Florenc Drizari
Opozita: Rezulton se të gjithë shefat e komisariateve në vend janë dy grade me poshtë nga sa parashikon ligji
Komisioni hetimor “Për kontrollin e zbatimit të legjislacionit në fuqi gjatë procesit të lëvizjeve të burimeve njerëzore në Policinë e Shtetit” zhvilloi dje seancën e dytë dëgjimore me funksionarët e policisë, por edhe me ata që janë shkarkuar me ndërrimin e pushtetit. Në Komisionin Hetimor dhanë dëshmitë e tyre zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Sokol Bizhga, ish-zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit për rendin dhe sigurinë publike, Muhamet Rrumbullaku. Gjatë seancës dëgjimore, Sokol Bizhga deklaroi se ka pasur gradën për të përfituar postin.
“Kisha gradën “kryekomisar” para se të merrja detyrën, në vitin 1999-2006 isha drejtor i parë me gradë ekuivalente. Në mënyrë të paligjshme më kanë hequr 2 grada në 2006. Kam karrierë 20-vjeçare në polici, jam plagosur në detyrë. Nëse ka shkelje në emërimin tim, largohem nga detyra, jo nga policia”, – përfundon fjalën e tij z. Bizhga.
Anëtarët e djathtë në komisionin hetimor vlerësua se “rezulton se të gjithë shefat e komisariateve në vend, janë dy grada më poshtë nga sa parashikon ligji, për rastet kur një oficer policie emërohet shef komisariati. Sipas ligjit ata duhet të kenë gradën “kryekomisar” dhe rezulton se janë nënkomisar. Sipas tyre edhe vetë nëndrejtori i Policisë, Bizhga, sipas ligjit duhej të ketë gradën drejtues i parë për të ushtruar këtë detyrë, në fakt është dy grada më poshtë, dhe ka gradën e kryekomisarit. “Madje është me masë disiplinore, dhe masa disiplinore ndaj tij ka qenë që për një vit të mos rritej në gradë”. Më pas në komision mori fjalën ish-zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, i cili theksoi se nuk ka shkelur asnjë pikë të ligjit ku parashikohet lirimi i tij nga ky post. “M’u ndërpre mandati im. Lirimi im nga detyra duhet të bëhet vetëm në zbatim të ligjit, bazuar pikërisht në nenin numër 24 të ligjit për Policinë e Shtetit. Unë kam 26 vjet karrierë në polici në pozicione të ndryshme”. Largimi im është bërë me urdhër nga Ministria e Brendshme, e komunikuar gojarisht nga ish-drejtori i Policisë, z. Hysni Burgaj dhe e pranuar vullnetarisht nga unë”. Në lidhje me emërimet në polici, Rrumbullaku tha se për ndryshimet në polici janë ngritur grupe pune.
“Unë nuk kam qenë pjesë e grupit të ristrukturimit, nuk më është kërkuar firma për asnjë lloj urdhri. Në departamentin e Sigurisë Publike nuk pati ndryshime. Nuk më ka kërkuar njeri mendim për ndryshimet”, – theksoi Rrumbullaku. Gjithashtu, në Komision dëshmuan dhe shefat e komisariateve të kryeqytetit. Pas një ndërprerjeje, mbledhja e Komisionit Hetimor rinisi sërish në orën 17:00 për të vijuar me punonjës të tjerë që janë në detyrë dhe të atyre që nuk janë më pjesë e Policisë së Shtetit.
Burgaj e Didi raportojnë para deputetëve
Komisioni Hetimor Parlamentar për emërimet në Policinë e Shtetit zhvilloi dy ditë më parë seanca maratonë pyetjesh me ish-drejtues të lartë të Policisë së Shtetit si dhe me funksionarët në detyrë të këtyre strukturave. Ish-drejtoi i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj, dhe drejtori aktual, Artan Didi, iu përgjigjën pyetjeve të deputetëve lidhur me emërimet në forcat blu dhe shkarkimet e disa prej drejtorëve të policisë. “Kjo nismë u gjykua dhe për lëvizjet në Policinë e Shtetit. Ndaj kam rënë pjesërisht dakord për zëvendësimin e punonjësve të Drejtorisë së Studimeve Strategjike pranë Policisë së Shtetit dhe në Akademinë e Rendit Publik. Këto ishin lëvizje paralele ku nuk mund të shkonin përveç personave që janë emëruar, pasoi ata kishin përvojën e duhur”, – ka thënë Burgaj në Komisionin Hetimor. Në raportimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Artan Didi, deputetët e opozitës përqendruan pyetjet tek emërimi i tij në krye të kësaj strukture dhe tek lëvizjet e fundit në polici, ndërsa deputetët e mazhorancës vunë theksin tek plotësimi i kritereve tek personat që kishin qenë në krye të drejtorive të policisë së qarqe të vendit në kohën kur qeverisje te djathta.
“Pasuritë”, 7 politikanë nën hetim, kritikohen vonesat e Prokurorisë
Komisioni për Sigurinë Kombëtare zhvilloi dje seancë dëgjimore mbi raportin e Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave për periudhën janar 2013-dhjetor 2013. Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, Genti Gazheli, raportoi mbi punën e kryer nga institucioni i drejtuar prej tij, duke deklaruar se ka një rritje të numrit të dyshuarve dhe se brenda tre muajve të parë të këtij viti është kryer një sasi e pune e barasvlershme me gjithë vitin 2013.
“Kemi një rritje të numrit të dyshuarve, sidomos nga muaji nëntor e sipër. Viti 2013 është karakterizuar nga një efikasitet i ulët, po të shohim shifrat gjatë vitit 2012 kemi pasur 22 raste të denoncuara, në vitin 2013 kemi pasur 23 raste të denoncuara dhe në vetëm tre muajt e parë të 2014-ës kemi pasur 20 raste të denoncuara, pra kjo tregon se brenda tre muajve të parë të këtij viti është kryer një sasi e pune e barasvlershme me gjithë vitin 2013”, – u shpreh Gazheli. Sipas Gazhelit, objekt i punës së institucionit që ai drejton, janë edhe politikanët. “Ka vonesa të paarsyeshme nga prokuroria që çojnë edhe shuarjen e çështjes. Kemi 7 politikanë të për të cilët po hetohen që prej vitit të shkuar, ndërsa sa i takon terrorizmit, siç të gjithë e dini aksioni i kryer nga policia pak javë më parë erdhi falë një bashkëpunimi të fortë të të gjithë institucioneve ligjzbatuese përfshirë edhe ne, por ka problemet të tilla”, – deklaroi Gazheli. Drejtori i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave shtoi se pavarësisht vullnetit të mirë që mund të kenë drejtuesit e këtij institucioni, problematika kryesore mbetet ngadalësia e punës së prokurorisë, që çon në pushimin e çështjeve.




