Gazeta “To Vima”/ Publikohen fotot tronditëse të Ilia Karelit në burgun Nigrita

Anxhela Tato

 

 

Torturat në qelinë e pritjes, pas 2 orësh Kareli i zhveshur dhe me plagë shoqërohet nga gardianët në qeli

 Pamjet filmike çuan SHKB-në greke në zbulimin e gardianëve që dhunuan mizorisht Ilia Karelin

 

 

ilia kareli duke u cuar ne qeline e tijGazeta greke “To Vima” ka publikuar pasditen e së mërkurës fotografi tronditëse nga çastet e fundit të Ilia Karelit në burgun e Nigritas. Në fotografi duket qartë se Kareli, në momentet e para të mbërritjes në burg, ka një gjendje relativisht të mirë shëndetësore, me vetëm një hematomë në syrin e majtë. Sipas gazetës, gardianët e kanë pritur të egërsuar Ilia Karelin dhe në orën 15:45 të datës 27 mars e kanë shtyrë drejt dhomës së pritjes, ku e kanë torturuar për më shumë se dy orë e gjysmë. Në fotografinë e parë, dallohet edhe drejtori i burgut të Nigritas, bën me dije gazeta greke. Mirëpo, në fotografitë e tjera, pasi e kanë torturuar dhe po e çojnë në qelinë ku dha shpirt, është një pamje krejt e kundërt, tronditëse. Kareli mezi qëndron në këmbë nga goditjet që ka marrë dhe është i thyer më dysh. Sipas gazetës, kanë qenë këto fotografi që e kanë bindur kontrollin e brendshëm të policisë t’i kërkojë ndërmjet gardianëve të burgut të Nigritas shkaktarët e vdekjes së Karelit. Gjashtë prej tyre po mbahen që prej ditës së djeshme në qelitë e Drejtorisë Policore të Serresit, në pritje të dërgimit në burgje të ndryshime të Greqisë, ku do të qëndrojnë në paraburgim, deri në gjykimin e tyre. Dy gardianë të tjerë do të ndiqen në gjendje të lirë. Dje u paraqitën në hetuesi edhe shtatë gardianë të tjerë të burgut të Nigritas, të akuzuar për vdekjen e Karelit. Ata morën në dorëzim dosjet e akuzës dhe njeri prej tyre do të deponojë të premten, katër të tjerë të hënë dhe njeri të martën e ardhshme. Sipas njërit prej avokatëve, ata do t’i mohojnë akuzat për ushtrim torture që shkaktoi vdekjen e personit. Ndërkohë, dje ka përfunduar edhe ekzaminimi i zemrës dhe indeve nga trupi i Ilia Karelit që ishin mbajtur nga mjekët ligjorë për ekspertiza histologjike dhe që u kryen në laboratorin qendror të mjekësisë ligjore pranë Universitetit të Athinës. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë greke njoftoi të mërkurën Ambasadën Shqiptare në Athinë se zemra dhe indet tashmë janë në dispozicion për t’u marrë nga të afërmit e të ndjerit dhe Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka bërë tashmë njoftimet përkatëse.

 

Kronologjia e ngjarjes

Ora 15:47:38 – Ilia Kareli i sapombërritur në burgun e Nigritas, i rrethuar nga katër gardianët dhe nga drejtori i burgut

Ora 15:47:52 – Gardianët e burgut të Nigritas, duke folur me Ilia Karelin, i cili ka shenja të një hematome nga goditja në syrin e majtë

Ora 15:47:53 – Gardianët e burgut dhe drejtori shtyjnë Ilia Karelin për në qelinë e pritjes

Ora 18:32:21 – Pas dy orë e dyzet e pesë minutash, Ilia Kareli i rrahur shoqërohet nga gardianët për në qelinë e tij

Ora 18:32:23 – Ilia Kareli, i goditur dhe i zhveshur transferohet për në qelinë e tij

Ora 18:32:37 – Ilia Kareli flaket nga gardianët në shtrat

Ora 18:32:52 – Pamja e fundit gjallë e Ilia Karelit

 

 

Reagim/ Arjan Hoxha, padi ndaj Didit për shpërdorim detyre dhe Ballës për shpifje

Arjan Hoxha, ish-kreu i Antikrimit, i gatshëm të padisë Taulant Ballën dhe Artan Didin. Një ditë pas pyetjes në Komisionin Hetimor, Arjan Hoxha shprehet se do të ngrejë padi ndaj Ballës për shkaktim dëmi material. Sipas tij, akuza e Ballës për diplomë false është një sajesë, e cila hedh baltë mbi imazhin dhe punën e tij profesionale në uniformat blu. Hoxha rrëfen se do të ketë edhe një padi të dytë ndaj Artan Didit, kreut të Policisë së Shtetit, i cili ka shpërdoruar detyrën. Hoxha shprehet se dokumentet e tij në vend që të mbërrin nga prokuroria në Komisionin Hetimor dhe janë dorëzuar nga Didi. Pra në këtë rast sipas tij kemi shkelje të procedurës dhe është i sigurt që këto dokumente janë sjellë nga Didi, pasi mbajnë firmën e kreut të togave blu. Përsa i përket akuzave të Ballës, ish-kreu i antikrimit ekonomik rrëfen se ka përfunduar studimet në Akademinë e Policisë dhe kjo mund të vërtetohet duke u marrë në pyetje Luan Veliqoti, i cili ka qenë kreu i Akademisë. Akuzat për Arjan Hoxhën u bënë të martën nga Taulant Balla në Komisionin Hetimor Parlamentar të ngritur për lëvizjet në strukturat policore. Ish- kreu i Antikrimit Ekonomik në Tiranë, Arjan Hoxha deklaroi se shkarkimi i tij lidhet me operacionin ku u ndalua babai i ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. “Kam qenë shefi i Antikrimit Financiar. Në një nga aksionet u ndalua Bashkim Tahiri. Saimir Tahiri më tha lutu që të mos marr pushtetin. Efektivët që morën pjesë në atë aksion, u liruan. Disa efektivë të tjerë u lëvizën nga detyra. Disa nga kolegët i janë drejtuar Gjykatës.”- deklaroi Hoxha.

 

 

Dukagjin/ Plagoset me armë zjarri Nik Deda, dyshime për konflikt të çastit

Plagoset më armë zjarri një shtetas në Kir të Dukagjinit. Shtetasi i plagosur është identifikuar, Nik Deda. Mësohet se ngjarja ka ndodhur tek Ura e Kasnecit në fshatin Kir të Dukagjinit. Sipas informacioneve, Nik Deda është plagosur në shpatull dhe është jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, nuk bëhet ende e ditur se kush ka qenë autori i plagosjes. Nga ana e bluve kanë nisur hetimet dhe janë marrë në pyetje personat e pranishëm në vendin e ngjarjes. Dëshmitarët okularë kanë rrëfyer se kanë parë dy persona duke u konfliktuar me njëri-tjetrin. Sherri ka degraduar në përdorimin e dhunës dhe në nxjerrjen e armës nga autori, i cili ka qëlluar në drejtim të Nik Dedës. I plagosuri ka rënë në tokë dhe autori është larguar me shpejtësi. Nga ana e bluve kanë nisur postblloqet në afërsi të vendit të krimit, pasi dyshimet janë që autori nuk ka arritur dot të largohet. Dyshimet e policisë janë për një konflikt të çastit ose çështje borxhi. Ndërkohë që është jashtë rrezikut për jetën i plagosuri.

 

Share it :