngrihet brenda një viti nga data e marrjes së njoftimit për shkaqet që i japin të drejtë dhuruesit që të kërkojë revokimin e dhurimit. Padia e filluar nga dhuruesi mund të vazhdohet nga trashëgimtaret ose të ngrihet nga vetë ato në qoftë se dhuruesi ka vdekur brenda vitit nga dita që ka lindur shkaku. Heqja dorë paraprakisht nga e drejta për të revokuar dhurimin e bërë është e pavlefshme.

 

 

 

Share it :